Në raste të tjera, që nuk janë të pakta, gjithçka do të kishte kaluar me një lajm të shkurtër apo pak më të gjatë në faqet e kronikës së zezë, në varësi sesa interesante janë detajet e vogla të historisë. Për hir të së vërtetës, nuk mbaj mend të ketë kaluar një javë pa lajme vetëvrasjesh: Nga kapërdimja e barit të miut, tek mbytja në lumë, hedhja nga ndonjë kat i lartë apo drejtimi i armës kundër vetes. Edhe për Bardhosh Myrtajn nga Kreshpani i Fierit mund të kishte ndodhur kështu: Nja dhjetë rreshta lajm dhe aq. Por ky myzeqar 22 vjeçar nuk u vetëhelmua me fostoksinë, as u hodh në lumë. Ai zgjodhi për veten plumbin, ashtu si të tjerë patën zgjedhur plumbin për të atin Faik më 21 janar 2011.
Dhe prandaj, nuk kemi më një lajm kronike ndër të shumtët, por një kryetitull politik. Biri i njërës prej viktimave të pafajshme (gjithmonë përdoret ky mbiemër në dukje patetik, por në këtë rast i domosdoshëm) të 21 janarit nuk e duroi dot humbjen e të atit, presionin brenda vetes dhe atë të jashtëm. Bashkëfshatarët e pyesnin gjithmonë, tha një i afërm, “hë, i gjetët gjë vrasësit e babait?” Në shënimin e fundit në facebook, duke anonçuar përmes një kodi jo dhe aq misterioz vendimin e vet final, Bardhosh Myrtaj shkruante se “kishte fituar llotarinë”. Ndryshe, kishte gjetur një vend një qiell, pasi toka i ishte bërë e padurueshme.
Çfarë mund të ketë përjetuar ai këto dy muaj e gjysmë? I ati vendosi të shkonte në Tiranë atë 21 janar, i ftuar nga opozita për të protestuar kundër arbitraritetit dhe hajdutllëqeve të pushtetit. Por Edi Rama deklaroi një mbrëmje më herët se nuk ishte në gjendje ta përmbante zemërimin e popullit. Rrjedhimisht pasdreken e ditës tjetër nuk i vihej dot në ballë turmës së egërsuar. Por Faik Myrtaj dhe tre të tjerët, Hekurani, Ziveri e pak ditë më pas Aleksi, nuk ishin aq “të pakontrolluar”; nuk kishin hunj e ristela në dorë, nuk qëllonin me gurë. Megjithatë plumbi i bëri sa viktima, edhe heronj: Tre foto gjigande në mes të bulevardit qëndror të Tiranës, do të bënin një javë më pas xhiron e botës. Mos vallë Bardhoshi që mezi mbante foton e babait atë të premte gri, ndiente dhe diçka tjetër përveç dhimbjes së thellë? Krenari ndoshta, shpresë se Faiku nuk shkoi kot, se diçka do të ndryshonte dhe se ai e familja e tij, mund ta ndjenin veten si pjesë e diçkaje më të madhe, me kuptim për vendin…ndoshta?
Faik Myrtaj u etiketua puçist nga kryeministri të cilin kryeambasadori e cilësoi burrë shteti, gjaku i tij mesa duket u la “për pak më vonë” nga kryeopozitari që i hyri fushatës elektorale, ndërsa një familje e këputur mbeti pa kryefamiljar. Çfarë përgjigje t’u jepte 22 vjeçari Bardhosh bashkëfshatarëve, ndonjëri syresh edhe dashakeq, që e pyesnin nëse i gjeti vrasësit e babait? Ç’të bënte? Të rrëmbente armën?
Në fakt, atë bëri, por tytën ja drejtoi vetes. Nuk u bë dot i fortë për hir të së ëmës dhe vëllait. Ai me siguri ka parë e lexuar për shumë raste gjyqesh të kësaj natyre në këtë vend, dhe e ka marrë me mend se sa larg ishte gjetja e fajtorit për babanë. Mbase edhe është lemerisur me mendimin se së shpejti, do ta kërkonin të dilte në tubime e protesta, të mbante fjalime si bir dëshmori. Paska ende kësi të rinjsh që nuk e shtyjnë dot jetën me kaq shumë skelete në sirtar. Që nuk e kanë sensin e mbijetesës si ca të moshuar të sotshëm që dikur kanë kërkuar varje në litar për të tjerët, por pastaj iu kushtuan lirisë dhe demokracisë. As sensin e zellit të verbër si ca zyrtarë të rinj që urdhërojnë trupa special anti-krim për të zgjidhur një incident elektoral dhe për t’I vënë flakën vendit.
Bardhosh Myrtaj e zgjodhi llotarinë e vet. Në varrimin e tij, Partia Socialiste u përfaqësua me nivel shumë të lartë. Por të gjithë të pranishmit e heshtur e të vuvosur, duhet ta kenë dëgjuar thirrjen e së ëmës tek varri i të birit, që ta presë se edhe ajo me të vëllanë do t’i bashkohen së shpejti. Kuptohet, familje puçistësh.
Epo në kanë perëndi, nga njëri tubim kundër këtij pushteti “që vodhi votën për të vjedhur shtetin” tek tjetri, partia që shpall gjithë ditën se është “e vetmja rrugë” duhet të gjejë kohë për t’u ndenjur pranë këtyre njerëzve, në të kundërt, ka marrë përfundimisht rrugën e qoftëlargut. Sa për vrasësin e Faik Myrtajt, ai kushedi se nga bredh me kuaj-fuqi. Kështu i ra llotaria.
*Botuar më 20 prill 2011

Nuk mund te beje ndeshkim Ilir Floriri pjese ne qeverine e asaj kohe me Bishen Berisha, i cili si hajdut me ze e me figure doli HAJDUT, por edhe nga i droguari Edi Bojaxhiu nuk kemi se cfare te presim. Me fitoren e qershorit ne 2013 ky halabak beri amnisti per Sali Krimineli dhe zhduku cdo shprese te shqiptareve per te bere drejtesi me kriminelet Sali & CO. Te huajt rrine e veshtrojne na kane kthyer ne kavie laboratori, mjere kush jeton ne Shqiperi.
Ne dime ta perdorim mire internetin per te folur dhe gjykuar kedo qe nga i pari e deri tek i fundit j vendit,nji dite i çojme ne qiell dhe te nesermen ua fusim nga nji te share dhe i zbresim nen dhe. Ndoshta duhet te mesojme nga qytetaret e tjere te botes,te fillojme dhe ta perdorim internetin dhe per te thirrur njerezit ne Bulevard,te ai bulevard ku u vrane 4 te pafajshem dhe per njihere te veteme te mos shkojme mbas politikes apo pjellavae te tyre OJQ.,le te leme takim ne ate bulevard dhe te shkojme para pallateve te Drejtesise,para presidences dhe ne fund para kryeministrise,ne menyre qe ti kujtojme qeverise detyrimin qe ka dhe ne fund te vendosim nga nji lule per ata te pafajshem. Pershendetje .
Me behet qejfi qe ky artikull eshte shkeputur nga libri “BALASHET”, botuar ne vitin 2011 dhe i eshte derguar kesaj gazete 3 muaj me pare per te botuar pjese… te atij libri.
Po sikur kryeministri i sotem dhe kryeopozitari i djeshem te behet i gjalle dhe te shkruaj nje kerkese padi ne prokurori per hetimin dhe gjetjen e fajtoreve te 21 Janarit?Atij i takon sepse eshte ai ftuesi i pjesemarresve ne ate mort.Ai eshte i zoti i asaj Darsme.Te ftuarit u vrane ne darsmen e tij.Edhe me \kanu;edhe me ligj haku eshte ne dere te tij.
Ata te vrare para 5 vitesh sot do ishin vertet te kenaqur me Ramen Kryeminister por… nuk besoj se do lumturoheshin kur te shikonin Kryetarin e Kuvendit kush eshte se per ate dolen atehere ne shesh.