Kur të udhëzon përvoja

redaktor

Libri “Fletoret e Sigurisë Njerëzore”, udhërrëfyesi praktik që autori Besnik Alibali e cilëson si “një libër për të gjithë”, sapo është botuar nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama. Në prag të festës së ndërrimit të viteve, Alibali, njeriut që mosha s’e ka përkulur megjithëse e ka tejkaluar kapërcyellin e 80 viteve, më mori në telefon dhe më njoftoi se një nga librat, vepër e jetës së tij, sapo kishte dalë nga botimi. Ishte dëshira e tij që kjo vepër t’u shërbejë sa më mirë qytetarëve dhe familjarëve, shkollave të ndryshme dhe universiteteve, organeve shtetërore dhe shoqërore. Me format xhepi, vlerat praktike që libri mbart në këtë periudhë kur terrorizmi po bëhet një kërcënim aktual në botë, shumëfishohen ashtu si edhe vlerësimi për punën e ushtarakut Alibali, një racë luftëtari që është i gatshëm që të luftojë deri në frymën e fundit, me armët rrethanore të llogores së jetës. Në rastin konkret puna shkencore e praktike në shërbim të njerëzve, të cilët e kanë dashur edhe në ditët e vështira dhe e duan edhe sot e gjithë ditën. Besniku thekson me librin e vet se ata duhet të ndërgjegjësohen ndaj rreziqeve të fshehta, të cilave duhet t’u tremben më shumë. Dhe duhet të parapërgatiten duke ua bërë të njohura të panjohurat e fatkeqësive që vijnë si pasojë e emergjencave civile, por dhe e paaftësisë së njerëzve për t’i përballuar të papriturat e rënda që të sjell fati në raste të tilla. Si në përmbytje, tërmete, bllokazhe, rrëshqitje nga bora po dhe nga shpërthimet më lëndë shpërthyese luftarake. Me të cilat kronikat e zeza në ekranet e gjithë botës tashmë janë të tejmbushura…

 

“Fletoret e sigurisë njerëzore”

Koloneli në pension tregon se për këtë format libri dhe këshillash praktike ka filluar të punojë që në vitin 2009. Rreth 6 vite më parë, vijon autori, botova librin përmbledhës për sigurinë njerëzore, të bërë mbi bazën e studimeve dhe shënimeve të mbajtura ndër vite në profesionin e ushtarakut xhenjer. “Ishte eksperienca e gjatë e jetës sime në shërbim të shoqërisë shqiptare, ajo që më detyroi që të përmbledh studimet e mia, të cilat i kisha hedhur në letra në formën e shënimeve, përshtypjeve, ideve, në një libër studimor të unifikuar. Me idenë që libri të ishte një guidë praktike e nevojshme për mbrojtjen civile qytetare, në baza teorike e shkencore që botohen për herë të parë në vendin tonë”, tregon

Besnik Alibali duke mbajtur leksion ne Akademine ushtarake   1970
Besnik Alibali duke mbajtur leksion ne Akademine ushtarake 1970

koloneli. Paraprakisht në vitin 2009 arriti që të gjitha projektet t’i hedhë në librin “ Fletoret e Sigurisë Njerëzore”. Shënimet e para të librit janë hedhur që kur ai kryente detyra ushtarake si oficer në shërbimet e mbrojtjes civile dhe me pas si pedagog në Akademinë Ushtarake. Shënimet i shërbyen edhe në rrethin e Durrësit ku shumë ndërmarrje, sipas Besnikut, ndërtuan objekte të mbrojtjes civile si NSHN, N. Goma, N. Cigare, N. Komunale etj. Pas 15 viteve mbledhje shënimesh, ai vëren se ishin grumbulluar rreth 10 fletore të trasha me to. Në dëshirën e autorit për t’i botuar ka ndikuar edhe një udhëtim personal në SHBA. “M’u dha rasti që të shikoj një qendër trajnimi zjarrfikësish në sheshin “Rusvelt” të Nju Jorkut. Dhe tërë përvojën e hodha në libër”.

Libri është botuar në tirazh të vogël, si të thuash një botim në emergjencë. Por që do të ishte e udhës që të ribotohej për ta pasur si manual përdorimi shumë institucione dhe shkolla për ditë të vështira që mund të trokasin papritur.

 

Ura e Kombinatit, ngritur në 12 orë

Jeta e kolonelit Alibali është një det përvoje njerëzore. Ne kemi shkruar më parë për këtë njeri “antiminë”, për aftësitë e shkëlqyera për t’i çminuar terrenet në funksion të mbrojtjes së jetëve njerëzore, që nga minat gjermane të luftës së II-të deri tek minat serbe në kufirin verior të Shqipërisë gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Në këtë arsenal njohurish hyn edhe një rast i rrallë: Ndërtimi i një ure në emergjencë, që ka shërbyer deri vonë dhe që njihet si Ura e Kombinatit. Nga moti i keq në vitet 60-të, ura është prishur dhe nga kjo është ndërprerë qarkullimi me zonat e jugut të vendit, duke pasur edhe një kosto të madhe ekonomike për ekonominë e asaj periudhe. Pasi është konstatuar dëmi, është ngarkuar ushtria për të marrë në dorë situatën dhe Komanda eprore ka urdhëruar që ura të ringrihej për 12 orë. Alibali tregon se urdhri u zbatua dhe ura qëndroi për shumë vite më pas, por për të njëjtën urë si kapacitet rreth 40 vite më vonë, ajo e Lundrës, tregon xhenieri veteran, u deshën rreth 100 ditë për ta rindërtuar. Rreth këtij episodi ai kujton: “Kur ranë shirat e rrëmbyera në Tiranë dhe u prish ura e Kombinatit, ndodhesha me shërbim në Elbasan, rreth vitit 1963. Isha Komandant i Kompanisë Teknike të Regjimentit të Xhenjos “Perlat Rexhepi” kur mora urdhrin për t’u nisur me gjithë teknikën në Tiranë dhe m’u ngarkua detyra luftarake për ta rindërtuar urën për 12 orë, me qëllim që të zhbllokohej qarkullimi i automjeteve nga kryeqyteti drejt jugut. Filluam nga puna pasi na u vu gjithçka në dispozicion. Gjatë gjithë natës qëndroi pranë ushtarëve edhe Komandanti i Regjimentit Nexhmi Menzelxhiu. Ka qenë një punë heroike e ushtarëve… 12 orë pasi kishte filluar puna mbi urë kaluan kamionat e parë…Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, unë gjej rastin t’i përshëndes me mirënjohje dhe t’i përgëzoj ata heronj 18-19 vjeçarë që përballuan operacionin e jashtëzakonshëm që të montojnë një urë 60 m të gjatë në kushte tepër të vështira… E cilësoi madje si heroizëm të tyre këtë akt pune dhe atdhe dashurie të tyre, kur krahasoj dëmtimin e një ure tjetër, përafërsisht në zonën e Lundrës, me thuajse të njëjtat parametra dhe hapësirë drite, për të cilën u deshën rreth 100 ditë për ta ndërtuar”.

 

Shrbim kundër terrorizmit

Librat e Besnik Alibalit në të shumtën e rasteve janë mjaft praktikë për mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe një shërbim i madh në luftën kundër terrorizmit. Për “Fletoret e Sigurisë Njerëzore”, specialistët e emergjencave civile Vasil Premçi dhe Ruzhdi Baxhaku shkruajnë se Udhërrëfyesi është një “emergjencë për emergjencat”, i vetmi botim në Shqipëri i këtij lloji. Ndër reshtat e Fletoreve të Sigurisë nuk është e vështirë që të gjenden mesazhe psikologjike, mësime të vyera sociale, informacione mediatike, udhëzime inxhinierike, rregull dhe mprehtësi ushtarake, finesë artistike dhe mbi të gjitha shumë dashuri njerëzore.

Duke iu referuar shënimeve të Alibalit mbi terrorizmin dhe mbrojtjen e shoqërisë prej tij, Lekë Sokoli, nga Instituti i Sociologjisë shkruan se Alibali argumenton se “çdo minutë kohë e humbur është jetë e humbur”, derisa terrorizmi nuk ka vetëm një armik të shpallur, derisa çdo njëri nga ne mund të përjetojë një situatë që klasifikohet si “akt terrori” e që, për të mbijetuar, duhet të reagojmë. Si konkretisht? Për këtë duhet të lexojmë Alibalin.

 

ALIBALI: FEJA MYSLIMANE NUK KA LIDHJE ME TERRORIZMIN

Duke u nisur nga ngjarjet e ditëve të fundit me njoftimet mbi krime në vende të ndryshme të globit të cilësuara si krime terroristësh, Besnik Alibali thotë se ka shumë përcaktime për termin “terrorizëm”, por si nga me të goditurin ai përzgjedh përcaktimin e Jonah Aleksandër i cili jep këtë përkufizim: “Terrorizmi përkufizohet si përdorim i llogaritur i dhunës ose i kanosjes për përdorim të saj, nga individë, grupe të segmenteve të një vendi ose veprimtarë shtetërorë për arritjen e objektivave politike, shoqërore e ekonomike në kundërshtim me ligjin. Këto akte kanë për qëllim që të krijojnë frikë masive në zonë, të vënë në shënjestër që është shumë më e gjerë se ajo ku u sulmuan apo u kërcënua viktima”. Duke analizuar ngjarjet e fundit në Francë e gjetkë, ku akuzohen struktura myslimane për terrorizëm, Besnik Alibali thotë se feja myslimane nuk ka asnjë lidhje me terrorizmin, kjo pasi, sipas historisë, vetë profeti Muhamed si Komandant Ushtarak Suprem kishte vendosur rregulla të rrepta humanitare dhe mjaft të përparuara për kohën, si respekti për luftëtarin e mundur, ruajtja e jetës së grave e fëmijëve, ruajtja e pronës etj.

 

BESNIK ALIBALI

Besnik Alibali ka lindur më 4 tetor 1934. Ka pasur poste drejtuese dhe komanduese në repartet xheniere. Ka marrë pjesë në operacione të ndryshme çminimi. Është i dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Artë “Për merita të veçanta civile”. Ka punuar si Pedagog në Akademinë Ushtarake. Kolonel në rezervë. Kryetar i Komitetit Shqiptar të Miqve Antiminë. Autor i 21 librave të botuara në prozë, dramaturgji, ese, si dhe botime shkencore në fushën e sociologjisë urbane edhe atë të sigurisë njerëzore. Anëtar Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve Xhenierë në Pension. Rotarian.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *