Marrëveshja e Asocimit (AA), që pritet të nënshkruhet ditën e dytë të Samitit të krerëve të BE-së, që po mbahet në këto momente në Bruksel, përfshin vetëm kapitujt politikë. Kapitujt ekonomikë dhe ato mbi tregtinë, janë shkëputur dhe nuk figurojnë në axhendë për momentin. Liderët e BE-së, vendosën në Samitin e 6 Marsit, nënshkrimin me prioritet, të ‘kapitujve politikë’ të Marrëveshjes së Asocimit (AA) me Ukrainën, por pa dhënë asnjë shpjegim për këtë ndarje.
Por, duket se Presidenti rus Putin, ka shfrytëzuar mjaft mirë një kartë bllokuese, që rridhte nga marrëveshjet paraprake me BE-në, mbi Partneritetin Lindor, gjatë Samitit të 28 janarit BE-Rusi.
Kryeministri bullgar Plamen Oresharski ka konfirmuar se, gjatë këtij Samiti, është kryer një Marrëveshje ndërmjet Komisionit Europian dhe Rusisë. Në këtë Marrëveshje është vendosur që, të gjithë aspektet ekonomike të asocimeve të BE-së, do të diskutohen përpara. Të dy palët kanë rënë dakord se, do të ndjekin konsultime dypalëshe në nivel ekspertësh, mbi Marrëveshjet e Asocimit të Partneritetit Lindor, dhe mbi pasojat ekonomike të tyre. Por, që prej mbylljes së Samitit, asnjë grup në nivel ekspertësh nuk është ngritur, çka tregon bllokimin e mundshëm të nënshkrimit të plotë të Marrëveshjes së Asocimit, duke detyruar dhe ndarjen e dy kapitujve politikë.
Një arsye tjetër e deklaruar nga Ambasadori rus në BE, Vladimir Chizov, janë shpresat e Moskës mbi fitimin e mundshëm të shumicës pro-ruse në zgjedhjet presidenciale të 25 Majit në Ukrainë. Sipas Moskës, një fitim në këto zgjedhje, mund të kërkojë gjithashtu, mbajtjen e një referendumi për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocimit.
Gjithsesi, përtej bllokimit të AA-së, kapitujt politikë, prezantohen si një sinjal i rëndësishëm i BE-së, për mbështetjen e qeverisë aktuale në Ukrainë, programit të saj dhe integritetit dhe sovranitetit territorial. Ky nënshkrim do t’i mundësojë Ukrainës, garanci politike të integritetit territorial dhe paprekshmëri të kufijve të saj.
Samiti i krerëve të BE-së, që po mbahet sot dhe do të vazhdojë punimet edhe ditën e nesërme do të publikojë gjithashtu edhe fazën tjetër të sanksioneve, që pritet të aplikohen ndaj Rusisë. Burimet paraprake, theksojnë shtim emrash në listën e ndalimit të udhëtimeve dhe ngrirjen e aseteve, pezullim të Samitit BE-Rusi, ndërkohë që mendohet se aplikimi i sanksioneve ekonomike, do të rezervohet në rast se Rusia mund të avancojë në Ukrainën lindore. /im.ta/
(vijon)