Ka ndërruar jetë Kiço Fotiadhi, një nga folësit e lajmeve të Televizionit Shqiptar para `90. I përket brezit të të ndjerit Alfons Gurashi, Virgjil Kules, Dhimitër Gjokës apo Tefta Radit, të cilët janë ende aktiv në profesion, por jo të gjithë si folës lajmesh, përveç Gjokës. Disa televizione i kushtuan një hapësirë nekronologjike Fotiadhit, por nuk u mor vesh se përse ai nuk u kthye më ekranit. Nuk dihet nëse nuk deshi vetë, apo nuk e qasi kush. Gjithsesi, emri i tij nuk u harrua; kujtesa për të nuk u fashit. Duke parë sot Dhimitër Gjokën, lajmet që ai lexon, edhe në mos qofshin cilësore tekstualisht, janë shumë më të gëlltitshme nga perfeksioni i përcjelljes, në timbër, theksin dhe temporitmin e duhur, shtoi kësaj pamjen e pushtetshme që, nga një folës e shndërron në personalitet ekrani. Lajmet tona nëpër ekrane, vuajnë nga mungesa e personaliteteve që i përcjellin ata. Disa të duken thjesht lexues, disa të punësuar si të tillë, por pothuajse asnjëri nuk ka sharmin e një personaliteti që përthith shikues; edhe nga pesha e viteve, rrudhave në ballë e thinjave në kokë, që përkthehen si kulmi i pjekurisë profesionale. Nuk dihet se sa prej çunave dhe çupërlinave që përcjellin lajme sot, do mund të kujtohen nga publiku 25 vjet pasi të jenë larguar nga ekrani. Siç Fotiadhi./E.H
