Të mësuar me kremtimet butaforike që Partia Demokratike ka bërë për 22 vjet me radhë për fitoren që arriti në zgjedhjet e 22 marsit 1992, ky përvjetori i 23-të ishte më se i trishtueshëm për atë grupim njerëzish që kanë mbetur brenda asaj kupole.
Nga ato tubimet e zhurmshme të dikurshme nuk ka mbetur thuajse asgjë. Disa herë Berisha ka tentuar në të kaluarën ta fiksojë 22 marsin si festë kombëtare në kalendarin tonë historik. Dje mbase ka thënë me vete se më mirë që nuk u fut kjo festë në kalendar. Sepse nga ajo që ndodhi 23 vjet më parë, gjithçka i ngjan një jehone tejet të largët. Nuk është vetëm fakti që PD ka harruar të bëjë adetin e 22 marsit. Çështja është ku e ku më e thellë. Është tek mendësia tiranike e antidemokratike që ka sunduar dhe vazhdon të sundojë në atë parti. Është bjerrja e llahtarshme e idealeve saqë idealistët e vërtetë që besuan dhe shpresuan tek ajo parti, kush më herët e kush më vonë ikën nga sytë këmbët. I patundur aty ka mbetur vetëm Berisha. E ai, u mjaftua me një mesazh në Facebook për këtë ditë.
Unë kam qenë dëshmitar i afërt i asaj që ndodhi në 22 marsin e ’92-shit dhe këtu do të tregoj se si e kam përjetuar dhe përcjellë atë ngjarje.
22 mars 1992
Më 22 mars u krijua përshtypja se historia e Shqipërisë u nda në mes. Dhe, sipas logjikës së fitimtarëve, kjo ndarje donte të thoshte se ky vend që kishte një të kaluar të errët e të mallkuar, tashmë e priste një e ardhme shumë premtuese, e sigurt, e lumtur. Pas gjysmë shekulli sundimi të komunistëve, për herë të parë po vinin në pushtet të djathtët. Si do ta administronin demokratët fitoren, sa do ta justifikonin besimin dhe mbështetjen që u ishte dhënë brenda dhe jashtë Shqipërisë? Sepse shanset, përveçse nuk janë të rastësishëm, nuk janë as të shpeshtë…
Ndaj dhe të gjithë këta njerëz vinin dhe uronin Berishën për fitoren. Gazetarë të huaj vinin dhe i kërkonin intervista. Ata ishin amerikanë, italianë, grekë, francezë, anglezë etj.
Dikur, afër mesnatës, në zyrat e PD-së erdhi edhe Elez Biberaj dhe, ndërsa e uroi Berishën për fitoren, bëri edhe fotografi me të para Flamurit Kombëtar pa yllin e kuq mbi shqiponjë, të cilin Berisha e mbante përherë në zyrë në një kënd të saj.
Ndërkaq vazhdonin të komunikoheshin rezultatet e rretheve njëri pas tjetrit dhe njerëzit brohorisnin e këndonin pareshtur përjashta. Dukja e Berishës në dritare, i cili nuk fliste, por thjesht ngrinte dy gishtat lart, mjaftonte dhe njerëzit ekzaltoheshin në çast e fillonin nga brohoritjet “Liri – Demokraci” apo “Sali Berisha! Sali Berisha!”.
Nata e fitores
Në mesnatë, kur duket se telefonat u ngjirën së njoftuari për rezultatet nga rrethet dhe kur të gjithë u bindën për fitoren e sigurt dhe të thellë të Partisë Demokratike, Biberaj më tha se do të ishte mirë t’i merrja një intervistë a një mesazh Berishës për programin e mëngjesit.
Pas pak minutash Berisha ishte gati dhe, pasi u vendos një farë qetësie, ai deklaroi kështu për Zërin e Amerikës:
“Dita që gdhin, gdhin si dita e fitores së madhe të mbarë kombit shqiptar mbi ideologjinë toksike komuniste, mbi diktaturën e cila i kushtoi këtij vendi më shumë se çdo vendi tjetër në Europë.
Këtë ditë, shqiptarët me fitoren e thellë që realizuan, treguan edhe një herë besimin e madh që ata kanë te demokracia. Dhe është detyrë e forcave politike, e intelektualëve që, këtë energji të madhe të këtij populli, këtë besim që ka te demokracia, ta orientojnë drejt ndërtimit të një të ardhmeje demokratike të sigurtë për Shqipërinë.
Në këtë luftë dhe përpjekje, e cila nuk do të jetë e lehtë, është e nevojshme që asnjë sasi e kësaj energjie të mos konsumohet duke u marrë me të shkuarën, por vetëm me ndërtimin e demokracisë. Kjo, me këtë rast nuk duhet të justifikojë aspak të shkuarën. Përkundrazi, duhet ta dënojmë atë. Por mendoj se mënyra më e mirë e dënimit të saj është ndërtimi i një shoqërie të vërtetë demokratike. Shqiptarët në Shqipëri dhe kudo duhet të synojnë Pajtimin Kombëtar.
Për të gjithë duhet të jetë e qartë se për regjimin që përjetuam jemi bashkëfajtorë dhe bashkëviktima të tij. Dhe këtu, kam parasysh jo vetëm ne që jetuam këtu në Shqipëri, por edhe ata shqiptarë që u larguan për një jetë më të mirë, që u larguan në emër të lirisë. Të gjithë pra, së bashku, duhet të ndjejmë një bashkëpërgjegjësi për ndërtimin e shoqërisë demokratike. Kam besim të plotë se vetëm mbi këtë bazë, mbi njohjen e përgjegjësisë qytetare, do mund të ndërtohet një shoqëri e vërtetë qytetare e integruar në Europën e civilizuar.
Kam besim gjithashtu te Zoti, se ai e ka bekue Shqipërinë gjersa ajo po hyn në rrugën e mbarësisë”.
Një ngjashmëri me 48 vjet më parë
Të gjithë e kishin marrë vesh tashmë fitoren e Partisë Demokratike me mbi dy të tretat e vendeve në Parlament. Gjallëria ishte e jashtëzakonshme. Varganë pa mbarim makinash duke u rënë pareshtur borive, qytetarët e shumtë të hipur në to dhe mbi to tundnin flamujt kombëtar, të PD-së, dhe natyrisht të Amerikës, ndërsa brohorisnin për fitoren. Ata parakaluan si triumfatorë të vërtetë në atë bulevard ku për gati gjysmëshekulli ishin zhvilluar paradat komuniste.
Në mesditë, nën një diell të ngrohtë e gjithë shkëlqim, në Sheshin Skënderbej u grumbulluan më shumë se 100 mijë njerëz në një tubim festiv. I gjithë sheshi dallgëzonte dhe gjëmonte nga hareja e pakufishme.
Dukej se dita e shumëpritur kish mbërritur.
Gëzuar ditën e madhe, ditën e bekue, ditën e bardhë, ditën e parë të demokracisë! – uronte nga tribuna kryetari i PD-së me zërin e ngjirur.
Gazetari i pranishëm që e përjeton dhe fikson një ngjarje të tillë, i thërret kujtesës, bën përqasje, krahasime. Për shembull: Kur ka gjëmuar më shumë ky shesh? Kur mbaheshin kongreset e Partisë së Punës… Ja, në këtë bulevard më 28 Nëntor 1944 kanë parakaluar fitimtarët e Luftës së Dytë, partizanët… Sa krenarë ndiheshin ata dhe sa entuziazëm kishte atë ditë! Sa optimizëm për të ardhmen! Populli brohoriste i papërmbajtur dhe i përshëndeste në një mënyrë origjinale fitimtarët që parakalonin, duke hedhur lule në këmbët e tyre. E atë ditë komandanti i tyre, Enver Hoxha, 36 vjeçar, me gradat e Gjeneralit mbi supe, gjithë shkëlqim dhe elegancë, i përshëndeste ushtarakisht, ndërsa nga tribuna i drejtohej popullit shqiptar me pathos për fitoren:
“Pas kaq luftrash heroike kundër fashizmit, flamuri i kuq i Vlorës, i lyer me gjakun e heronjve të popullit të rënë në këtë luftë antifashiste, valon sot krenar në qiellin e Shqipërisë së lirë…
…Gazetari shkundet nga përfytyrimet, kthehet menjëherë në realitetin ku ndodhet i pranishëm, në tubimin madhështor të triumfit të opozitës antikomuniste. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike vazhdon ligjëratën e zjarrtë:
“Ju që shpartalluat diktaturën, ju do të ndërtoni demokracinë. Rrofshi ju, rroftë populli shqiptar! Sot për të gjithë shqiptarët, për të gjithë demokratët, tingëllojnë aktuale fjalët e Xhon Kenedit: Mos kërko atë çka vendi yt mund të bëjë për ty, por kërko atë çka ti mund të bësh për të!…
Kaq duhej! Në një ditë të shënuar si kjo, kujtimi i Xhon Kenedit, një presidenti të shquar të Amerikës moderne, kishte një domethënie të madhe: Amerika është me ne! A nuk është (ashtu si edhe gjatë fushatës) ambasadori amerikan në krah të kryetarit?!
(Lufta jonë heroike ishte e lidhur ngushtë me luftën e aleatëve tanë të mëdhenj: Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Amerikës – ligjëronte komandanti i fitimtarëve antifashistë më 1944. – … Ushtria e kuqe lavdiplote, e udhëhequr nga strategu i madh i kohërave moderne, Mareshali Stalin… Sot po hapet një faqe tjetër e historisë sonë, një faqe që është në dorën tonë ta bëjmë dhe do ta bëjmë po aq të lavdishme, sa edhe luftën tonë kundër okupatorit, dhe kjo është lufta për rindërtimin e Shqipërisë, për ngritjen e ekonomisë, për ngritjen e kulturës dhe të arsimit të popullit…)
“… Ju garantoj juuu – po thoshte Kryetari i Partisë Demokratike, – se do të luftojmë të kemi një qeveri të ndershmeee, një qeveriii e cila të mos ndahet nga juuu as me vila, as në halle të tjeraaa…”
(Popull shqiptar, – jehonte zëri i Udhëheqësit të komunistëve, – frytet e luftës tënde heroike duhet t’i mbledhësh vetë, se ty të përkasin, ti i ke paguar me gjak. Që të mos na i rrëmbejnë dhe të na i vjedhin hajdutët, spekullatorët, intrigantët dhe politikanët dallaveraxhinj, të grumbullohemi rreth Qeverisë Demokratike … Rroftë Shqipëria e lirë demokratike!).
Turma ishte veçanërisht e gëzuar nga ato që po dëgjonte, thuajse e mrekulluar…
Mbreti vdiq. Rroftë Mbreti!
Në tribunë ndërroheshin oratorët njëri pas tjetrit, udhëheqës të PD-së, sindikalistë, opozitarë etj. Ata ishin protagonistët e asaj dite, ata ishin ngjitur lart dhe, me fytyra të ngazëllyera, gjithësecili përpiqej të thoshte diçka të re, të pathënë më përpara…. Por ata atje poshtë në shesh nuk kishin nevojë për shumë fjalë të mençura, atyre u mjaftonte pak zë i ngjirur, një lëvizje dore në ajër, dy gishta përpjetë, ndonjë parullë si, fjala vjen: “Komunizmi vdiq! Rroftë Demokracia!” (Mbreti vdiq, rroftë Mbreti!), “Rroftë Liria” dhe, ata atje poshtë, tepër të mallëngjyer shpërthenin në “Urraa!” të njëpasnjëshme…
Fitorja e PD-së ishte bindëse dhe e thellë, më e thella në gjithë Europën lindore. Me 92 deputetë, PD do të kontrollonte më shumë se dy të tretat e parlamentit të ardhshëm me 140 vende, duke garantuar një pushtet të fuqishëm dhe të sigurt për katër vjetët e ardhshëm në qeverisjen e vendit. Një fitore kaq e thellë i dha një siguri të madhe Berishës të synonte dhe të arrinte më shumë se parashikimet…
Vëreni me kujdes deklaratën dhënë Zërit të Amerikës në mesnatën e 22 – 23 marsit si dhe fjalimin që mbajti Berisha në sheshin qendror të Tiranës të nesërmen e fitores: Asgjëkundi nuk përmendet Partia Demokratike. (Edhe Enver Hoxha nuk e ka përmendur Partinë Komuniste në fjalimin e 28 Nëntorit 1944). Duket se me të marrë vesh përmasat e fitores, Berisha e zhveshi menjëherë “kostumin” e kryetarit të partisë dhe nxitoi të veshë atë të shefit të shtetit.

Besuam verberisht ne ndryshimin qe do te sillte ky lloj plurarizmi . Besuam dhe prandaj shumica e popullit,te vuajtur nga diktatura , e votoi. Sigurisht ishim te bindur qe s’kishte cek te bardhe, dhe pse si te marre i puthem gomat bejkerit ne sheshin skenderbej, por qe kjo demokraci te ishte nje lloj diktature e re e mbeshtjelle nen kapakun e demokracise,kete apsolutisht s’ e prisnim. Megjithate tani pas 23 vjetesh demomraci , Kemi akoma shume per te bere. Shume personazhe politike te atij mitingu akoma sot Jane lidhur pas nje karrigeje qe s’è leshojne. Koha e ndryshimit ka filluar.
Or’Xhevdet Shehu,kjo dita qe thua ti,pra 22.03.1992,eshte dita ma e erret dhe dita me fatkeqe e popullit dhe q SHqipris.!
po,ashtu kur ti,po mundohesh me krahasue TE,MADHIN ENVER,DHE VITIN 1944,ME bajgen dhe me tradhtarin sebofil sali serb berishen e elez biberajn tregon se edhe ty nuk je forte i ndershem,ne pykpamjet e tua dhe ne menyren sesi mundohesh me krahasue,HERON,me tradhtarin.Kaq,ma shum nuk e shof te arsyshme me harhue fjal per kete qe ke shkrue.
Mesiguri populli e din ma mir se kush eshte HERO,dhe kush eshte tradhtari.
Bravo Xhevi, arkiva e mbushur deng e gazetarit veteran te jep dore tw kombinosh tema e subjekte me personazhet qe ende i mban mbi zverk historia dhe fakiret shqiptare.
Ke ndonje gje me interesante mes kumbarit Biberaj dhe Saloserbit qe shkaterrouan Shqiperine duke e lene nje çerekshekulli me keq nga ata qe shkuan.
Enver Hoxha filloi me ndertimin e vendit dhe goditjen e kundershtareve ndersa Saliu me shkaterrimin e vendit dhe zhdukjen e kundershtareve.