“Kush mendon se rotacioni politik i sapondodhur përbën një aspekt të jashtëzakonshëm dhe jo normal, është o naiv o cinik” u shpreh Preç Zogaj gjatë njërës prej maratonave televizive post-zgjedhore. Me gjithë respektin që kam për publicistin Zogaj po rrezikoj të etiketohem si i tillë (shpresoj naiv dhe jo cinik) dhe po ofroj disa argumenta se si rezultati i kësaj beteje elektorale është jo vetëm anormal por thuajse historik.
Të dielën e shkuar “zëri i sovranit” ishte aq kumbues dhe i qartë brenda fshehtësisë së kutive të votimit sa i mekur dhe i zbehtë gjatë katërvjeçarit nën dorën e hekurt të Sali Berishës. Le të nisemi nga një fakt që vetëm hipokritët (apo përfituesit) e mohojnë: Shteti shqiptar aktualisht është i privatizuar. Çdo ingranazh i makinerisë publike, pavarësisht rëndësisë apo vendndodhjes, funksionon në bazë të urdhrave partiake. Partia-shtet u bë realitet sa hap e mbyll sytë si në një makth të tmerrshëm ciklik.
Të pafund janë shembujt e dukurisë në fjalë, si paraqitja me detyrim të punonjësve publikë në zyrat elektorale të Partisë Demokratike apo boshatisja e shkollave për mbushjen e mitingjeve qeveritare. Më preku tejmase rasti i një fqinjit tim, arsimtar prej 43 vitesh dhe tanimë në prag të pensionit të shumëmerituar. Gjatë çdo mitingu të partisë-shtet në Tiranë, sheshi “Nënë Tereza” ndahej në seksione dhe me një buzëqeshje të ngrirë, sa herë që shëtisnim pranë fast-foodit “Kolonat”, fqinji im më thoshte gjithmonë se “ky është vendi im, shtrëngoj dorën e shefit të Drejtorisë arsimore të rrethit, shënoj emrin në listë dhe i vrerosur kthehem në shtëpi”.
Në të kundërt do pushohej direkt nga puna, pa shpjegime, pa mbrojtje ligjore, pa dinjitet. Ky është sistemi dhe sjellja ndaj shërbyesve të ndershëm të shoqërisë. Duhet të hapim sytë dhe ta pranojmë. Qoftë dhe vetëm për të mos ta përsëritur.
Por momenti më kulminant i privatizimit të shtetit shqiptar u arrit në 22 janar të 2011-tës. Me të drejtë në kujtesën tonë kolektive janë ngulitur vrasjet tmerruese të katër personave që po protestonin me duar në xhepa jashtë gardhit të kryeministrisë. Krismat, sharjet, rrahjet, flakët përbëjnë një njollë të zezë në historinë e shkurtër pseudo-demokratike të Shqipërisë. Por akoma më i zi ishte veprimi i kryeministrit i cili, siç e pranoi edhe vetë pa komplekse, nuk lejoi ekzekutimin e 6 urdhër-arresteve të lëshuara nga prokuroria për gardistët e dyshuar për vrasje. Policia e shtetit, nën direktivat e Berishës, shkeli nenin 33 pika 3 të kodit të procedurës penale (“oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore janë të detyruar të zbatojnë urdhrat që u janë caktuar nga prokurori”) kurse vetë kreu i qeverisë shkërmoqi themelin e Republikës, nenin 7 të Kushtetutës, i cili parashikon “ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Pra në emër të puçit imagjinar, shteti privat i Sali Berishës zgjodhi me vetëdije të plotë kë të arrestonte dhe kë jo.
Nëse vëzhgohet me ftohtësi se çfarë ka ndodhur në katër vitet e fundit, mund të kuptohet lehtasi trysnia, presioni, ankthi që shteti i PD-së ka ushtruar dhe shkaktuar mbi qytetarët. Ja përse rezultati i këtyre zgjedhjeve është “epokal” (për të përdorur fjalët e ambasadorit Arvizu). Sepse vullneti popullor kapërceu gjithë pengesat e vendosura nga një grup personash të gjithëpushtetshëm dhe u imponua me votë demokratike. Gjykoj se jemi përballë një evolucioni të qënësishëm të shoqërisë shqiptare e cila qartazi nuk duron dot më autokracinë e një sistemi piramidal ku respektohet vetëm fjala e “njëshit” dhe jo parashikimet ligjore. Lideri i padiskutueshëm jo vetëm që humbi thellësisht, por “u kap prej zhelesh” siç do të thoshte nëpunësja e tij Topalli. Sovrani mbylli një kapitull me të shkuarën, ndëshkoi Berishën dhe berishizmin duke shkundur pluhurin e frikës nga supet dhe paralajmëroi kryetarët e së ardhmes se privatizimi i fatit të tyre nuk do tolerohet më. Shqiptarët u zgjuan. Më në fund.
*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika “Europa”, çdo të shtunë në DITA. Shkruajini autorit në [email protected]

Do t’i rekomandoja TV TOP-CHANNEL,te shpalle NON GRATA gebelsianet antishqiptare H.Cili,A.Hoxha,L.Dervishi,F.Cupi.A.Zheji etj. se kane qene TURPI i gazetarise!
Po ata pseudolntelektualet servila te greko -vicit saleh qe firmosnin peticione kunder edi rames nga behen nevojtoret pse su ndihet me fryma te pafytyreve.
Nje gje me ben pershtypje me keta fytyra , qe eshte pak ti quash te ndyra. si nuk njohin reflektimin.Ne cdo lloj nisme, apo aksioni politik, ku je perfshire dh je investuar, dhe tek e cila ke besuar fort deri ne minuten e fundit… ne pritje qe populli te besoje ty apo alternativen tende,pikerisht atehere qe ajo sheh deshtimin e saj …pikerisht atehere duhet te Heshtesh dhe te reflektosh.Keta jane vertet Buçe te ndezura per nderzim, nuk njohin asnje peng, asnje keqardje, asnje refletim, vetem flasin duke peshtyre mbi cdo gje , e aq me tepr mbi nje aritje te madhe sic ish verdikti popullor i 23 qershorit