“Kurvelesh zemra ime”, iso e largët e një vendi të braktisur

Leda Hysa

 

 

Mihal GJERGJI

Krahina emër shquar, vendi i besëlidhjeve të mëdha, dikur djepi i perëndive, tashmë i braktisur edhe nga zërat njerëzorë. Mitet kanë qendruar përjetësisht aty, mjafton të mbani vesh dhe mund të dëgjoni. Flasin vetëm për të djeshmen, ndërsa e sotmja ka veshur pelerinën e heshtjes, çuditërisht.

Kurveleshi i sipërm, zemra dhe çatia e Labërisë. Fshatrat, si gishtrinjtë e dorës, të shtrirë si për humnerave pellazge. Kur bashkohen formojnë grushtin e qëndresës dhe drejtohen nga jugu ose jug-perëndimi. Andej ka ardhur gjithmonë e keqja, andartët me urët e zjarrit dhe nipërit e Duçes që dërgonte lëvdime për krahinën kryengritëse.

Sipër, nderet qielli sovrani Zeusit. Nga këto lartësi janë ‘derdhur’ trimat leshra bërshimë, tamam si rrëkete e grykave të serta, që zbresin në det.

Kujtimet e Çezarit dergjen rrëzë mureve të kalasë, atje, në Nivicën e bukur. Romakë, bizantinë e osmanllinj kanë lënë kockat në ato shtigje, ku “edhe djallit i duhet të eci ditën dhe me shkop në dorë”.

Këndrevica, “bukuria që vret”, mbi shpatullat e gjera ka hedhur mjergullën e bardhë. Gjymtyrët i shtrin e i shplodh deri buzë Vjosës, kryet puthin kaltërsinë. Gjalmëzezat, bashkë me qumështin e gjirit, kanë mëkuar edhe historinë e lavdishme.

Portat e baladave janë të hapura, mund t’i prekni ato pa drojë, mjafton që të guxoni. Mund të flisni me cilin shekull të doni, mund të filloni me Hodo Beun, (“fushë e Delvinës u nxi/ tetëmijë su vari/ i shkreti Hodo Ali/ i kish djemtë çilimi…”), me Sinan Gjostojën (“del Sinan Labi përpara/ me dy goburetë lara…”), me Çelo Picarin, me Hetem Toton (ende rëndon barra e tradhëtisë mbi eshtrat e këtij burri mendjendritur!).

Aty jane edhe Bilbilenjtë, të trembëdhjetë, sikurse Krishti me apostujt e tij. Janë të shumta historitë tronditëse, emrat e trimave po ashtu. Dikur ishin bashkë, së gjalli dhe pas vdekjes, tashmë të ndarë. Koha pa kohë i ka veçuar.

Po t’u përmendni emrat, ata janë gati të shkundin nga supet baltën e varreve. Dhe ju do ndjeni që era do bëhet kuje, bashkë me ju do lotojë edhe hëna. Dallgët e fustanellave kanë heshtur. Edhe xhufkat e kuqe.

Shkollat kanë mbetur si bujtina të braktisura. Kanë ikur banorët. Barra e varfërisë është e papërballueshme. Vendet e adhurimit (kisha, xhami e mekame) ulerijnë nga dhimbja, në pritje të hapave të munguar.

Zotins’ e vranë banorët, pushteti që pranuan mbi krye, dje dhe sot…Ca gur gdhendës të vonuar, vendosin gurë sipër gurëve, tamam si kashta sipër tjegullave të çatisë, zgjerojnë dhe ndonjë rrugë. Dhe mirë bëjnë, por janë këputur urat lidhëse mes shpitrave njerëzorë.

Urrejtja i ka shembur. Vallë, si dhe kur mund të ringrihen ato?! Deti është shumë afër. Pak kilometra rrugë dhe mund të mberrish në Kudhës, ose Qeparo, sipër atij ballkoni magjik.

Vetëm atëherë turistët mund të vërshojnë brenda këtij muzeu minatyror. Por kjo është një ëndërr e largët, mbetur në premtimet pa fund të pashallarëve.

Zilet dhe këmborët e tufave të rralluara, të kujtojnë se gjuha e bukur shqipe ende s’ka vdekur.

Këmbët e shpien njeriun atje ku i thotë zemra, e në ikje, të ndjek si një simfoni trishtimi isua e këngës që këndohej dikur: “Kurvelesh, zemëra ime, Kurvelesh…”

 

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *