Çështjet, që aktualisht shqetësojnë më shumë qytetarët evropianë, janë imigracioni (45%) dhe terrorizmi (32%). Kjo konfirmohet nga të dhënat e anketimit të fundit të Eurobarometër 2016, i publikuar vetëm disa ditë më parë. Evropianët vazhdojnë ta konsiderojnë imigracionin dhe terrorizmin gjithashtu si sfidat kryesore, me të cilat BE duhet të përballet. Imigracioni zë shqetësimin kryesor në të gjithë vendet e BE-28, me përjashtim të Spanjës dhe të Portugalisë. Por, sa real është ky shqetësim në lidhje me imigracionin dhe si ndryshon realiteti nga perceptimi ?
Do të ishte një sondazh i Ipsos, i publikuar gjatë muajit dhjetor (“Rreziku i Perceptimit”), që do
të shfaqte një realitet krejtësisht të kundërt me atë çka perceptojnë qytetarët evropianë, në lidhje me imigracionin në vendet e tyre. Rëndom, në vendet evropiane, ky imigracion konsiderohet shqetësues, sidomos ndaj myslimanëve. Por, sondazhi pasqyron një situatë krejtësisht të përmbysur, ku perceptimi bie ndesh me realitetin, pasi në shumë vende evropiane qytetarët e mbivlerësojnë në mënyrë të konsiderueshme prezencën e popullsisë myslimane në vendet e tyre.
Franca zë vendin e parë në këtë hierarki të gabuar perceptimesh. Qytetarët francezë mendojnë se, 31% e qytetarëve në vendin e tyre janë myslimanë, ndërkohë që të dhënat zyrtare tregojnë një nivel prej vetëm 7,5%. Qytetarët gjermanë kanë të njëjtin perceptim, se në vendin e tyre popullsia myslimane është në një nivel prej 31%, ndërkohë që shifrat zyrtare e pasqyrojnë në një nivel prej 6% prezencën e kësaj popullate në territorin e tyre. Qytetarët holandezë mendojnë gjithashtu se 26% e qytetarëve janë myslimanë, kur ndërkohë ky nivel është vetëm në 6%. Italianët mendojnë se 20% e popullatës së tyre është myslimane, ndërkohë që ky nivel shfaqet vetëm në 3%. Në këtë renditje nuk bën përjashtim as Belgjika, ku qytetarët e saj perceptojnë se 23% e belgëve janë myslimanë, ndërkohë që niveli i tyre është vetëm 7,5%. Perceptimet në tërësi, shfaqen gjithashtu në një nivel shumë të lartë në lidhje me tendencën e evoluimit të imigracionit në vitet e ardhshme.
Shqetësimi kryesor i qytetarëve evropianë në lidhje me imigracionin duket se është i pabazuar, në rast se i referohemi sondazhit të Ipsos, ku perceptimet e tyre shfaqen të gabuara në përqindje të larta, përballë realitetit të fakteve.
Por, njohja me faktet, është rruga e vetme, që çon drejt dijes dhe ndihmon daljen nga perceptimet e gabuara mbi realitetin. Ne besojmë se e njohim botën, ashtu siç është në realitet, por në fakt nuk kemi veçse një qasje të kufizuar të perceptimit mbi të. Dhe ky perceptim, nuk është realiteti konkret. Kjo do të ishte dhe forca e alegorisë, që do të përdorte një prej filozofëve të hershëm si Platoni, me Mitin e Shpellës. Aty, ku të burgosurit e lidhur me zinxhirë, nuk mund të kthenin dot kokën për të parë hyrjen e Shpellës (realitetin), por përpiqeshin ta perceptonin këtë realitet nëpërmjet hijeve, që pasqyroheshin në muret e saj. Pra, duke marrë për reale, atë që në fakt nuk ishte veçse reflektim i i deformuar i një imazhi, ata ishin të zhytur në një iluzion tërësor. Dhe distanca mes realitetit dhe perceptimit, korrespondon me shkallët e ndryshme të njohjes, që zotërojmë.
Alegoria e Platonit është e hershme, por problematika që ajo pasqyron vazhdon t’i qëndrojë aktualitetit të dijes njerëzore, mes perceptimit dhe realitetit; pengesave simbolike (zinxhirët) që nuk lejojnë njohjen me të vërtetën; shkëputja nga errësira (i burgosuri që del nga Shpella) dhe verbimi i Diellit (forca e dijes që të ndriçon); vuajtja, që shkakton realiteti i dijes (dëshira për t’u rikthyer në errësirën e Shpellës) dhe tallja me të ndriçuarin nga të paditurit e Shpellës.
Imigracioni për qytetarët evropianë, vazhdon të ngelet shqetësimi kryesor, duke kryesuar mbi çdo shqetësim tjetër. Por, realiteti nuk shfaqet shumë i bazuar, pasi shifrat konfirmojnë se ky imigracion ngelet në nivele të ulëta, sidomos nëse e krahasojmë me imigracionin e organizuar që njohin vende si SHBA, Australi dhe Kanada. Por, transformimi i fakteve, fryrja dhe ekzagjerimi i tyre, shfaqet i organizuar në forma politike, dhe e gjejmë të pasqyruar thuajse në të gjithë ngjyrat e përfaqësimeve politike. Është ky transformim i realitetit, retorika dhe demagogjia politike, që ndikon në formimin e perceptimit të gabuar tek qytetarët evropianë, në lidhje me prezencën e imigrantëve myslimanë në territoret e tyre. Ekstremistët e djathtë, e kanë bazë të platformës së tyre ideologjike, konsiderimin e të huajit si rrezik i lartë për kombin e tyre. E djathta tradicionale, e ka shndërruar gjithashtu imigrantin, në një platformë goditëse, me shpresën se mund të rikuperojë elektoratin, që i ka rrëshqitur drejt ekstremit të djathtë. Ndërsa e majta tradicionale, mbrojtëse e ideologjisë humaniste, e ka nxjerrë përkohësisht nga axhenda e saj politike, mbrojtjen pa kompromis të një prej kategorive më të sulmuara dhe më të dobëta. Aktualisht po jetojmë në epokën ku i braktisur në formën më të pastër, imigranti konsiderohet “parazit dhe morracak” në Poloninë e Kaçjinskit, “kriminel dhe i padobishëm” në Hungarinë e ultra-konservatorit të djathtë Orban, por edhe “i rrezikshëm dhe se duhet survejuar” në Sllovakinë e Ficos, i njohur ndryshe edhe si “Orbani i së majtës evropiane.”
Askush nuk flet për nevojën dhe dobinë e një kategorie, që kontribuon në ekonominë e një vendi. I vetmi vend, që po përballet me dinjitet në politikat e migrimit, ngelet Gjermania, pavarësisht se po sulmohet nga të gjitha palët dhe me koston e humbjes së një mandati të ri qeverisës. Kjo përballje po vazhdon, edhe pse klasa politike në Gjermani, nuk po arrin të bind dot, opinion publik gjerman mbi atë, çka i sugjeronte Këshilli i Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane mbi Migrimin dhe Integrimin në raportin e tyre vjetor (SVR-2015), domosdoshmërinë absolute në rritje që ka vendi për migrantë dhe bindja e nevojshme e popullatës gjermane, mbi përfitimet që do t’i vijnë vendit, nga një prurje apo fluks migrimi.
Im.Ta.
DITA
