Kur nderohet Zija Çela

Ornela

Nga Namik Dokle

Më telefonoi një miku im i mirë, koleg i publicistikës dhe letërsisë.
“Zija Çela u nderua me çmimin “Rexhai Surroi” në Kosovë”, më tha i ngazëllyer.

“Edhe çmimi u nderua nga Zija Çela”, i thashë unë, që ende nuk kam mundur të shkëputem nga replikat. Dhe vërtetë, çmimi “Rexhai Surroi” për letërsi dhe publicistikë, që këtë vit pati edicionin e tij të dhjetë, është një nga më seriozët në Kosovë dhe mban emrin e një intelektuali, publicisti e diplomati të shquar.

Grupi Koha që e ndan këtë çmim ka nderuar gjithnjë emra të shquar të letërsisë dhe të publicistikës shqiptare, si Ismail Kadare, për të mos u fut në emra të tjerë. Dhe tashmë, në kurorën e këtij çmimi është shkruar edhe emri i Zija Çelës, që vërtetë e nderon prestigjin e këtij çmimi të hapësirës sonë mbarëkombëtare. Prandaj unë dhe kolegu im që ma përcolli lajmin, e shumuam ngazëllimin edhe më shumë kolegë të tjerë të letrave.

Është një ngazëllim i veçantë ky, kur një shkrimtar, e ke apo nuk e ke mik, nderohet për veprën e tij. Ashtu e ndjeva këtë edhe në fjalën e kryetarit të jurisë, shkrimtarit të shquar Kim Mehmeti, i cili tha: ”Romani ‘Ora e zooparkut’ i Zija Çelës, do t’i rezistojë kohës dhe do të mbetet në arkën e pasurisë kulturore.” (Ndoshta është edhe një rastësi e bukur që kryetari i jurisë, në dhjetë vjetorin e këtij çmimi, është fituesi i tij i parë)

Romani “Ora e zooparkut” shënon një kulm në krijimtarinë romanore të Zija Çelës. Me këtë libër, si edhe me më të mirët e letërsisë sonë të viteve të fundit, proza jonë arrin të bëhet proze e gjithëpërfshirjes artistike, e transformimeve të mëdha narrative, e qëndrueshmërisë artistike dhe e depërtimeve të reja në botën njerëzore, në atë botë paralele, që vetëm një letërsi serioze mund ta krijojë.

Ka shumë arsye që e bëjnë librin “Ora e Zooparkut” një roman të madh. Është “një vepër tjetër e shkëlqyer, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale…”, është shprehur kritiku Mehmet Kraja, një nga njohësit më të mirë të veprave të Zija Çelës. Sigurisht, Kraja e mbështet dhe e argumenton në një analizë tepër serioze këtë përfundim dhe ka plotësisht të drejtë, por unë do të veçoja një ndër të gjitha: fuqia përgjithësuese e metaforës. Realiteti nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, thotë Antonio Tabucchi. Dhe Zija Çela, çdo realiteti që përshkruan, i mvesh artistikisht metaforën, që rrallëkush si ai e krijon. Të tillë janë të gjithë romanet e tij, në dhjetëvjetshin e fundit, sidomos. Por shijen dhe drithërimën e metaforës më të fuqishme, mua ma ka ofruar pikërisht kjo vepër e nderuar në Prishtinë.
Është interesante të kuptosh se si ngjizet një vepër në vetëdijen dhe nënvetëdijen e autorit.

E pata pyetur një herë Zijain, duke pirë nga një Metaksa te Ylli, si të erdhi kjo temë, çfarë të ngacmoi. “Ishim diku, në breg të Erzenit, një grup shkrimtarësh e të tjerë intelektuale, të ftuar nga një grup natyrëmbrojtësish. Ku banoni?- pyeta një kolege. Afër kopshtit zoologjik, më tha. Pse nuk shkruan një roman, Ora e zooparkut, për shembull…” Kaq ishte. Asaj i dha idenë, por farën e romanit e mbolli në vetëdijen e tij. U deshën 7-8 vjet që kjo farë të mbinte, kohë gjatë së cilës ai i dha letërsisë romanet “Sos, një buzëqeshje”, “Goja e botës”, “Apokalipsi sipas shën Tiranës”, dhe “Arqipelagu Spiritus”.

Njëri më i mirë se tjetri, madje kur e mendon dhe pyet, çfarë tjetër mund të shkruajë, ai të befason me romanin pasardhës. Dhe është për t’u thënë; kur ai jep autografe për librin e sapobotuar, dijeni, mendon ose ka filluar romanin e ri. Pak ditë para se të nisej për në Prishtinë që të merrte çmimin, sapo i kishte dhënë dorën e parë romanit të ri. Me siguri do të na befasojë përsëri, si gjithmonë.

Por unë dua të ndalem edhe një herë të metafora e fuqishme e Zooparkut. Tashmë me fjalët e vetë autorit:” Në kopshtin zoologjik të kryeqytetit shtohen kafazët, po pakësohen kafshët. Atëherë lind ideja që në to të hyjnë njerëz, që fillojnë të kafshërojnë,…ulërijnë,… hungërijnë,…Pyetja thelbësore është: pse ndodh kjo? Ka një dallim mes njeriut dhe kafshës. Njeriu, thuhet, ka ndërgjegje, ndërsa kafshët nuk e njohin pyetjen pse. Pse ndodhi kështu, apo pse e bëra unë këtë, pse rashë në korrupsion, përse kreva krim.

Këta tipa njerëzish që shkojnë në kafaze u përkasin të gjitha shtresave, nga më të ulëtat deri te intelektualët dhe politikanët. Shkojnë pikërisht për të fshehur fajet e tyre, për të mos pyetur veten pse e bëra, kur e bëra, për t’iu fshehur ndërgjegjes së tyre.” Natyrisht, duke zbritur në humnerën e mosndërgjegjes!

Por për Zija Çelën ekziston një “trini e shenjtë”, të cilës askush nuk mund t’i ikë dot: E vërteta, vetja dhe vdekja.(3V) Prandaj, siç ka shkruar akademiku Ali Aliu, “Nga e tërë kjo, Zija Çela krijon një metaforë të përsosur, përmes së cilës, realitetin e sotëm e vendos si dëshmi dhe kurorëzim të krejt asaj që rrëfehet në roman dhe në kopshtin zoologjik të njeriut tonë e të botës sonë…”

Për ta mbyllur me një njeri të thjeshtë, që e uron shkrimtarin me këto fjalë: ”Ti shkruan jetën. Dhe askush si ti.”
Urime, Zija Çela! Presim befasi të reja…

Share This Article
3 Comments
  • Hikni mer rrace nastradinash ,kur pretendoni te boni edhe letersi ju .Ju kudo shkelni arrrini te kunderteten e asaj qe pretendoni .SHifeni ci bot ktij vendi kto 27-vjet .tru primitive
    muslimani sdi as me parku makinen jo .rrac debilash qe late name me idiotizmat tuaja pafund e po budallepsni ate popull

  • Kam lexuar tregime te Zija Celes, qe jane shume te mira. Per romanin ne fjale, me te cilen eshte nderuar me kete cmim, me kane thene fjalet me te mira, por, kur kam lexuar dikur romanin “Sos, nje buzeqeshje”, jam zhgenjyer. Stergjatje dhe i mersitshem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *