Raportet e publikuara mbi prezencën e kimikateve të rrezikshme që kanë në përmbajtje lodrat e shumta që tregtohen në vendin tonë bien në vesh të shurdhër. Këshilla për prindërit
Pranvera Kola
Përtej gëzimit që mund të dhurojnë në argëtimin e të vegjëlve, lodrat mund të shndërrohen edhe në një armik të shëndetit . Shkak për këtë bëhet prania e kimikateve të rrezikshme në përmbajtje të tyre, të cilat mund të shkaktojnë sëmundjet kancerogjene, alergji e deri në pasoja fatale për jetën.
Fatkeqësisht tregjet shqiptare janë të tejmbushura me lodra, të cilat nuk ofrojnë sigurinë e duhur për fëmijët. Por pavarësisht ekspozimit të këtij fenomeni shqetësues, institucionet shqiptare përgjegjëse ende vijojnë të heshtin ndaj përgjegjësive në marrjen e masave për të mos lejuar hyrjen e lodrave të rrezikshme në tregjet shqiptare. Vëzhgimet e kryera prej Koalicionit Shqiptar për Sigurinë e Lodrave prej kohësh kanë nxjerrë në pah probleme shqetësuese sa i takon sigurisë së lodrave, veçanërisht atyre kineze që shiten në tregjet shqiptare.
Sipas raporteve të bëra publike nga ky koalicion, rezulton se në Shqipëri janë konstatuar probleme serioze në lidhje me lodrat e fëmijëve, kjo pasi: “veshjet tekstile të ndryshme për fëmijë, kukullat, makinat me rrota, lodrat plastike nuk shoqërohen me paralajmërimet përkatëse. Lodrat prej druri si rosakë, kuaj dhe kafshë të tjera paraqesin rrezikun më të madh të shkëputjes së pjesëve të vogla të trupit të tyre dhe gëlltitjen nga fëmija, e cila shkakton rrezik fatal ndaj tyre.
Kukulla për përdorim nga mosha 3 vjeç rezultojnë me përmbajtje kimikate. Këpucë për vajza, ngjyrë të kuqe me pak takë, duke shkaktuar tek fëmijët sëmundjen e lëkurës dhe myk. Sholla e këpucës përmban sasi të caktuara plastifikatori dhe pasojat ndaj tyre janë kancerogjene”.
Pavarësisht paralajmërimeve të lëshuara për këtë fenomen shqetësues, institucionet përgjegjëse, veçanërisht Ministria e Ekonomisë, ende nuk po realizon detyrat e saj për ofrimin e lodrave të sigurta.
Në një intervistë për gazetën “Dita”, përfaqësuesja e Koalicionit për Sigurinë e Lodrave (CATS), Evis Qaja, tregon ecurinë e punës së bërë në këtë drejtim gjatë viteve të fundit ku janë konstatuar probleme të shumta, si dhe këshillat që prindërit shqiptarë nuk duhet të lënë pas dore që t’u dhurojnë fëmijëve të tyre lodra të sigurta.
Pak kohë më parë ju keni prezantuar të dhëna shqetësuese mbi hyrjen e lodrave të rrezikshme në tregjet shqiptare. Duke iu referuar problematike të shfaqura në këtë sektor, si paraqitet situata dhe çfarë masash janë marrë në këtë drejtim nga institucionet përgjegjëse gjatë viteve të fundit?
Të gjithë prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm në përzgjedhjen e lodrave që do t’u dhurojnë fëmijëve, pasi mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre. Rritja e kërkesës për lodra me afrimin e festave të fundvitit, bën që edhe tregjet shqiptare të pushtohen nga lodrat e rrezikshme. Gjatë eksperiencave të viteve të mëparshme, të paktën në fundvit nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës janë marrë masa për të hequr nga tregu disa lodra që rrezikojnë jetën e fëmijëve.
Shembuj konkrete janë masat që janë marrë në 2007-2008-n për grupin e lodrave nga kompania “Fisher Price”, e cila vetë në atë kohë kishte kërkuar tërheqjen nga tregu të një kategorie lodrash të prodhuara prej saj, që paraqisnin rrezikshmëri për përmbajtjen e plumbit mbi nivelet e lejuara.
Apo dhe masa për lodra të nxjerra nga tregu, të ardhura nga Bashkimi Evropian, nga ku vetë BE-ja i kishte nxjerrë ato si të papërdorshme për tregun e tij të brendshëm. Këto lodra paraqesin rrezikshmëri të lartë ndaj mbytjes ose helmimit, shokut elektrik, dëmtimeve të ndryshme fizike apo bakteriologjike, që ishin provuar nga testimet e laboratorëve të akredituar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Dhe ndërkohë dhe METE dhe institucionet përkatëse të inspektimit bënë një ndërgjegjësim për konsumatorët ndaj këtyre produkteve, si dhe u kërkua që të merren masa për të koordinuar punën me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në mënyrë që të pezulloheshin zhdoganimet e këtyre lodrave, si dhe u ndalua tregtimi i mëtejshëm i këtyre produkteve të rrezikshme.
Gjithashtu, në vazhdën e inspektimeve të fundvitit janë bllokuar dhe tregtimi i disa kukullave, që u vlerësuan si të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve nga firma amerikane “Mattel”, ku vetë kjo firmë tërhoqi nga tregu mbi 18 milionë lodra të prodhuara në Kinë, për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë e tyre.
Ndër to kishte kukulla, si dhe vetura lodër të ngjyrosura me bojë me përmbajtje plumbi me pjesë magnetike, që mund të shkëputen dhe gëlltiten nga fëmijët. Mund të themi se dhe në fundvitin 2011 Inspektorati Qendror Teknik ishte pjesë e një fushate sensiblizimi për heqjen nga tregu të mjaft produkteve lodra të rrezikshme, nga ku ne e kemi mbështetur dhe jemi bërë pjesë ndihmuese për të informuar konsumatorët për rrezikshmërinë e tyre.
Konkretisht për 2012-n, çfarë masash janë marrë për të lejuar që në treg të qarkullojnë vetëm lodra të sigurta ?
Tashmë në fundvitin 2012, më në fund, janë miratuar edhe dy ligje të rëndësishme për sigurinë e produkteve në treg ligje që vijnë në adresim të detyrimeve që rrjedhin nga raporti analitik i komisionit dhe gjithashtu është në përputhje me planin kombëtar për zbatimin e MSA-së 2010-2014, konkretisht me nenin 70 të tij për përafrimin e legjislacionit, si dhe nenin 76 për mbrojtjen e konsumatorit.
Gjithashtu, ligji në fjalë është në përputhje të plotë me direktivën 2001/95, datë 3 dhjetor 2001 “Mbi sigurinë e përgjithshme të produkteve”. Nga ana tjetër, është parashikuar transpozimi i procedurave të këmbimit të informacionit në kuadër të asaj që quhet “rapex”, një sistem ndërmjet vendeve anëtare për shkëmbimin e shpejtë të informacionit për produktet e rrezikshme.
Sigurisht, vendi ynë ka vetëm një akses të njëanshëm, ku institucionet përkatëse kanë të drejtën e informimit dhe aksesit të shikojnë se cilat janë produktet e rrezikshme në vendet e BE-së. Gjithashtu, përfshihemi në procesin e një reforme të inspektimit. Deri më tani Inspektorati Qendror Teknik, i cili me kapacitetet ekzistuese, gjatë kësaj kohe është përpjekur që të bëjë aktivitete të mbikëqyrjes së tregut, por jo sipas një strategjie të vendosur mirë për mungesë kapacitetesh dhe tashmë në fundvitin 2012 institucionet përkatëse nuk kanë ngritur asnjë shqetësim pavarësisht gjithçkaje që nënvizova më sipër dhe gjithçka është lënë në heshtje, thua se tashmë asnjë laborator nuk ka funksionuar.
Ndëkrohë, jo shumë larg Koalicioni për Sigurinë e Lodrave kreu një test publik dhe rezultoi se produktet përmbanin një sasi të madhe lëndësh kimikate të rrezikshme dhe nuk patëm asnjë reagim prej asnjë institucioni.
Kundrejt kësaj situate shqetësuese, si kanë reaguar institucionet përgjegjëse?
Një ndër objektivat e rëndësishëm të punës së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) në kuadër të ligjit të ri që citova më lart, është të njoftojë shoqërinë civile duke iu kërkuar informimin e konsumatorëve në lidhje me ndërgjegjësimin e tyre për praninë e lodrave të rrezikshme në treg, si dhe për kthimin e lodrave nga ata konsumatorë që i disponojnë ato, duke bërë të mundur kështu kompensimin e tyre nga vetë shoqëria.
Në këtë kuadër do të cilësoja se nuk kemi marrë asnjë informacion lidhur me njohjen e situatës dhe madje nuk është lancuar asnjë nismë e tillë e cila të lidhet me mbikëqyrjen e tregut ndaj lodrave/eliminimin/apo testime te tyre në këtë prag fundviti 2012.
Çfarë duhet të kenë kujdes në këto ditë festive prindërit shqiptarë në mënyrë që të kënaqin fëmijët e tyre me lodra të sigurta dhe të padëmshme?
Lodrat janë një kontribut thelbësor për zhvillimin e fëmijës. Për të siguruar përvojën më të mirë për fëmijët tanë, duhet te kemi parasysh disa këshilla. Rregulli i parë që duhet shikuar te lodra është të shikosh nëse ka “CE-shenjën”. Kjo nënkupton se prodhuesi garanton se lodra i plotëson kërkesat e përbashkëta të shteteve të Bashkimit Evropian mbi sigurinë, standardin e lodrave ”SS EN 7”. Lodra duhet ta ketë edhe shenjën e prodhuesit, emrin e importuesit, si dhe markën e prodhimit.
Lodrat plotësisht anonime mund të jenë të rrezikshme. Shumica e lajmërimeve që paraqiten pranë institucionit tonë kanë të bëjnë me lodra të përbëra nga pjesë të vogla, të cilat fëmijët e vegjël i futin në gojë. Në rastet më të rënda, kjo mund të shkaktojë mbytje ose lëndime të tjera. Disa shembuj janë për shembull gogla plastike, rraketake të prishura, sy dhe hundë të shkëputura nga kukulla-arushë, pipëza gati të shkëputura të balonave, si dhe lodra në vezë-çokollatë.
Të tilla lodra mund të kontrollohen dhe vetëm me ndihmën e një cilindri të veçantë të provës. Një rrezik tjetër për fëmijët e vegjël janë spangot e gjata. Ata mund t´i lidhin ato rreth qafës, dhe fëmija nuk mund të marrë frymë. Sytë janë po ashtu një pjesë e rrezikuar e trupit. Ka ndodhur që shigjeta të forta, lodra-helikopterë dhe aeroplan e qëllojnë fëmijën në sy dhe shkaktojnë verbimin e fëmijës. Një dëmtim tjetër që i shqetëson ekspertët janë lëndimet nga zhurma e lartë. Dihet se niveli i lartë i zëri, mund të shkaktojë dëmtim të aftësisë së dëgjimit.
Rastet kur lodrat janë të rrezikshme
Rrushi:
Produkt dekorativ imitim fruti (rrush )ngjyrë vishnje e errët me kokrra të buta plastike. Produkti nuk ka asnjë lloj paketimi dhe asnjë paralajmërim apo udhëzim të nevojshëm. Vendi i origjinës është Kina. Pamja e tij e jashtme, tepër të ngjashme me frutin origjinal , krijon iluzion tek fëmija duke rrezikuar gëlltitjen e lodrës, e më pas mund të shpjerë në rrezik mbytjeje dhe asfiksie. Kokrrat e tij mund të shkëputen me një force prej më pak se 50 N dhe futet plotësisht në grykën e cilindrit të testimit. Fëmijët mund ta shkëpusin lehtësisht dhe ta fusin në gojë duke u shkaktuar kështu probleme shumë të mëdha mbytjeje dhe asfiksie.
Këpucët për vajza
Këpucë për fëmijë (për vajza), ngjyrë të kuqe me pak takë. Produkti nuk ka asnjë dokumentacion shoqërues. Vendi i origjinës, Kina. Pas analizimit të kryer produkti paraqet rrezikshmëri për shëndetin e fëmijës për shkak se suprina e këpucës është igelit me bazë tekstili (tekstili është napë), në sipërfaqe ka rrëshirë poliuretan. Në pjesën e brendshme ka të ngjitur një shtresë poliuretani poroz.
Materiali është hidrofob, nuk ka porozitet. Ky faktor shkakton djersitjen e këmbës së fëmijës dhe me kalimin e kohës sëmundje të lëkurës dhe myk. Materiali i shtrojës, astarit dhe veshëve është igelit me bazë velaturë sintetike mbi të cilën është vendosur shtresa e rrëshirës. Rezistenca në grisje është shumë e ulët. Astari është imitim i lëkurës së derrit. Ai nuk është higroskopik, në këtë mënyrë shkakton djersitjen e këmbës dhe si pasojë shkakton zhvillimin e myqeve, dermatiteve , etj. Për sa i përket tabanit, ai është fibër e presuar, ka kamaret çeliku dhe kamaret kartoni. Tabani është një trup i ngurtë (shumë i fortë) joelastik dhe gjatë ecjes është shumë i lodhshëm për këmbën e fëmijës. Përsa i përket shollës , ajo është prej materiali gome termoplastike dhe përbëhet nga dy shtresa të ngjitura. Shtresa sipërfaqësore është PVC, ndërsa shtresa bazë është material termoplastik. Sholla nuk ka elasticitet, ka fortësi shumë të lartë. Sholla përmban sasi të kufizuara plastifikatori të cilat janë nënprodukte të katraneve. Ato janë komponime kimike aromatikë dhe për pasojë janë kancerogjene. Ndërsa taka e këpucës është plastikë e lyer me boje. Taka së bashku me supertakën janë shumë të forta nuk kanë elasticitet për pasojë janë shumë të lodhshme gjatë ecjes dhe shkaktojnë probleme në shtyllën kurrizore të fëmijës.
Buzëkuq
Produkt kozmetike (buzëkuq për vajza) ngjyrë lejla dhe i kuq, me kapak transparent. Produkti nuk ka asnjë dokumentacion shoqërues. Vendi i origjinës, Kina. Pas analizave të kryera në laborator produkti paraqet rrezik në përdorimin e tij, sepse ka përmbajtje më të lartë se e lejuara të plumbit.