Çdo person i siguruar ka të drejtë që të përfitojë nëpërmjet skemës së sigurimeve shoqërore edhe të ardhura nga papunësia. Marrja e kësaj pagese kushtëzohet nga plotësimi i tre kritereve që kanë të bëjnë kryesisht me derdhjen e kontributeve për një afat të caktuar, regjistrimin pranë zyrave të punës, si dhe mosmarrjen e pagesave të tjera që rrjedhin nga zbatimi i ligjit të sigurimeve shoqërore. Referuar këtyre kushteve, personat e siguruar përfitojnë të ardhura papunësie, në rast se kanë kontribuar në sigurimin shoqëror jo më pak se 12 muaj për çdo rast përfitimi dhe janë vërtetuar nga zyra përkatëse e punës se janë punëkërkues të papunë, të gatshëm të punësohen kur iu ofrohet një punë e paguar, e përshtatshme, si dhe pranojnë të kualifikohen, ose të rikualifikohen në programet përkatëse të ofruara nga këto zyra. Kushti i tretë i detyrueshëm për sigurimin e këtyre të ardhurave është fakti se këta persona nuk duhet të jenë duke marrë përfitime të tjera nga ligji i sigurimeve shoqërore, me përjashtim të pensionit të pjesshëm të invaliditetit. Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se sigurimi i papunësisë mund të paguhet edhe në rastet e pjesëmarrjes në programet speciale publike shtetërore e lokale, me kusht që ai të mos marrë më shumë se paga minimale mujore.
Koha e përfitimit të pagesës së papunësisë
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, të ardhurat nga papunësia zakonisht mund të sigurohen për një periudhë një vjeçare. Megjithatë në disa raste të caktuara mund të aplikohet edhe shtyrja e afatit të përfitimit të këtyre të ardhurave, deri në dy vite. Konkretisht, e ardhura e papunësisë paguhet deri në 12 muaj, sipas përcaktimit të vendimit të Këshillit të Ministrave. Për personat që punësohen me ndërprerje gjatë periudhës 1-vjeçare të përfitimit të papunësisë, afati i saj mund të shtyhet deri në 2 vjet, por me kusht që gjithsej të mos përfitojnë më shumë se 365 ditë kalendarike. Ndërsa për personat që ndjekin kurset e kualifikimit dhe të rikualifikimit, bëhet e ditur se mund përfitojnë pagesën e papunësisë gjatë gjithë kohës së zhvillimit të kurseve, në rast se nuk paguhen për këtë periudhë, por jo më shumë se 6 muaj tej afatit 1-vjeçar të përfitimit të papunësisë. Këtë të drejtë e gëzojnë edhe të siguruarit gjatë kohës së përfitimit të barrëlindjes dhe të pensionit të plotë të invaliditetit.
Caktimi i pagesës
E ardhura nga papunësia përcaktohet si një shumë bazë që siguron të paktën një nivel jetese minimale çdo vit e indeksuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, lidhur me llogaritjen e indeksit të çmimeve të mallrave të zgjedhura. Niveli bazë i kësaj pagese gjithashtu vendoset nga Këshilli i Ministrave.
Të ardhurat shtesë të papunësisë
Në rast se përfituesit e kësaj pagese kanë fëmijë në ngarkim, ata kanë të drejtë që të sigurojnë edhe një shtesë. Lidhur me shtesën që marrin këto kategori bëhet e ditur se: “Përfituesi me fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç do të marrë një shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të të ardhurave nga papunësia, por jo më tepër se 30 për qind. Kur njëri nga prindërit është në marrëdhënie pune, ose merr pension të plotë, shtesa reduktohet në masën 50 për qind.
Kushtet e përfitimit të të ardhurave
Personi i siguruar që e ka plotësuar periudhën e kërkuar të sigurimit, si dhe gjithë personat në ngarkim të atij që vdes, të cilët nuk kanë plotësuar moshën ose nuk plotësojnë kushtet e tjera për pension, kanë të drejtë të marrin pension kur të plotësojnë moshën ose kushte të tjera të kërkuara. Ndërsa personat që i kanë përmbushur të gjitha kushtet, por jo atë të paaftësisë, marrin pension, pasi të provohet se janë të paaftë për punë. Lidhur me kushtet e përfitimit të të ardhurave në ligj saktësohet se edhe bashkëshorti pasjetues që bëhet i paaftë për punë pas 10 vjetëve nga vdekja e bashkëshortit, nuk ka të drejtë për pension familjar.
Indeksimi i përfitimeve
Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.
Përllogaritjet
Përfitimet afatshkurtra për degët e sëmundjes, barrëlindjes dhe aksidenteve në punë për personat e punësuar, do të llogariten nga qendrat e punës, kurse për personat e tjerë ekonomikisht aktivë, nga zyrat lokale të sigurimeve shoqërore. Përfitimet afatshkurtra për papunësinë caktohen nga zyrat e punësimit. Dokumentacioni, kriteret dhe procedurat e caktimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa pensionet do caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumenteve të plota e të sakta për pension.
Të ardhurat nga papunësia mund të sigurohen kur përfituesit :
- Kanë kontribuar në sigurimin shoqëror jo më pak se 12 muaj për çdo rast përfitimi.
- Janë vërtetuar nga zyra përkatëse e punës se janë punëkërkues të papunë, të gatshëm të punësohen kur iu ofrohet një punë e paguar, e përshtatshme, pranojnë të kualifikohen ose të rikualifikohen.
- Nuk marrin përfitime të tjera nga ky Ligj, me përjashtim të pensionit të pjesshëm të invaliditetit.
- Sigurimi i papunësisë mund të paguhet edhe në rastet e pjesëmarrjes në programet speciale publike shtetërore e lokale, me kusht që ai të mos marrë më shumë se paga minimale mujore.
