Kush e gjykon klasën tonë të degraduar politike?

J L

Bedri Islami

 

Dy ditë më parë, presidenti aksidental i Shqipërisë, në një nga emisionet TV, bëri thirrje për përmbysje, të cilën, megjithëse e theksoi “demokratike”, nuk e shkëputi dot nga konteksti i tij për luftën flakë për flakë. Ai iu rikthye retorikës së ashpër, duke zhveshur veten nga posti ku e dërguan, thuajse përdhunshëm, për të qenë njëherësh hetues, prokuror, gjykatës, gardian dhe drejtor burgu. Edhe ai vetë e di fare mirë se rrethqarku që po krijon, synon të ndezë konfliktin e dhunshëm, ndoshta edhe të përgjakshëm, pas së cilës do të fshihet një klasë e tërë politike.

Aktualisht ne kemi një president që askush nuk e fton në kancelaritë ndërkombëtare, askush nuk i dërgon një mesazh të natyrshëm, të cilit i kujtohet vazhdimisht të ketë kujdes, dhe, ende askush nuk e di nëse do të lejohej të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara. Ai i ka shpallur luftë diplomacisë euroatlantike, pas së cilës mendon se qëndrojnë lobime në mbështetje të Edi Ramës, mandati i tretë i të cilit do të ishte ulja e perdes së fundit në karrierën e tij politike dhe financiare. Të gjitha aferat që kanë ndodhur në Shqipëri, në të gjitha qeveritë, kanë qenë të vëzhguara nga Meta, në disa prej tyre ai vetë ka qenë pjesë, ose u ka hapur rrugën të tjerëve dhe, nga studenti idealist i dhjetorit, nuk ka mbetur asgjë e vyer, për të cilën do të mund të kujtoheshin njerëzit. Për fat të keq, prej viteve, Iliri ka pushuar së qeni politikani i furishëm i FRESH-it, dhe tani ka mbetur Meta i grupeve të forta, që i shkojnë para dhe pas si roje shërbimi. Deputeti që dikur e priste heqjen e mandatit nga qeveria Berisha si shenjë e dhunës dhe e vëzhgimit hakmarrës, tani kërcënon policinë e shtetit, duke e vendosur atë nën vëzhgim, pasi më parë ka paralajmëruar se ai vetë, ose zonja e tij, do të mund të jenë ministër i brendshëm.

Nuk dallojnë as të tjerët nga ai. Kupola e politikës në Shqipëri është e kalbur, por mbijetuese. Sa herë që duket se do të goditet, aq herë godet. Berisha ngriti gardën e tij pretoriane nën drejtimin e Gazidedes. Edi Rama kur e kuptoi se në pushtet nuk vjen dot përmes mendjes, solli në parlament dhe në lista deputetësh, pikërisht ata që e kishin luftuar, “të fortët”, me të shkuar lidhur me krimin e organizuar; Basha ngriti detashmentin “Azem Hajdari”, që ende vepron i strukturuar me civil; Ilir Meta tani ka ngritur ata që ai vetë i quan “grupet presidenciale në terren”. Ku vete Shqipëria kështu?

Afrimi i ditës së zgjedhjeve ka ndezur debatet politike dhe, si duket, kësaj here do të jenë më të furishme se kurrë më parë.

Përplasjet e deritanishme janë vetëm fillimi i asaj që është menduar të jetë në vazhdimin e ditëve. Askush nuk i di enigmat e së nesërmes, por, sidoqoftë, ata ringrenë një problem madhor, ndoshta më të rëndësishmin e këtyre kohëve: kush janë ata që do të na përfaqësojnë? Janë të denjë për të bartur cilësorin “përfaqësues i popullit”, apo, pas tyre fshihen gogolët e frikshëm  të gllabërimit, miopisë politike, kurriz uljes dhe memecërisë.

U bënë kaq vite që “notojmë” përmes të njëjtës mendësi qeverisëse, edhe kur është e djathta në pushtet, edhe kur alternohet më të majtën; edhe kur përbetimi është nga Shqup-i, edhe kur është nga selia e vjetër e së majtës.

Kush e gjykon këtë klasë politike?

Ne, njerëzit e zakonshëm, pak, fare pak kemi në dorë. Edhe tani në zgjedhjet politike të 25 prillit. Listat janë bërë nga kryetarët, qofshin ata drejtpërdrejtë, qofshin në hije, dhe, që të kalosh pragun, nëse kjo ndodh, do të ishte e çuditshme dhe tejet e vështirë.

Vota nuk paragjykon, e aq më pak, nuk gjykon. Listat janë hedhur për t’u miratuar. Loja e listave të hapura, që brenda vetes fshehin listat e mbyllura, ishte sa qesharake, butaforike, aq edhe përtallëse me ndryshimet që ndodhën.

Dy partitë e mëdha rregulluan rripin e tyre të mesit dhe tani janë në luftë për llokmat e pushtetit.

E atëherë, kush i gjykon njerëzit tanë të politikës?

Deri tani, askush! Ne nuk kemi një strukturë e cila të  jo vetëm moralizuese, por edhe dëshkuese. Deputetë të akuzuar për trafik droge, pastrim parash, pjesë e grupeve kriminale, pasi vegjetojnë disa ditë në paraburgime, shpejt shpallen të pafajshëm. Nëse kanë qenë vertetë ashtu, pse janë arrestuar? Për shfaqje politike, dëshmi se po luftohet e keqja? Apo, pasi u dha shfaqja, perdet u ulën dhe drama mbaroi?

Kush i gjykon ata?

Krijimi i një Gjykate Speciale në Shqipëri, sidomos për njerëzit e politikës, të qeverisjes dhe të sistemit të drejtësisë, pra një lloj Vetingu i shumanshëm, jashtë strukturave të saj institucionale, sigurisht është një gjë hipotetike. Në të vërtetë nuk duhej të ishte shtruar fare kjo pyetje, nëse shteti i së drejtës në Shqipëri do të kishte qëndruar në këmbët e tij dhe jo në patericat e shumëfishta: të politikës, të korrupsionit, të frikës dhe të nënshtrimit.

Mirëpo fakti mbetet fakt: ne i kemi të gjitha institucionet kushtetuese të drejtësisë, së fundi, u ngrit edhe Gjykata Kushtetuese, po merr frymë disi edhe Gjykata e Lartë, është ngritur SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, por drejtësi, atë drejtësi për të cilën flasim, nuk kemi. Edhe ai që ka pasur dyshimin më të vogël në të vërtetën e këtij fakti, pasi ka dëgjuar në intervale të njëpasnjëshme bubullimat e presidentit të këtij vendi dhe kërcënimet e tij me prerje duarsh, vetësakrifikim sublim si Alende, bërtitjen se “ju çoj në burg me duart i mija”, sikur të ishte hetues, prokuror dhe gjykatës, apo  PPP-të e KEQPËRDORURA, NË TË CILAT GJENDET GJITHNJË PAS NJË POLITIKAN , apo ministër, e kupton se deri më tani klasa politike është jashtë sistemit, jo rastësisht, por vetë ka ngritur një mburojë të tillë; e kupton se sistemin tonë të drejtësisë e kanë degraduar aq keq, saqë edhe njeriu që do të duhet të ishte qartësisht më i logjikshëm në të gjithë këtë histori, është kthyer faktikisht në një personazh  politik agresiv, që ka hedhur poshtë, baltasi, mantelin presidencial,  i cili më shumë mendon se cila do të jetë grada e tij politike kur të rikthehet në partinë e tij, se sa cila është e drejta e tij kushtetuese në ushtrimin e detyrës si përfaqësues i unitetit të popullit.

Vetingu tregoi se gjysma e sistemit tonë të drejtësisë ishte e kalbur. Jo të gjithë gjyqtarët, prokurorët, hetuesit tanë janë të korruptuar apo e duan këtë mënyrë jetese. Mes tyre, sado të paktë, pasi sheh rrushi rrushin e “piqet”, ka edhe nga ato që në bisedat vetjake e ndjejnë këtë trazim dhe duan të dalin nga qerthulli ku i kanë futur. Por, duke qenë pakicë e papërfillshme, duke qenë, si të thuash, uji që humbet në shkretëtirë, forca e tyre është jashtë çdo logjike, edhe pasi shteti nuk mbështetet tek këto, por tek të tjerët, të shumtët, që janë bërë pjesë e oligarkisë financiare.

Nuk e di se çfarë faji ka patur ligji mbi ato prokurorë, të cilët me marrëveshje të heshtur apo të ditur, vetëm se jo të shpallur, mbajtën nëpër duar me javë e muaj dosjen e Vjedhjes galopante në rrugën e Kombit, për ta paraqitur atë disa minuta pasi kishte përfunduar çdo lloj afati ligjor? Duke i hapur rrugë kështu precedentit “me procedurë” të lënies së lirë, krejtësisht të pagjykuar, të figurave shtetërore që vodhën shtetin si të ishin në mall të huaj. Nuk e di se cili ligj ka penguar gjyqtarët e Çështjes Gërdeci, që, në mos tjetër, të kishin kapur për veshi e të kishin sjellë në gjyq ata që, si skllavopronarë, përdorën si kavje fëmijët e vegjël në demontimin e armëve, jeta e të cilëve ishte e rrezikuar dhe disa nuk janë më në jetë. Cili ligj e pengoi prokurorin e çështjes që, sa për kureshtje të paktën, të kishte thirrur në prokurori birin kryeministror, Berishën e vockël, për ta pyetur se cila kishte qenë biseda e tij disa minutëshe me pronarin e Gërdecit, kur ende atje dëgjoheshin shpërthimet e vriteshin njerëz. Asnjë procedurë e tillë hetimore nuk ndodh në botë; aq më tepër kur thirren në cilësinë e dëshmitarit edhe personazhe të dorës së dhjetë dhe jo ata që dëshmohen si nxitës të krimit.

Ligji nuk është si druri që i shtrembër hidhet në zjarr dhe gatit një të ri. E vërteta është se në turrën e madhe të ligjeve ka edhe nene të shtrembra, që duhen hedhur e përgatitur të rinj, ka gjëra që duheshin ndrequr pa dhimbje që herët, por mbi të gjitha e shtrembra qëndron tek ato që janë thirrur për të zbatuar ligjin.

Të sotmit nuk i përballojnë dot ngjarjet e mëdha. Asnjëri nga prokurorët e hetuesit tanë nuk ka asnjë grimë nga stofi i Falkones; askush në sistemin tonë të drejtësisë nuk mund të marrë sot përsipër rolin e heroit, kur deheroizmi është tipari i ditës; është e vështirë, në mos e pamundur që të gjesh njerëz me përmasa të veçanta që i dalin ballas të keqes, krimit dhe ngrihen mbi to. Edhe nëse do të kishin dashur, politika, e bashkë me të edhe vetë struktura e tyre, do të kishin përbaltur gjithçka dhe, në vend të heronjve do të kishim pasur dështakët e radhës.

Këtu nuk bën punë “prokurori Meta”,  që nuk përmbahet “Kanditati i 17 i Partisë Socaliste duhet të ishte në burg”; apo edhe më tej: Departamenti Amerikan i Shtetit e shpall “etalon të drejtësisë” gjyqtarin Ardian Dvoranin,  por Meta i bën pretencën dhe i jep “vendimin” se duhet të jetë në burg. Zemërimi i Metës ndaj gjyqtarit që kërkoi dënimin e tij në aferën e “bllokut 700 mijësh” nuk ka fund, për më tepër, ai e di se, më shumë se sa Dvorani të jetë “etalion i drejtësisë”, ai është shembulli që deshi të dënojë presidentin, çka e kërkoi edhe një figurë e rëndësishme e diplomacisë amerikanë në Shqipëri.

Gjykata Speciale në Shqipëri nëse do të kishte fatin të ngrihej, do të kishte para vetes disa nga ngjarjet më tronditëse të njëzet e pesë viteve të fundit. Por, pyetja e parë: me cilët do të ngrihej?

Do të gjendej vallë një prokuror, një trupë gjykuese e denjë dhe e guximshme, për shembull, për 21 janarin, që po harrohet dhe si po shkon puna në kalendarët tanë do të kapërcehet nga data 20 janar në 22 janar, duke e përjashtuar ditën e njëzetenjë-të të muajit. Cili prokuror do të mund t’i thonte Berishës se cilat fakte sjell ai si ish kryeministër kur deklaroi për makinat e mbushura me armë pranë lokalit të njohur “Taiwan”, cilat janë faktet e tij për njerëzit me çadra pistoletë, kush dha urdhrin për vrasjet, përse u fshinë provat nga ndërtesa qeveritare duke shkatërruar gjithë serverin në mesnatën e 21 janarit; kush mund t’i thotë atij për grushtin e shtetit ndaj tre institucioneve kushtetuese: presidentit, kryeprokurores dhe shefit të Shërbimit Informativ, duke i quajtur puçistë, hora e lavire bulevardi? Të jemi të qartë, askush.

Kush mund t’i thotë sot Edi Ramës se ku janë provat e reja që ke premtuar, çfarë fshehin sot institucionet nën shërbimin e tij, cilat janë faktet e reja që po sjellin pushimin e çështjes dhe përse ndodh e gjithë kjo? Të jemi të qartë, askush.

Kush mud t’i thotë Bashës se, ka guximin të rihapë çështjen e mbyllur me procedurë të Rrugës së Kombit, blerjen e vilave, katër të tilla? Ata nuk kanë guxim për gjënë minimale, të kërkojnë publikimin e kontratave të vilave, e jo më të gërmojnë më thellë?

Asnjë politikan deri tani për fat të keq, nuk ka sjellë provat financiare në ndërtimin e vilave ku banojnë dhe asnjë institucion financiar nuk ka burrërinë t’ua kërkojë!

Sepse të gjithë e dinë se pas kësaj do të vijë ndëshkimi i pushtetit. Dhjetë herë mund të reformojë qeveria e sotme sistemin e ligjeve të drejtësisë, dhe, dorën në zemër, bën mirë që i reformon. Sistemi i sotëm sa është i hallakatur, aq është edhe i pakujdesshëm. Për fat të keq në Shqipëri tri majat e shtetit janë kapur nga oligarkia politike, nga oligarkia financiare, nga oligarkia e drejtësisë. Që të jetë e lirë drejtësia duhen zhdukur dy oligarkitë e para, çka nuk do të ndodhë edhe në dy dekadat e ardhshme dhe, për fat të keq, këtë mund ta bëjë vetëm oligarkia e tretë. Kështu janë të lidhura të trija dhe zhbërjen e tyre mund ta bëjë vetëm Gjykata Speciale, e plotfuqishme, e garantuar ndërkombëtarisht, e mbështetur nga ndërkombëtarët dhe në bashkëpunim me institucionet e specializuara jashtë Shqipërisë.

Sepse ky i fundit nuk luftohet as nga të korruptuarit e as nga të frikësuarit.

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *