Zhdukja si me shkop magjik i “kuçedrës” gjakmarrje në periudhën 1945-1990 ishte një hap përpara qytetërues, veçanërisht për banorët e zonës veriore të kanunit. Nuk e dinim që ky kod primitiv kishte qenë “shtazë” e gjumit letargjik! Ndërron stina e ajo zgjohet, gjallërohet sërish e kafshon. Kush e ktheu mynxyrën? Cilin të mallkojmë kur para syve na shfaqen fëmijë, djem e vajza, në ata “ishuj” ngujimi, shpirtërorë e sypërlotur, të ndaluar për të qenë mes shokësh, shoqesh, të mësojnë, të qeshin, të argëtohen? Mallkimi pra i shkon atij që i çeli rrugën këtij absurditeti. Ndonëse nuk arriti të bëhet një “Lek Dukagjin” tërësor, gjëmën e bëri. Riktheu “ishujt e ngujimit”. Duke i uruar shëndet e mirëqenie Dritëroit të madh, e pyes: Ka sot një vlerësim për nënën Shqipëri të drobitur deri në lemeri? Gjithashtu, për të madhin Kadare, duke i uruar deri dhe çmimin Nobel të merituar në këtë 80 vjetor të tijin, më vjen pyetja: Për gjakmarrjen e rikthyer, bashkë dhe me simotrën hakmarrje, ndihmuar dhe prej mjeshtërve vrasës me pagesë; të gjitha këto si gjëma që sfilitin një popull të tërë, kur sot s’ka një burrë shteti të zhbëjë të keqen e madhe, ashtu si pat ndodhur 70 vjet më herët, ka një mendim nga mund të vijë dermani?
Letër e nënshkruar
Kol Rrudha
