Themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se bashkimi kombëtar është detyrë që duhet realizuar dhe jo një çështje për t’u monopolizuar.
Në një intervistë për gazetën “Koha” në Maqedoni, Kurti ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit Berisha në Shqipëri dhe Thaçit në Kosovë, duke theksuar se politikanët aktualë, nga të dyja anët e kufirit bien në kontradiktë me politikat e tyre qeveritare dhe deklaratat pompoze të ditëve të fundit.
“Duhet prirë me flamur në betejat emancipuese për të siguruar për kombin shqiptar barazinë, por edhe mirëqenien brenda tij. Flamuri kombëtar nuk mund të shërbejë si mbulesë për t’i fshehur politikat korruptive e antikombëtare. Nuk ka kuptim harta e bashkuar, kur na i kanë hequr të gjitha mundësitë e zhvillimit”, tha Kurti.
Gjithashtu, kreu I Vetëvendosjes është pyetur edhe në lidhje me konceptet e përafërta që ka Aleanca Kuqezi në Shqipëri me Vetëvendosjen. “Vetëvendosje nuk krijon lidhje speciale me subjekte të caktuara në Shqipëri, por bashkëpunojmë me të gjitha ato për çështje të interesit kombëtar. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me subjektet që kanë për qëllim afirmimin e çështjes kombëtare. Ne nuk e shohim bashkimin kombëtar si spektakël e mistifikim përmes të cilit elektrizohen masat”, tha Kurti.