Në Parisin e pasluftës shkrimtarët e famshëm francezë ishin nën shënjestrën e agjentëve amerikanë, të cilët i ankoheshin qendrës se “materiali për të lexuar ishte i gjithi në frëngjisht!”. Një përpjekje e kushtueshme në kohë dhe të ardhura, por e pakuptimtë ndaj dy personaliteteve të letrave
Duke filluar që nga fundi i 1945-ës, agjencia amerikane e zbulimit, FBI, me kërkesë të drejtorit të saj, Xhon Edgar Hover, vuri nën vëzhgim dy intelektualë francezë me famë madhore, eksponentët më të shquar të Ekzistencializmit. Filozofi Zhan Pol Sartri (1905-1980) dhe shkrimtari Albert Kamy (1913-1960) u vunë nën kontroll sepse konsideroheshin të aftë për të ndikuar opinionin publik në “favor të komunizmit”
Në numrin e saj të nëntorit revista britanike «Prospect magazine», publikoi zbulimin e gazetarit Andy Martin, i cili u bazua në dokumentet e nxjerra ‘jashtë sekretit’ shtetëror, në Arkivat Kombëtare të Uashingtonit.
Kreu i FBI-së Xhon Hover ishte veçanërisht i shqetësuar për përhapjen e ideve të Sartrit dhe Kamysë, autorë të librave të vlerësuar nga kritika dhe me sukses të madh te publiku i gjerë. Për të “FBI duhet të shihte çdo gjë si një ri-shkrim të koduar të Manifestit Komunist. Dhe kështu agjentët e zbulimit studionin me hollësi veprat e shkrimtarëve, gjithashtu ndiqnin leksionet e tyre.
Drejtori i shërbimit të hetimit amerikan, në veçanti ishte i terrorizuar nga influenca e Sartrit, ndër të tjera anëtar i shoqatës në mbështetje të ishullit të Fidel Kastros, një nga intelektualët më aktivë në protestën kundër luftës së Vietnamit, si dhe ndër të parët që vuri në dyshim hipotezën e snajperit të vetëm në vrasjen e presidentit Kenedi.
Përveç ndjekjeve diskrete nëpër rrugët e Parisit, kontrollit të llogarive mbi udhëtimet e dy shkrimtarëve dhe gjurmimit të takimeve të dyshimta, FBI, përdori edhe përgjimet telefonike. Agjentët sekretë, në rastin e Sartrit përgjatë një çerek shekulli, nuk arritën ta kuptonin aspak punën intelektuale të tij, duke i konsideruar “misterioze” objektivat e tij politike.
Përgjatë viteve, raportimet e dërguara nga kryeqyteti francez drejt Shteteve të Bashkuara nënvizonin lidhjet e Sartrit me Che Guevara, Bertrand Russell dhe Panterat e Zeza. Në bazë të leximit edhe të librave të tij, informacionet sekrete të spiunëve amerikanë arritën në përfundimin se Sartri megjithatë duhej të konsiderohej një “filokomunist”.
Në raportet e para të dërguara nga Parisi mbi Kamynë dhe Sartrin, midis viteve 1945-1947, të bën përshtypje se si agjentët i ankoheshin eprorëve të tyre mbi faktin se “i gjithë materiali për t’u lexuar ishte në frëngjisht”, aq sa kërkohej ndihma e një përkthyesi për të kuptuar me ekzaktësi mendimet e tyre. Një ndër agjentët që u lëshua nëpër Evropë nga Hover, njëfarë Xhejms M. Underhill, iu ngarkua detyra që “t’i hidhte një sy Albert Kamysë”, mbiemri i të cilit në dosjet e para rezulton i shtrembëruar në “Kany”. Agjenti mori guximin për të informuar drejtorin se si ishte mbiemri i vërtetë i subjektit duke hipotezuar me diplomaci se ‘Kany’ (Canus) ishte ndoshta një emër i dytë i përshtatur me dinakëri. Dhe çfarë dinakërie se!
FBI-ja ishte kthyer në mënyrë dogmatike në një lloj brandi të “hetimeve filozofike” me policë filozofë, të cilët duhet të mbikëqyrnin, përgjonin dhe dekodifikonin mesazhet e lëshuara nga Kamy dhe Sartri. Kjo i jepte agjencisë një ngjyrim të fortë konspiracionist (që e parë sot duket qesharake) ndërsa dosjeve të saj mbi shkrimtarët një kuptim midis “qenies dhe mosqenies”, një proces i pakuptimtë dhe i shkuar dëm./D.Gjuzi

Po sikur vetem regjimi i Enver Hoxhes perndiqte shkrimtaret dhe njerezit dizidente. Ja keni fut kot. Nuk e ben kete gje vendi me demokratik i botes…
Billy kafshet qe jetonin ne kohen e xhaxhit nuk ja kishin dhe se kane idene as sot, se si eshte ndertuar dhe funksionon bota civilizuar, prandaj pasi rrezuan shtetin modenr e atij qe i ushqente dhe i mbante gjalle, jane kthyer sot si fiset zulu te afrikes!
Po pse nga mesoi “XHAXHI’ ,nuk mesoi ai nga DAJ SAMI ?!!