Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili është kërcënuar me jetë nga persona të paidentifikuar, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për zbardhjen e ngjarjes që ka ndodhur disa javë më parë.
Lajmi është konfirmuar nga burime të Prokurorisë, ndërsa drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili nuk ka reaguar.
Mësohet se kërcënimi ndaj kreut të Burgjeve është bërë me anë të një mesazhi në telefon nga një numër ende i paidentifikuar, për të cilin oficerë të Policisë Gjyqësore janë duke hetuar.
Burime thonë gjithashtu se kërcënimi ka të bëjë me funksionin e Ismailit dhe kjo vjen pas zbatimit të regjimit “41 Bis”.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, ka rreth 1 vit në këtë detyrë, pasi zëvendësoi Stefan Çipën.
Dy oficerë të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës janë duke hetuar kallëzimin e kreut të Burgjeve, ata janë përqendruar në lokalizimin e pajisjes që ka dërguar mesazhet në numrin e Ismailit.
Ata kanë marrë edhe pretendimet e këtij të fundit nëse ka dyshime për persona konkretë apo jo.
Është hera e tretë që Agim Ismaili ka marrë kërcënime, një herë ka ndodhur në muajin shkurt të këtij viti dhe më herët nga një i dënuar i në Burgun e Drenovës.
Hetuesit kanë dyshime se edhe këtë herë kërcënimi vjen nga burgu, megjithatë, do të jenë hetimet që pritet të hedhin dritë.
Kreu i Burgjeve, Agim Ismaili, ka qenë me herët drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Ai ka përvojë policore dhe ka punuar për disa vite edhe në Drejtorinë e Policisë Elektrike.
Ismaili mori detyrën në krye të AKU-së në tetor të 2017, ku u prezantua nga Kryeministri Edi Rama.
Nga 6 shkurti i këtij viti, ai është krye të Burgjeve, detyrë në të cilën zëvendësoi Stefan Çipën, ky i fundit ndenji në këtë detyrë pak muaj.
“41 BIS”, duke iu referuar ligjit, personave të konsideruar me rrezikshmëri të lartë, do t’u kufizohen takimet, ajrosja dhe përdorimi i telefonatave apo vlerave monetare.
Ligji parashikon se do të lejohet një takim familjar në muaj, i cili kryhet në intervale të rregullta kohore dhe në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video.
Ndërsa për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët kryhet vetëm me miratimin e prokurorit.
j.l./ dita
