Nuk më vjen keq për Rroshin e Kavajës, pavarësisht se i ka ndërruar asaj faqen e ka punuar më shumë se çdo kryetar paraardhës. Në rast se ka kryer krim duhet të paguajë. Mosha është tjetër gjë. Në fakt mua më duket jo parimore që një person pasi ka kryer një vepër penale në moshën minorene t’i hiqet e drejta për t’u zgjedhur në organe drejtuese. 20 vjet mund të ndryshojnë shumë gjëra në mentalitetin e njeriut. A nuk ndryshoi Sali Berisha nga komunist oborri në antikomunist të “tërbuar”? E në kohën kur u zgjodh në krye të shtetit kishin kaluar vetëm pak muaj nga dorëzimi i teserës së regjimit. Ajo teserë në përmbajtje të funksionimit të sistemit deprimues që përfaqësonte përbënte një element pabesueshmërie. Bile edhe me funksione partiake e doktor familjar i diktatorit. Kur ndryshoi ky, e përse jo të tjerë? Megjithatë, meqë u vendos si ligj, le të zbatohet. Si vend unik në llojin e vet, përse mos të ketë edhe ligje unike? Kapak e tenxhere! Megjithatë mua më shqetëson tjetër gjë. Mund të më quajnë ekstremist, por unë mendoj se është më mirë një ish-i dënuar që punon e nuk vjedh taksat e djersës, se një “pa njollë” që nuk bën asgjë e për më tepër vjedh si derr. Përpos kësaj duke u marrë me vitet e shkuara harrohet me qëllim ajo që ndodh sot. A nuk është evidente stërzgjatja e reformës së shumëpritur? Bile për takimin e nivelit të “yjeve” dha “bekimin” edhe doktor-oborri. A thua se komisionet dy paleshe nuk marrin “urdhra” nga shefat! Shou i pastër mediatik. Po pas takimit ç’do të ndodhë? Jua them unë jue. Përsëri në komisione e përsëri pa e kryer atë “dreq reforme”. Nuk besoj se edhe për këtë është fajtor “minoreni” Rroshi. Po kush atëherë? Nga Profeti
Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
