Dërguar me email
Xhin – Xhonat dhe Xhin-Xhoniada e korrupsionit është shtrirë në të gjithë damarët e shtetit e të shoqërisë, sa asaj mund t’i japë “udhë” vetëm Ali Pashë Tepelena po të ishte gjallë. Mos u çuditni: Siç thuhet në romanin e tij kushtuar Ali Pashë Tepelenës, pashai në fjalë në shumë raste gjykonte e zgjidhte dhe ngatërresa ordinere të shtetasve të tij. Kur ankuesi Hasan p.sh. shkonte në Divan tek Ali Pashë Tepelena për tu ankuar se Bajrami, komshiu i tij i kishte vjedhur lopën, Pashai në pamundësi për të përcaktuar të vërtetën, i jepte davasë këtë zgjidhje: Nëse Hasani që ankohesh për Bajramin ishte i dobët nga shëndeti, ndërsa Bajrami i shëndoshë, thoshte: “Bajram, Hasani ka të drejtë, ti me siguri ia ke vjedhur lopën, ndaj dhe je shëndoshur. Prandaj shpejt jepi mexhidet”. Dhe caktonte shumën e tyre. Nëse ishte e kundërta, dhe vetë Hasani ishte i shëndoshë dhe Bajramni i dobët, i kthehej ankuesit: “Hasan, ti po gënjen, po të kishte vjedhur lopën tënde do të ishte shëndoshur dhe Bajrami si puna jote, prandaj ik e mos gënje”. Dhe këtu mbyllej davaja e Ali Pashë Tepelenës. Sigurisht Ali Pashë Tepelena sot është i papranueshëm nga “demokracia borgjeze” e shekullit njëzet e një. Por siç po duken bathët në këtë nahijen tonë, vetëm jatagani i Ali Pashës mund ta zgjidhë “nyjen gordiane” të korrupsionit të këtij çerek shekulli të fundit në vendin tonë!
