Çfarë përfaqëson ky organizëm politik. Çfarë është Senati Çam. Pse komuniteti nuk është përfaqësuar realisht, dhe si është shpërdoruar besimi i tij nga eksponentët aktualë zyrtarë. Cila është rruga që duhet ndjekur për të vënë në vend padrejtësinë historike
Që në fillim të bisedës, ai ka vetëm një kusht: Bashkëbisedimi ynë të mos fokusohet tek personi Artur Dojaka, por tek Lëvizja Çame që ai përfaqëson, tek çështja që ka marrë përsipër të mbrojë, tek e ardhmja e këtij komuniteti. Në rrethana të tjera, me të njëjtin kujdes e maturi (qoftë edhe plot respekt, një refuzim është i hidhur për gazetarin) reagoi ai kur, nja dy vjet të shkuara, i kërkuam të bënim një shkrim për një nga investimet më domethënëse shqiptare në agrobiznes dhe produktet biologjike, nga vaji i ullirit tek bulmetrat. “Sapo kemi filluar dhe na pret shumë punë”, pat thënë asokohe Dojaka, “dhe mbase nuk është mirë të mburremi nëpër media pa hedhur hapat e parë”.
Dhe në fakt, fokusohemi tek Lëvizja Çame, e cila muajt e fundit të vitit të kaluar nisi dora-dorës të vepronte gjithnjë e më aktivisht me deklarata, tubime, konferenca e aktivitete të tjera. Ajo çka padyshim “i pëlqeu” medias, ishte kundërshtimi i prerë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, për rrugën e ndjekur deri tani nga faktori zyrtar politik që përfaqëson çamët: Ku ka akuza e mospajtime, ka lajm. Ndryshe, sherri i disave është “bereqeti” i ca të tjerëve. Por për Dojakën, nuk është ky çelësi në të cilin publiku shqiptar duhet ta lexojë mesazhin e Lëvizjes Çame. Dhe për këtë, bën një retrospektivë të shkurtër.
Popullsia shqiptare çame e dëbuar nga vatrat e saj në disa valë represionesh greke (ndoshta për t’i rënë shkurt apo për mungesë njohurish, përgjithësisht kujtohet vetëm genocidi final i fundluftës së dytë, thotë Dojaka), e ringriti jetën e saj me mundime në atdheun shqiptar, duke nxjerrë figura në shumë fusha e duke kontribuar për vendin, paçka se edhe në Shqipëri, gjatë regjimit komunist është parë me sy dyshues. Themelimi i shoqatës “Çamëria” në fillim të viteve ’90 nga folkloristi e studiuesi Abaz Dojaka (një kushëri me Arturin), ishte një dritare shprese se çështja çame do të vihej në rrugën e një zgjidhjeje të drejtë dhe humane. Por ishte sidomos, një vatër tek e cila çamët mblidheshin së bashku, diskutonin problemet e komunitetit e hidhnin dritë mbi vuajtjet që kishin pësuar. Shkrime, intervista, dossierë e profile personazhesh historike, ishin të shpeshta në shtypin e atyre viteve. Por gjithsesi, orientimi dhe psika njerëzore e kësaj popullsie, që ndërkaq ishte shtuar dhe kërkonte t’ua transmetonte kujtesën historike edhe brezave të rinj, shkonte më tepër kah e kaluara: Në planin institucional dhe në diskursin zyrtar të Shqipërisë demokratike, ende çështja çame mbetej një temë e sikletshme për t’u prekur.
“Me themelimin e Partisë Drejtësi dhe Integrim në vitin 2005, u poqën kushtet që çamët të përfaqësoheshin edhe politikisht. Por të mos harrojmë se edhe atë kohë politika ishte refraktare ndaj kauzës çame. Mjaft të kujtojmë protestën çame para parlamentit atë vit, dhe përgjakjen e pjesëmarrësve nga policia”, thotë Artur Dojaka. E ca më shumë, bllokimin me vendim gjykate, të pjesëmarrjes së PDI-së në garën politike. Megjithatë, shpejt kjo çështje do t’i kalonte telat me gjemba që rrethonin Kuvendin, për të hyrë me përfaqësues të saj në parlament. Dora-dorës që kristalizohej organizimi politik i komunitetit çam, aq më shumë dukej i mundur përfaqësimi konkret në parlament. Dhe katër vjet më vonë, çamët zgjedhin një deputet në qarkun e Vlorës, ndërsa në atë të Fierit pati akuza të forta nga kreu i PDI-së Tahir Muhedini, se deputeti i dytë “u vodh” nga socialistët.
Riformatimi politik që ndodhi pas zgjedhjeve të 2009-ës, ishte goxha i shpejtë: Deputeti socialist Shpëtim Idrizi, me njërën origjinë të tij çame, vendosi të ndryshonte fokusin e angazhimit politik. U shkëput nga PS-ja dhe bashkë me deputetin çam të Vlorës Dashamir Tahiri, krijoi Partinë për Drejtësi dhe Unitet. Përplasja me Tahir Muhedinin dhe PDI-në, u shfry me shkrirjen e siglave, ku PDI dhe PDU u bënë PDIU, ndërsa Muhedini u zgjodh kryetar nderi. Tani violinë e parë ishte Idrizi.
E pyes Artur Dojakën se ç’përgjigje ka për ata shqiptarë me origjinë çame që këshillojnë, edhe përmes forumeve virtuale apo drejtpërdrejt, të evitohet përçarja e të shmangen përplasjet mes çamëve. “Komuniteti ynë, jo tani por historikisht ka qenë i dëshiruar për harmoni e bashkim jo vetëm sa u përket çamëve, por përgjithësisht faktorit shqiptar. Ndaj kjo ndjesi është krejt e kuptueshme. Po ashtu, ndjesia e këtij komuniteti të zgjuar e punëtor e ka bërë të vetëdijshëm se me emocionet, ndjenjat dhe pritshmëritë e tij është abuzuar dhimbshëm. Veprimtaria katërvjeçare e zotit Idrizi e vërteton këtë. Partia, apo më saktë ndërmarrja e tij, i ka shërbyer si mekanizëm për të shtënë në dorë zyra patentash, liçensa zhavorresh e turli lloj drejtorish të pushtetit. Kjo zbulon kauzën e vërtetë të tij, por çamët kërkojnë tjetër gjë: Nëse kërkon përfaqësim në pushtetin politik, të duhet diplomacia, aksesi në ministrinë e Jashtme, për ta bërë ndërkombëtarisht të njohur dhe ligjore çështjen tënde, në çdo organizëm ku merren vendime me peshë. Spekullimet dhe butaforitë nuk gënjejnë dot as kalamajtë”.
Dhe Dojaka shton se zgjidhja e çështjes çame ishte e vonuar edhe në vitin 1991, kur u ngrit shoqata “Çamëria”, e jo më tani pas katër vitesh prezencë politike pa asnjë rezultat konkret në dobi të çështjes. Një sekondë, e ndërpres, kreu i PDIU-së ka paraqitur një projekt-rezolutë me 13 pika në parlament, a nuk është akt për t’u përshëndetur?
“Pas tre vitesh e gjysmë, në sfondin e një zhgënjimi në rritje të komunitetit çam, befas vjen një rezolutë me 13 rreshta. Një copë letër e pakonsultuar e negociuar me askënd, aq më pak me diplomacinë brenda dhe jashtë vendit, që u duk qartë se ishte një ekzibicion i zotit Idrizi. Por nëse ky është problemi i tij, problemi i komunitetit është se hapa të tillë e zhvlerësojnë dhe dëmtojnë çështjen”, thotë Dojaka. Sipas tij, dosja me emrin “rezoluta për çështjen çame” ka ekzistuar që në vitin 2004 kur Idrizi ishte drejtor doganash, e kur më pas protestat e çamëve morën përgjigje dhunën; në parim, çdo rezolutë e dokument tjetër me peshë është për t’u përshëndetur. Por kjo rezolutë ndoqi rrugën e gabuar: Pas prezantimit dhe dy javësh lobim, u deklarua se çdo pikë e saj mund të negociohej. “Ndërkohë që duhej bërë e anasjellta: Lobim, diskutime në komisionin e jashtëm parlamentar e sigurim mbështetjeje, pastaj prezantim. Por gjithçka u bë për fasadë, prandaj nuk pati asnjë reagim nga organizmat ndërkombëtarë, përveç deklarimeve negative të Greqisë. Kontributi i Idrizit sa u përket të drejtave të njeriut, do të mbahet mend vetëm në rastin e votës së tij pro Azerbajxhanit në Këshillin e Europës”.
Artur Dojaka nuk dëshiron të zgjatet më tej në temën e mësipërme. Nuk ka shumë që është kthyer nga disa konferenca e takime në Durrës e Fier, e këtu u mësua edhe emri i kandidatit të Lëvizjes Çame për deputet, Nimet Musai, “i cili praktikisht fitoi edhe zgjedhjet e kaluara”. Po, Lëvizja Çame do të garojë në zgjedhjet e 23 qershorit si ent politik, me kandidatë në pesë qarqe me peshë. Por përpara se të vijmë këtu, Dojaka shpjegon organizimin e këtij komuniteti dhe njerëzve të tij më aktivë. “Gra e burra të nderuar që kanë kontribuuar për komunitetin tonë dhe vendin, janë angazhuar në Senatin Çam, një organizim ky që është shprehje e maturisë dhe e vullnetit për bashkimin e të gjitha forcave të këtij komuniteti, drejt një përfaqësimi serioz politik që do ta vendosë në rrugë të drejtë zgjidhjen e çështjes çame”, thotë Artur Dojaka. Ai sheh i inkurajuar mbështetjen dhe pjesëmarrjen masive të komunitetit në këto tubime. Ky organizim ishte domosdoshmëri dhe emergjencë, për shkak të mungesës së përfaqësimit. Sipas tij, Senati do të jetë mbi palët, një ombrellë që fton të gjithë ata faktorë dhe aktorë që duan të ndihmojnë, ndërsa Lëvizja Çame është përfaqësuesi i saj politik, i mandatuar për të garuar në zgjedhjet e afërta.
“Komuniteti çam është një, dhe kauza e tij është po ashtu e mirëjohur; ndërsa individët përfitues janë pak. Përfaqësuesit tanë do të jenë në shërbim të komunitetit, jo shfrytëzues të kauzës së tij”, thotë Dojaka. Lëvizja do të prezantojë kandidatë në qarqet e Vlorës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Tiranës. Është e kuptueshme që sistemi proporcional rajonal favorizon koalicionet, por “aleancat mund të jenë para ose paszgjedhore, të gjitha opsionet janë të hapura”. Tek e fundit, shton Dojaka, “koalicionin dhe mirëkuptimin, Lëvizja Çame e ka me gjithë shqiptarët”.
Mirëpo dikush mund të thotë se është kollaj të konstatosh se “gjërat nuk bëhen kështu, por ndryshe”, ndërkohë që gjithnjë ka vend për pyetjen thelbësore: Çfarë ndodh pastaj, cili është projekti? “Nga Lëvizja Çame nuk do të ketë kurrë premtime boshe”, ndërhyn drejtuesi i saj, dhe sqaron se së pari, duhet deklaruar me sinqeritet diçka: Kauza çame kërkon domosdoshmërisht prani në vendimmarrje, pra në qeverisje. “Diskursi i zakonshëm politik për të majtën dhe të djathtën, nuk ka lidhje me çështjen tonë. Në bazë të rezultateve elektorale, ne synojmë dhe kërkojmë të jemi aktivë në diplomaci dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Programi ynë është i qartë, dhe fatkeqësisht këto hapa duheshin hedhur shumë më herët. Së pari duhet një lobim i fortë, serioz dhe i argumentuar pranë faktorit dhe organizmave ndërkombëtare, për të mbërritur në njohjen e një genocidi të mirëfilltë, dhe nisjen e procedurave për njohjen e të drejtave të mohuara padrejtësisht të një komuniteti të tërë. Kjo kërkon përgatitje serioze dhe fokusim, pastaj materializim në aksione konkrete politike e diplomatike”. Për Artur Dojakën, është handikap i madh fakti që ndërsa këto dy dekada faktori shqiptar në rajon ka njohur momentet e arritjet më pozitive historike, megjithë problematikat, çështja çame “xhiron në boshllëk”. Por me rradhë: Së pari janë zgjedhjet dhe përfaqësimi i duhur politik.
Portreti i qetë i një burri të ri që dikush ende mund ta kategorizojë si “djalosh”, bëhet në çast ekspresiv, kur në një intermexo bie fjala për ullinjtë dhe vajin e mirë. Ka lidhur jetën dhe biznesin e tij me këtë bimë të bekuar, por edhe me fermat e bagëtive dhe bulmetrat e fismë. “Celulari të bie vazhdimisht”, i them, “dhe besoj se jetën e ke të mbushur me aktivitetet e tua. Ç’tu desh ky angazhim politik?” Ndoshta e kanë pyetur dhe më parë, nuk e di, por përgjigjen Artur Dojaka e jep menjëherë. Është një “krimb”, thotë, që nuk e lë rehat këdo që ka lindur çam, pavarësisht sesa ka ecur në shkollimin, biznesin dhe jetën e vet private. Janë rrëfimet e vuajtjeve të paraardhësve, është shpresa se kohë të tjera kanë ardhur, kur padrejtësia mund të vihet në vend. “Dhe kur këtyre u bashkohet zhgënjimi se disa luajnë me një komunitet të tillë, nuk mund të rrish duarkryq”, thotë Dojaka, i bindur se si ai janë të shumtë mes shqiptarëve çamë. Dhe kjo është “një garanci se flaka e çështjes sonë do të qëndrojë e ndezur”. Nga ana tjetër, gjënë më të çmuar që ai ka, kohën, do ta investojë pa kursim, dhe deri në përfundim të procesit zgjedhor do të jetë 100 përqind i angazhuar. Është shkolluar jashtë dhe para 15 vitesh ka ardhur në Shqipëri, ku ai dhe familja kanë ngritur të ardhmen. E sheh me “zili” modelin e angazhimit të diasporës kosovare për atdheun e vet, një shembull i shkëlqyer dhe i paarritshëm për komunitete të tjera. “Dhe ndjeshmëria e Kosovës për kauzën tonë është shumë e madhe. Kemi kontakte si me shqiptarët e Kosovës, edhe me ata të Turqisë, mes të cilëve ka shumë çamë”, thotë Dojaka. Janë shqiptarët e Çamërisë që u dëbuan si “turq” me disa valë raprezaljesh, kur në vitet njëzetë të shekullit të kaluar Greqia dhe Turqia kryen shkëmbimin e popullsive pas dështimit spektakolar ushtarak grek në Azinë e Vogël, nga dora e Mustafa Qemalit. “Janë edhe ata, dëshmi e atij amaneti të vjetër”, thotë Artur Dojaka, “që të mbetet i ngulur në mendje dhe nuk të lë rehat. Një amanet që nuk blihet e as shitet me para e poste”./Revista KLAN
TE dashur CAM
Une mendoj se ceshtja CAme eshte shume e nderlikuar
Qe te zgjidhet nuk do PALACO politikan si IDRIZI
NUk DO PALACO qeveri SI keto deri TANI
NUK do nje shtet KARTONI si ky yni
SHTeti yne eshte i dorzuar para GREQIS
GREQIA i ka shume borxh shqiperis
NJE FJAl popullore thote o balo te hengert tenja e ke te ligen brenda
KERKOHENI te drejten ne BRUKSEL dhe AMERIK
te konribojen te gjith CAMET me para per avokatet e huaj
krijoni fonde dhe mos e kerkoni ne SHQIPERI te drejten
E ka thene FAIK KOnica SHQIPERIN e RUJTE ZOTI NGA SHQIPTARET
NDERSA juve u RUAJTE ZOTI NGA IDRIZI DHE BERISHA