Papunësia është shndërruar në hijen e shqiptarit në këto 25 vite demokraci. Tema më e përfolur midis njerëzve është puna, më saktë mungesa e saj. Shqiptari i dëshpëruar në kërkim të punës. Ky do ishte titulli i romanit që kemi shkruar të gjithë nga një germë në këto vite tranzicion.
Njerëz shëndoshë e mirë me këmbë e me duar siç thotë vetë populli për veten e tij, vijnë vërdallë të stresuar nga mungesa e punës, me mungesën e punës rrjedhimisht vjen edhe mungesa e shpresës, e mundësisë për t’i garantuar të ardhme familjes, fëmijëve. Fatkeqësisht kjo përbën panoramën kryesore të gjendjes psiko-sociale të familjes shqiptare, më saktë të shumë familjeve shqiptare. Babai, që për çdo natë ndjehet i turpëruar para familjes, përpara fëmijëve, i pamundur për t’u ofruar qetësinë dhe mirëqenien mesatare.
Mendoni pak një baba, kryefamiljar, që nuk ka mundur dot t’i ofrojë familjes plotësimin e nevojave më elementare, ndjenjën e fajit që e shoqëron vazhdimisht këtë baba. Rezultati është degradimi gradual dhe shndërrimi i njeriut në qenie pa shpresë. Njeriu i papunë që përditë e më tepër thellon tronditjen psikologjike dhe shpirtërore, që humb përditë e më tepër vetëbesimin dhe integritetin në syrin e familjes përbën individin e përditshëm të shoqërisë sonë.
Puna, që do të thotë pak qetësi dhe garanci për të ardhmen e familjes nuk është karrierë, është sinori midis dëshirës për të jetuar me dinjitet ose i skllavëruar. Edhe një herë, të punosh sa të fitosh dy lekë për të plotësuar nevojat bazë të familjes nuk është karrierë, është nevoja jetike për të vazhduar jetesën me shpresë dhe me dinjitet.
Jetojmë në një mjedis ku njeriu i papunë, njeriu pa dy lekë është në të njëjtën kohë njeri pa identitet, pa dinjitet dhe pa miq. Fatkeqësisht ky është realiteti qe na bie ta ndeshim përditë. Panorama pesimiste përfshin edhe të diplomuarit, madje stresi te kjo kategori është akoma më i papërballueshëm. Kjo kategori e fajëson veten dyfish kur mendon pamundësinë për punë pas diplomës, pamundësinë për të ndërtuar një jetë normale, me një të ardhme të qetë. Papunësia është problem botëror dhe ka për të qenë gjithmonë i tillë. Madje edhe në vende me industri të zhvilluar dhe prodhuese papunësia ekziston si një realitet konstant, por numri i popullsisë në këto vende është shumë i madh. Krahasimisht ne jemi një lagje e një shteti të Europës. Është mëkat i madh të mos kesh aftësinë si shtet, të mos jesh në gjendje t’i mundësosh një jetesë mesatare popullsisë tënde të paktën në nivelin e dinjitetit.
Të papunët jetojnë me frikën e kafshatës, kurse ata që kanë arritur të punësohen me tmerrin e humbjes së saj. Stresi kronik që përjeton një i punësuar në vendin tonë është i paimagjinueshëm. Ndërkohë në gjithë këtë lemeri, me mungesë mëshire, pronarët e punësimit zhvillojnë çmimet vjetore sipas llojit të punës. Ankandi mizor përmban dhënien e rrogës së një viti pa filluar punën akoma, ndërsa habitesh sesi pagesa për punën imagjinare kryhet paradhënie.
Lufta për një punë është kthyer padyshim në stresin dhe tmerrin e përditshëm të shqiptarit, që për të fituar i duhet patjetër një mik i fuqishëm ose lek. Leku është emëruesi i domosdoshëm në çdo rast. Kombinimi duhet bërë saktë, ndryshe kodi nuk zhbllokohet. Lek ose mik, ose lek dhe mik për të qenë më i sigurt, ose lek për mikun që në fund të fundit duhet falënderuar me mirënjohje afatgjatë. Ky është kodi i përditshëm me të cilin gdhijnë dhe ngrysin kryefamiljarët në këtë vend.
Pingpongu sa në një zyrë në tjetrën, sa te kryetari i partisë së rrethit te deputetët, nga deputetët te miqtë është shndërruar në rutinë. Kjo është edhe arsyeja kryesore se pse ikin shqiptarët për azil. Askush nuk e braktis vendin e tij për aventura me fëmijë në krahë. Nëse do të kishte sadopak shpresë për të nesërmen kjo ikje masive nuk do të ndodhte. Bën përshtypje për keq sesi diskutimet në lidhje me punësimin nuk janë pjesë e debatit publik, si në media ashtu edhe në temat e ditës të politikës. Kuptohet që i ngopuri nuk do t’ia dijë për hallin e të uriturit, tek e fundit për përfitim politik apo për arsye pragmatiste çështjet që kanë të bëjnë me papunësinë duhet të përbëjnë diskursin kryesor të debatit publik. Është në lojë dinjiteti i një mase të tërë njerëzish që merret nëpër këmbë.
Duhet ta fokusojmë debatin publik te tema më e ndjeshme që është papunësia. Përbën njëlloj detyrimi njerëzor dhe duhet të na vijë si një shqetësim i brendshëm shqetësimi për këtë çështje. Të diskutohet në parim dhe konkretisht ky problem. Të merremi me sa mundemi me denoncimin e ryshfeteve banale paradhënie për punësimin. Më jep kaq pastaj puno një vit dhe fito po kaq. Nuk e di, është diçka e pashpjegueshme, është barsoleta më e keqe që nuk bën askënd për të qeshur. Shqiptarët e njohin shumë mirë shifrën famëkeqe tre mijë dhe pesë mijë euro, për punësimet me rrogën më të ulët në treg. Këto janë sjellje të tmerrshme për një grusht njerëz që jemi. Më e keqja këto shifra vlejnë nëse ke votuar partitë në pushtet, nëse jo, çmimi është tjetër është akoma dhe më i pamëshirshëm.
