Një çift ka humbur jetën javën e kaluar në Portugali teksa i bënin vetes një foto në shkëmbinjtë Cabo Da Roca. Burri polak dhe e shoqja kanë rënë nga shkëmbinjtë, duke përfunduar në ujërat e oqeanit Atlantik. Trupat e tyre janë nxjerrë një ditë më pas, pasi skuadrat e shpëtimit i ndaluan kërkimet të shtunën për shkak të motit të keq.
Një aksident i tillë është i rrallë, megjithatë duhet thënë se rastet e vdekjeve tragjike për shkak të shpërqendrimit nga pajisjet dixhitale janë në rritje.
Në Europë dhe vende të tjera nuk janë të pakta fushatat për sigurinë publike, të cilat iniciohen nga kompanitë prodhuese të makinave apo agjenci qeveritare.
Një studim i kryer kohët e fundit ka dalë në përfundimin se veprimet manuale ose vizuale (prekja apo shikimi i përqendruar te telefoni smart) e rrit mundësinë e përfshirjes në një aksident rrugor me tre herë.
Një tjetër studim i kryer në Britani konkludon se një në tre shoferë të moshës 18-24 kanë bërë të paktën një selfie ndërsa ngisnin makinën, një veprim që kërkon t’i heqësh sytë nga rruga për rreth 14 sekonda. / G.S.