DITA i drejtoi dje konstitucionalistit të njohur Jaho pyetjen: Për zëvendësimin e 3 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës i ka dërguar Kuvendit dy dekrete, ndërsa ish-Presidenti, prej kohësh, ka dërguar një dekret tjetër emërimi po për këtë gjykatë Në aspektin kushtetues dhe ligjor, a mund të sqaroni se kur u mbaron mandati gjyqtarëve që vazhdojnë detyrën (në fakt njeri prej tyre është larguar)? Më poshtë, përgjigja:
Meqë ju kërkoni që për këtë problem të shprehem në aspektin kushtetues dhe ligjor, e shikoj të nevojshme t’i referohem fakteve dhe momenteve të mëposhtëme:
a) Sipas nenit 127 pika 2 të Kushtetutës, mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese
b) Gjykata Kushtetuese, mbështetur në dispozitën e mësipërme kushtetuese dhe të nenit 9, pika 2, të ligtjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” me vendimet e saj Nr. 24, 25 dhe 16 datë 24 maj 2010, ka deklaruar se tre gjyqtarëve (që tash mendohen të zëvendësohen) mandati u mbaron në 21 maj 2010.
c) Në bazë të vendimeve të mësipërme të Gjykatës Kushtetuese, ish-Presidenti i Republikës, i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë dekretet përkatëse për emërimin e tre gjyqtarëve që u kishte mbaruar mandati.
Ç) Kuvendi nuk i shqyrtoi këto dekrete, por 1/5 e deputetëve të maxhorancës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nenin 125/3 të Kushtetutës, (Në këtë nen bëhet fjalë për përtëritjen çdo tre vjet të një të tretës të përbërjes së gjykatës sipas procedurës së përcaktuar me ligj).
Një e pesta e deputetëve, i kërkonte Gjykatës Kushteuese të përcaktonte mekanizmin e përshtatshëm që do të mundësonte realizimin e përtëritjes, sipas nenit 125/3 të Kushtetutës.
d) Gjykata Kushtetuese mbasi arsyetonte se nuk ishte në funksionin e saj të përcaktonte mekanizma të tilla, në përgjigje të kërkesës së deputetëve, në pjesën urdhëruese, shprehej se: “Gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës, është në kompetencën e ligjvënësit kushtetues” (Shih vendimin Nr. 24, datë 9.06.2011).
Me shprehjen: “ligjvënësi kushtetues” kuptohet se mekanizmi për përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese duhej përcaktuar duke ndërhyrë në kushtetutë, në përputhje me nenin 177 të saj të titulluar “Rishikimi i Kushtetutës”.
Dh) Kuvendi nuk zbatoi vendimin e mësipërm të gjykatës Kushtetuese, ndërsa dekretet e emërimet ia ktheu Presidentit me arsyetimin se zëvendësimi i gjyqtarëve të gjykatës Kushtetuese, do të bëhej mbas tre vjetësh, në vitin 2013.
Kam patur dhe kam mendimin (për këtë jam shprehur edhe më parë) se Kuvendi në këtë rast nuk veproi në përputhje me kushtetutën dhe vendimin e gjykatës Kushtetuese.
Së pari, sepse ai nuk është kompetent të zgjaste dhe 3 vjet mandatet e përfunduara dhe së dyti, sepse sipas nenit 132 pika 1 të Kushtetutës, vendimet e gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare.
e) Gjykata kushtetuese u vu në lëvizje nga ish-presidenti i Republikës me kërkesën për shfuqizimin e vendimit numër 106 datë 23.06.2011 të Kuvendit. Ai i kërkonte gjykatës të vendoste zgjidhjen e konfliktit të kopetencës ndërmjet instuticionit të Presidentit dhe Kuvendit. Midis të tjerave në kërkesën e Presidentit thuhej se Kuvendi kishte bllokuar procedurat për shqyrtimin e dekreteve për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, se Kuvendi nuk kishte të drejtë të vendoste pezullimin e shqyrtimit të dekreteve.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të shpallur në datën 19.07.2012, vendosi rrëzimin e kërkesës së Presidentit të Republikës me arsyetimin se nuk kishte konflikt kompetencash. Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese legjitimoi vendimin e Kuvendit.
Mbasi u njoha me këtë vendim shpreha opinionin personal se ky vendim binte ndesh me frymën e kushtetutës dhe vendimin numër 24 data 9.06.2011 të po kësaj gjykate (shih gazetën Shqiptarja.com, 26.07.2012) në këtë shkrim të titulluar. Por pavarësisht nga faktet e evidentuara më sipër si dhe nga e drejta për të kritikuar edhe vendimet gjyqësore të formës së prerë, derisa vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e konsideroi të ligjshëm vendimin e Kuvendit, është e drejtë të shtrohet pyetja: Kur u mbaron mandati gjyqtarëve që do të zëvendësohen?
Siç përmendëm edhe më lart 3 gjyqtarëve mandati u kishte mbaruar më 21 maj 2010. Kuvendi e zgjati këtë mandat edhe 3 vjet të tjera pa u shprehur për datën e mbarimit të tij. Në këto kushte, logjika dhe llogarija e thjeshtë të lejon të shprehesh se mandati i zgjatur mbaron më 21 maj 2013.
Mos prisni që të ndodhë ndryshe kur ligji le shteg për interpretim dhe kur personi që nuk e zbaton nuk mban asnjëmpërgjegjësi.
O gjykata kushtetuese je per te mbortur ligjin a po per te mrojtur politiken kur thua se qeveria s ka para per te paguar juve .Ju nuk mbroni ligjin -//— athere duhet qe ky ligj o te zbatohet ose te hiqet ose ne qofte se nuk hiqet duhet te shkarkohet gjygjetari qe nuk e zbaton ligjin kjo nuk eshte gjykate kushtetuese por gjykate shketeruese