Rishqyrtimi i pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar mund të bëhet për përfitime që rrjedhin nga ligje, apo vendime të veçanta, si për kompensime, shtesa për personat në ngarkim, si dhe mbi bazën e akteve të auditimit, ose kur është konstatuar llogaritje gabim e pensionit.
Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se për të kërkuar rishqyrtim të pensionit, fillimisht duhet dorëzuar nga i interesuari, ose një person i autorizuar prej tij me prokurë të posaçme, kërkesa me shkrim, nëpërmjet të cilës kërkohet ndjekja e procedurave për rishikimin e përfitimit mujor. Në vijim gjendet e detajuar procedura që duhet të ndiqet nga momenti i dorëzimit të kërkesës, deri në dhënien e vendimit final për ndryshimin e përfitimit.
Procedura që ndiqet
Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren përkatëse të sigurimeve shoqërore, personi që do të fillojë procedurën e kërkesës për rishqyrtim të pensionit të pleqërisë, invaliditetit apo familjar, fillimisht duhet të paraqitet tek inspektori pritës i agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore që ndodhet pranë vendbanimit të tij.
“Inspektori i bën sqarimet ligjore për procedurën që do të ndiqet për rishqyrtimin e pensionit. Inspektori pritës pret dokumentet për rishqyrtim, të paraqitura nga vetë i interesuari ose i autorizuari me prokurë të posaçme, i kontrollon ato dhe, nëse i gjen të rregullta, i regjistron te libri i pritjes në rubrikën “Rishqyrtim pensioni”, përcaktohet në rregulloren e caktimit dhe administrimit të pensioneve. Kërkesa për rishqyrtim pensioni hartohet në dy kopje, nga të cilat një i jepet personit që paraqet kërkesën ose të autorizuarit të tij dhe një kopje mbahet prej inspektorit pritës.
Inspektori pritës çdo ditë ia kalon dokumentet përgjegjësit të agjencisë, i cili më pas i dërgon drejt organeve të tjera kompetente që do të vendosin edhe për ndryshimet që do të pësojë përfitimi, si shkak i rishqyrtimit.
Rishqyrtimi
Inspektori përpunues fillon procedurën e rishqyrtimit të dokumenteve të marra në dorëzim, dosjen përkatëse të pensionit dhe kartelën financiare nga dega e financës. Kur dokumentet janë të rregullta dhe nuk duhen verifikuar, inspektori përpunues plotëson vendimin për rishqyrtim të pensionit, urdhërpagesën sipas të gjitha rregullave, kartelën financiare dhe, pasi i nënshkruan dhe i inventarizon, ia dorëzon kryetarit të degës së përfitimeve.
Të gjitha këto veprime pasqyrohen në fletën shoqëruese të dosjes së pensionit, në rubrikat përkatëse, duke shënuar emër, mbiemër, datë dhe duke nënshkruar. Më pas kreu i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore pasi kontrollon procedurat e kryera, nënshkruan vendimin e rishqyrtimit të pensionit, urdhërpagesën dhe ia kalon atë degës së financës për veprime të mëtejshme.
Urdhërpagesa e vulosur dhe e shoqëruar me shkresë përcjellëse e sigluar nga kryetari i degës së financës dhe e nënshkruar nga drejtori i DRSSH-së me protokoll të veçantë ose me postë, i dërgohet filialit të Postës, e cila në në bazë të aktmarrëveshjes ua kalon qendrave paguese brenda 24 orëve.
Ndryshimi i pensionit
Kur pas marrjes së vendimit për caktimin e pensionit, pensionisti paraqet kërkesë me shkrim, së bashku me dokumente të tjera që i japin të drejtë për rritjen e masës së pensionit, drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore merr vendimin për ndryshimin e pensionit.
Gjithashtu, vendimi për ndryshimin e pensionit merret edhe pa kërkesën e të interesuarit, për rastet kur konstatohet se janë bërë gabime në masën e pensionit në një vendim të mëparshëm, si dhe kur bëhen rritje me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi për ndryshimin e pensionit merr numrin e vendimit fillestar me fraksion, duke filluar nga numri 1, p.sh. 1275/1, 1275/2,etj, ndërsa si datë shënohet data e kryerjes së veprimit. Vendimi plotësohet me të gjitha të dhënat që përmban formati. Nuk mund të transferohet dosja e pensionit nga një drejtori sigurimesh në një tjetër pa tërhequr të paktën një këst mujor.
Ndarja e pagesave
Për rastet kur e drejta për përfitimin e pensionit apo përfitimeve të tjera fillon më vonë se data 1 e muajit, shuma e përfitimeve llogaritet dhe autorizohet për pagesë vetëm për ditët e tjera që mbeten nga data e caktuar deri në fund të muajit. Për shembull në rastet kur e drejta e pensionit fillon më datë 13 të muajit, atëherë pensioni llogaritet dhe paguhet për 18 ditë të muajit të parë, ndërsa për muajt e tjerë pensioni paguhet i plotë. Për efekt llogaritjeje, shuma e përfitimit mujor pjesëtohet me 30 ditë dhe shumëzohet me numrin e ditëve që duhet të paguhet.
Libreza e pensionit
Në bazë të vendimit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) për caktimin e pensionit, pensionistit i jepet libreza e pensionit me fotografi. Ajo vërteton qenien si pensionist, llojin e pensionit, numrin e dosjes, pagën mesatare mbi të cilën është llogaritur pensioni, periudhën e sigurimit, shumën e pensionit, datën e fillimit të pagesës së pensionit dhe afatin e pagesës së tij si dhe numrin e sigurimit shoqëror. Kur libreza humbet, lëshohet librezë e re pensioni me shënimin “Dublikatë”.
DOKUMENTET PËR PENSION PLEQËRIE
Mosha
- Certifikatë lindjeje me fotografi.
- Certifikatë e gjendjes familjare.
- Certifikatë martese (vetëm për kërkueset femra).
- Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës, apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje.
- Fotografi për librezën e pensionit.
Periudha e sigurimit dhe lloji i punës
- Libreza e punës.
- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
- Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
- Vërtetim i vjetërsisë në punë në koopertivë bujqësore për ish-anëtarët e saj, para vitit 1992.
- Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
- Për personat që përfitojnë nga ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinëdhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”:
- Dëshmi penaliteti.
- Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
- Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuarnga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Të ardhurat
- Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar.
- Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës.
- Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.561,datë 12.8.2005.
p.k/ dita
