Paqe? Jo, më shumë një armëpushim. Mes Cavani dhe Neymar nuk ka harmoni, kjo është e qartë. Është parë qartë në kampionat, ndërsa ka patur një tentativë për ta maskuar në ndeshjen e Champions League të fituar 3-0 kundër Bayern Munich. Të dy kanë shënuar, ashtu si Dani Alves, miku i besuar i Neymar.
Në fund të ndeshjes, në mënyrën e tyre, kanë provuar të mohojnë mosmarrëveshjet dhe të qetësojnë situatën, sepse “skuadra vjen para gjithçkaje”. “Kam lexuar shumë shpifje, – ka thënë Neymar për shtypin brazilian. – Flasin për gjëra që nuk i dinë, që nuk ekzistojnë”. Ndërsa, pyetjes në lidhje me marrëdhënien e tij me Cavani-n, braziliani i është përgjigjur thatë: “U përgjigja një herë”.
Por më pas ka ardhur komplimenti për shokun tjetër të sulmit, Kylian Mbappe: “Është një privilegj të luaj me të, duket sikur është 30 vjeç për pjekurinë që ka. Do të jetë një kandidat për Topin e Artë në të ardhmen”.
Po Cavani? Ka vënë të mirën e ekipit para vetes. Një goditje dënimi e ka goditur ai, tjetrën Neymar. “Jemi ndryshe, – ka thënë uruguaiani pas ndeshjes së të mërkurës, – secili ka mendimin e vet, por në fushë duhet të jemi një familje. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi”.
