Ndër reagimet me përmbajtje cinike mbi vizitën e Papës të dielën, ishte ajo për pjesëmarrjen hipotetike të shumë ateistëve në të ashtuquajturën Meshë të Shenjtë, të njerëzve që as që pyesin fare për Zot, por që puna ua do që të shtiren sikur po rrëfehen e pendohen për mëkatet e tyre: Politikanët, pra! Por kjo lloj turlie e pashmangshme, një ditë ishte. Çështja ështe se rregullisht, ligjërimet e politikës përfshijnë brenda tyre në kontekste të caktuara edhe terma fetarë; e aty bëhet çorbë fare muhabeti, siç Nishani na e ka treguar zemërgjerësisht disa herë. Sepse çdo fushëveprim njerëzor ka fjalorin e vet që duhet njohur, kuptuar, e më pas të përdoret siç duhet. Fjala vjen, kryeministri Rama deklaron: “Nuk jemi vend mysliman, por vend europian, me myslimanë e të krishterë”. Dikotomia e përdorur në këtë rast, nuk vlen. Europianizmi duhej potencuar karshi kategorisë së njëjtë përballë saj: Aziatizmi, (në një tjetër variant, Perëndimi ndaj Lindjes), i cili asesi nuk ka bosht fetar, por është një përzierje besimesh të ndryshme, ideologjish e identitesh të shumëllojta nacionale dhe etnike. Eshtë e vërtetë që ne nuk jemi vend mysliman, por me një shumicë myslimane; ngase referuar terminologjisë fetare, vend mysliman konsiderohet dhe i që aplikon Sheriatin si sistem, që në këtë vështrim, as Turqia nuk konsiderohet e tillë; përkundrazi, mund të konsiderohet krejt perëndimor, nëse nisemi nga sistemi politik që aplikon. Rama duhej të thoshte se gabojnë ata që na konsiderojnë vend ‘të myslimanëve’ e jo ‘mysliman’ (fjala është për segmente politike e mediatike të huaja), ndërkohë që jemi një vend europian, me myslimanë e të krishterë. I njëjti gabim bëhet dhe kur provokohet me dikotominë tjetër Fe-Atdhe. As kjo nuk vlen. Eshtë si të fusësh të luajnë përballë njëri-tjetrit një ekip volejbolli me një ekip futbolli, ku e përbashkëta është topi dhe veshjet sportive, siç tek Feja ka atdhe e siç tek Atdheu ka fe, por jo për të garuar.
