Sipas Eseninit
Puthmë, moj e dashur, puthmë,
Siç kanë puthur Eseninin,
Kur nga kupa qiellore,
Yjet përmbi buzë i binin!
Puthmë ti, e përvëluar,
Siç ka puthur Shaganeja,
Kur në sytë e mjegulluar,
Porsi vesa tretej reja!
Puthmë me duf e me dhembje,
Gjersa shpirtin të ma marrësh,
Në çengel të puthjes tënde,
Porsi Krishtin të më varësh!
Puthmë fort dhe shtrëngomë,
Nëpër netët e magjishme,
Që pastaj të gjithë të thonë,
“Vdiq nga puthjet e stuhishme”!
Puthmë fort dhe shtrëngomë,
Një sfidë jetë-mizores,
Që pastaj të gjithë të thonë:
“Vdiq nga puthjet e dashnores”!
Puthmë fort dhe shtrëngomë,
Nxirrma shpirtin në një natë,
Që pastaj të gjithë të thonë:
“Vdiq, por do ngjallet prapë!”
Puthmë, puthmë e puthmë prore,
Në mjaltë ktheje pelinin,
Se poeti pa dashnore,
Është si Maji pa lulëzimin!
Puthmë fort dhe shtrëngomë,
Një mijë vite nuk do rrojmë,
Merrma të shkretën firomë,
Puthëm që të na besojnë!
Puthmë dhe lërmë pa mënde,
Te buza hidhma nektarin,
Kush shuhet në buzën tënde,
Ç’e do mjaltin, ç’e do zjarrin!
Puthmë dhe lërmë pa mënde,
Që kur gdhinë e gjersa muget,
Kur shuhem në puthjen tënde,
Vdekja si lodër më duket!
Puthmë fort dhe shtrëngomë,
Duke ikur s’ke se ç’humb,
Ç’është parajsa tregomë,
Bëje natën të pafund!
Puthmë ti, që porsi zjarri,
Të rrjedh gjaku në damarë,
Të rrjedh mjalti dhe nektari,
Si në dashurinë e parë!
Puthmë ti, si në pranverë,
E puth vesa trëndafilin,
Që të ngjallem dhe një herë,
Dhe me këngë ta mund bilbilin!
Gusht 2007

Pena jote bir i nenes,
Pikon mjalt per dashurine,
Se te duash me gjithe shpirt
Boten tere ke ne gishtrinj
Ndaj s’me rrihet mua plakes,
Pa te mburrur ne mexhlis
E ku ka si Beni i Duke,
T’i kendoje dashurise
T’i kendoje asaj te mire
Qe te ben shkabonje me flete
Qe ben zjarr edhe fakire,
Edhe lumin kthen perpjete.
Puthja ! Zjarri qe ndez shpirtin,
si shkrepetima qe ndez qiellin,
pastaj nisin bubullima,
shungullima ,dritherima,
qe harbojne cdo gje per rreth,
mbi dy trupat si termet!”!