Po i ra një gjë në kokë,
mbrapa s’di të kthehet Luli,
a mbani mënd që në çadër,
si mushka këmbët i nguli!
Tri muaj i nguli këmbët,
dhe çdo ditë shfaqej krenar,
çudi si e nxorri Rama,
me një të vockël pazar!
Mendoi e mendoi i ziu,
se gjithë deti u bë kos,
as Iliri-as Saliu,
nuk i thanë Lulashit: “Mos!”
Pas marrëveshjes maratonë,
Luli fort do na krekosej,
dhe mëndja s’i shkonte kurrë,
se aq keq do të fundosej!
Kur u bë keq e më keq,
dhe për turp në sy të Botës,
u mendua-dhe për dreq,
shpiku shitblerjen e votës!
Po këtë askush s’e hëngri,
as dhe shokët e partisë,
se Lulashi kish të vetën,
mbi gjysmën e qeverisë!
Po ne prapë e prapë menduam,
që kish një as ndënë dorë,
gjersa teknikët qëndruan,
me Ramën gjer në Shtator!
Kur nuk pati asnjë shpresë,
foli fort me zë të dredhur,
se Rama e kish gënjyer,
se Rama ja kishte hedhur!
Shitblerja u bë kauzë,
në axhendën Lulishtore,
ndaj e para mbi të parat,
duhej reforma zgjedhore!
Do votohej komisioni,
që ishte dakortësuar,
po Luli desh diskutime,
vjedhjet për të vërtetuar!
I thanë-Lulit-i thanë,
kur ky ish duke bërtitur,
se s’janë bërë kurrë diskutime,
kur komisione janë ngritur!
Dhe Vasili-aleati,
këtë herë s’do ta ndihmonte,
ndaj Lulashi nga inati,
veç muskujt do na tregonte!
Dhe hallall i qoftë buka,
për këtë reformë zgjedhore,
shtatë orë si Oso Kuka,
u ngujua në foltore!
Me këta muskuj të fortë,
me Lulkën jemi mësuar,
ky do ta bëjë të pamundur,
reformën për ta mbaruar!
Me këtë reformë zgjedhore,
duket që po bën shaka,
sepse ligji aktual,
ndihmon partitë e mëdha!
PD-ja s’ka interes,
që sistemi të ndryshohet,
ndaj pa shkuar as në mes,
kjo reformë do sabotohet!
A. Duka
