Nga Halil Bregasi
Në kuadër të nismës së 100 fshatrave
Përgjigjen e pyetjes nuk mund ta japi artikullshkruesi, ndoshta u takon të tjerëve të japin shpjegime, por sidoqë të jetë, komuniteti i interesuar për historinë e lashtësisë së vendbanimeve, apo edhe për identitetin e kësaj zone, mund dhe duhet të përgjigjen. Mua më takon të përsërisë disa argumente që janë dhënë në Konferenca Albanologjike, apo janë shkruar nga personazhe të Akademisë së Shkencave e të botuara në revistën “Iliria” e në botime të veçanta.
Fillimisht, për lexuesin e këtij shkrimi, më duhet të sqarojë se, çfarë përfaqëson emri Cakran. Po citoj:
– Krahina e Cakranit: është territori me kufij natyror: në Perëdim, Ujërrjedha e Kalinorës në kufi të Peshtanit të Madh dhe në Lindje kufiri midis fshatrave Mollaj dhe Hekal; në Veri lumi Gjanica dhe në Jugë lumi Vjosa. Dikur me 20 fshatra.
– Qëndra Administrative (ish Komuna) Cakran, që lë jashtë këtij territori fshatrat: Patos, Kasnicë, Mollaj, Rromës, Kallm e Kashisht. Dhe:
– Fshati Cakran: dikur një fshat i madh, por që nga viti 1992 i ndarë në dy fshatra të cilët emërtohen sipas qejfit të secilit: Cakrani 1 dhe Cakrani 2, pastaj: Cakrani dhe Cakrani i Ri (kjo pa kuptim sepse nuk është krijuar ndonjë fshat i ri).
Pavarësisht këtyre emërtimeve dhe përkufizimeve, e gjithë kjo krahinë është e pasur me vendbanime, gjetje e monumente arkeologjike, të dokumentuara në revistën “Iliria” por edhe në muzeume, qoftë në atë historik të rrethit Fier dhe në Muzeun Kombëtar Tiranë, veç jo në qendër të kësaj zone, në Cakran.
Ishte dikur një muzeum i tillë, por me ndryshimet demokratike të sistemeve, forca destruktive të tipit të Kryqëzatave mesjetare që u dukën në ato vite, nuk iu duhej argumenti arkeologjik për identitetin kombëtar të banorëve të kësaj zone dhe e shkatërruan, ashtu si u shkatërruan mijëra fabrika e uzina, kombinate e ferma bujqësore. Sigurisht që mund të kishte në atë muzeum përmbajtje politike e ideologjike, por mund të fshihej e të pastrohej nga këto gjëra dhe të ngelej bërthama treguese se banorët e këtyre fshatrave janë pasardhës të identitetit pellazg, ilir e shqiptarë.
Kjo zonë është e njohur për udhëheqësit e kryengritjeve popullore anti otomane si Alush Frakulla nga Kreshpani dhe Veiz Cakrani dhe në vazhdim të tyre ata që përkrahën dhe ndihmuan Ismail Qemalin në vitet 1908 – 1912 deri në ngrtjen e Flamurit Kombëtar, si: Hajredin e Bektash Cakrani, Hairi e Faik Kreshpa, të cilët i qëndruan në krahë Plakut të Bardhë e që vazhduan traditën e të parëve deri në flijim.
Disa toponime vendesh flasin qartë se aty dikur ka qënë një vendbanim. Të tilla si: Thikez, Qyteza, Varret e Bardha, Qoromidhez etj., janë fjalë shqipe e nuk kanë nevojë për përkthim. Si nuk mund të kuptohet, p.sh., fjala “Qytezë”, pra aty ka qënë një qytet i vogël. Kështu edhe për “Thikez” etj. Por nuk mjaftonin këto si duket, ndoshta edhe niveli i ulët në njohjen e problemeve të trashëgimisë e të identitetit, çonin deri në shkatërrimin e tyre. Një shtysë e atyre viteve ka qënë përpjekja për të prodhuar sa më shumë që të plotësonin nevojat jetike të popullit. Shqipëria sapo kishte mbyllur luftën me bandat e diversantëve, kërkonte zhvillim intensiv në të gjitha drejtimet, ku prodhimi i bukës zinte vendin e parë. Të shfrytëzohej çdo copë toke që mund të mbillet deri në skajet e çdo are, madje edhe duke shtuar fondin e tokës me hapje tokash të reja. Këto çonin në atë që askujt nuk i shkonte mendja tek historia e lashtësia.
Më kujtohet si tani: në tokën me toponimin “Thikez”, një tokë argjilore e rëndë, e zezë, kishte shumë krisje (grem) dhe, sigurisht që pengonte në një farë mënyre edhe prodhimin në ato bimë që do të mbilleshin aty. Duhej hequr. Herbicidet nuk kishin dalë në përdorim, por edhe kur dolën, për këtë lloj bimësie nuk patën efekt. Atëherë ngelej metoda praktike e punimit të thellë dhe tharjen e rrenjëve të krisjes. U soll plugu “Martinel” që plugonte në thellësi 80 – 100 cm. Pra një metër thellësi. Dhe u punua ajo tokë duke nxjerrë mbi sipërfaqe plotë materiale arkeologjike, të rëndësishme, por të pa njohura nga vendasit. Një dëm kolosal për arkeologjinë dhe historinë e lashtësisë të kësaj zone. Ndoshta ishin këto copa stralli të thyera e coptuara që u gjetën nga ekspedita arkeologjike e vitit 1963 në këtë tokë. E njëjta histori edhe me tokën në “Varret e Bardha”, muret e qytezës etj.
Deri këtu, çdo gjë nga mos njohja. Erdhi rasti dhe në vitet 1969 – 1970 u zbulua shtresa arkeologjike e neolitit të mesëm aty në Thikez. I pari stacion i kësaj periudhe historike i zbuluar deri atëhere në Shqipëri. Një sukses i madh për arkeologjinë, por edhe për historinë e lashtësisë së kësaj zone. U gjetën banesat, vatrat e zjarrit, skeletet e njerëzve, mbi 12 mijë copa qeramike të mbledhura me gjashtë lloje zbukurimesh interesante. U botua një material i plotë në Revistën Iliria nr. 3 të vitit 1974 me mbi 77 faqe, u deklaruan këto materiale edhe në Konferencën e Parë Alabanologjike.
Sigurisht që banesat u gjendën në thellësi, (1.60 – 2.60 cm nga sipërfaqja). Një pedolog i përgatitur mund të përcaktojë shtresat e tokës dhe kur mund të jenë formuar, por, mjafton të themi se, nëpërmjet përroit të Koprishtit ajo sipërfaqe toke është mbuluar nga aluvionet e ardhura nga katër përrenjë malorë ( i Mihajve, i Ngurrzës, i Floqit dhe i Mashkezës). A mund të mendohet ndryshimi i pësuar pas mijëra vitesh e dhjetra shekujsh?
U ruajtën ato “gropa” (banesa) disa vite, por kur erdhi ndryshimi i sitemeve, edhe këtu dora e njeriut prishi çdo gjë. Ato gropa nuk njihen, por më e keqja, u lejua të ndërtohen shtëpi mbi shtresën arkeologjike. E kujt do jetë përgjegjësia? A mundet që këto shenja të jetës në këtë territor në periudhën e neolitit të mesëm të zbulohen e të bëhen të vizitueshme? Kujt i takon shpjegimi i kësaj situate?
Pyetja që shtrohet: “A u përfshi kjo zonë në hartën e objekteve të mbrojtura arkeologjike? Në se po, në çfarë sipërfaqe? Në se jo, pse nuk u quajt zonë e mbrojtur me ligj: mos ndoshta se më vonë u zbuluan edhe vendbanime të tjera të kësaj periudhe në vende më afër qendrës? Kush duhet të përgjigjet për këto dëme e skandale?”. Nuk mund të vë gishtin tregues se kush duhet të përgjigjet, por kryetarët e komunës që lejuan ndërtimet pa leje në atë tokë duhet të kenë përgjegjësi, ashtu si dhe Qëndra arkeologjike e Fierit, pse të mos shkojë kjo përgjegjësi deri tek ministrat e kulturës të qeverive gjatë tranzicionit? Në themelet e atyre banesave kanë dalë patjetër materiale arkeologjike, sepse themelet bëhen mbi një metër thellësi, por kush i pa e i vlerësoi këto gjetje?
Kam shkruar për këtë problem edhe në artikuj të tjerë, por sot kur axhenda turistike qëndron në krye të ekonomisë, mendojë se vlen të vihet theksi tek kjo pasuri e madhe për zonën, por edhe për atë kombëtare. Nuk e di në se përfshihet Cakrani në projektin e 100 fshatrave, por edhe në se jo, ia vlen të bëhet diçka për nxjerrjen në dritë të kësaj pasurie.
Le të flasim pak edhe për vendbanimin e “Qytezës”. A ka më qartë të thuhet se aty ka patur një qytet të vogël? Sigurisht që shumë gjëra kanë ndryshuar si rezultat i erozionit, dëmtimit pa dashje nga dora e banorëve aty pranë, por diçka ka ngelur sa për të kuptuar e dëshmuar se në shekujt para Krishtit, në atë zonë ka patur jetë, madje të zhvilluar e që ka patur vazhdimësi. Edhe këtu gërmimet filluan me shumë vonesë. Të dhënat jepen në revistën “Iliria” për gërmimet e vitit 1983.
Eshtë një vendbanim që përfshin tri periudha ndërtimore: periudhën arkaike, atë helenistike dhe mesjetare. Një vazhdimësi jete për disa shekujsh nga banorët e lashtë të Cakranit. Mirë që u zbulua vendbanimi, megjithëse ishte mbi sipërfaqe të tokës, me pak mbulime prej shkurresh. U përcaktua se ishte aty një murë me gjatësi 57 m që klasifikohej i shekullit VII para Krishtit, ashtu si dhe në vazhdim të tij, muri me gjerësi 1.80 cm. e që klasifikohet i shekujve pasardhës, pra, shekujt VI – V para Krishtit.
Mirë për vendbanimin e neolitit të mesëm, po për këtë vendbanim nuk mjaftojnë të dhënat për të kundërshtuar teoritë greke të Magalidesë? Një apo më shumë shekuj para kolonive greke në territorin shqiptar, në Cakran ka patur jo vetëm vendbanime, por qytete!
A nuk është domethënës vazhdimësia e jetës në këtë vendbanim deri në mesjetë? Gërmimet arkeologjike, sado të vonuara, zbuluan aty banesa me hambare plot me prodhime bujqësore e frutikulture të karbonizuara. Më interesantja u gjetën aty monedha argjëndi: njëra e prerë nga Duka i Athinës Gijom I Rosh gjatë viteve 1280 – 1287; tjetra e Akesë e viteve 1297 – 1301, si dhe ajo e Bohemundit VII të Antiokisë në vitet 1274 – 1287. A nuk janë këto tregues të një zhvillimi tregtar të dallueshëm, pra bëhej tregëti me këto vënde nga e kanë burimin monedhat!
Si është sot ky vendbanim? Me ligjin 7501 ajo sipërfaqe e vogël arkeologjike iu dha dikujt për përdorim (Edhe në se nuk është dhënë me vendim, shfrytëzohet nga një individ për qëllimet e veta). A ka më skandalë? Kujt t’i kërkohet llogari për këtë? Kujt mund t’i vlejë më shumë një sipërfaqe 2 – 3 dynymëshe se sa arkeologjisë? Dhe pyetja vazhdon: kush e varrosi arkeologjinë e Cakranit? Për kuriozitet po botoj dy foto nga fillimi i gërmimeve në Qytezë.
Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit deri në laretësinë 520 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ka qenë një qytet i rëndësishëm. Që nga të dhënat e para që la arkeologu austriak Camillo Praschniker që e vizitoi këtë qytet në vitet 1917 – 18, e deri më sot, ai vendbanim nuk është zbuluar, madje as emrin e qytetit nuk kanë arritur të përcaktojnë. Janë bërë ekspedita informative e janë mbledhur të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por për mungesë infrastrukture, gërmimet nuk filluan kurrë.
Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka patur rreth 20 furra qeramike e tjegullash të cilat, thuhet se janë që nga shekulli VII para krishtit, dihet ekzistenca e një bazilike e cila u hulumtua në vitin 2010, janë zbuluar stera uji. Qyteti ka qenë i rrethuar me një mur 2100 m gjatësi e me sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun, i cili sundoi tokat nga Drini në Vjosë, në vitet 280 -270 p.e.r. (300 – 270, shkruhet diku tjetër, por qyteti mendohet se ka lulëzuar rreth viteve 380 p.e.r. pra shekulli IV p.e.r.).
Më e pakta që mund të mendojmë është se, që nga tregimi i C. Praschniker e deri sot dëmtimi i tij ka qenë i vazhdueshëm, është vjedhur, marrë, ashtu si edhe mund të jenë transportuar jashtë Shqipërisë. I pa mbrojtur ka qenë dhe është akoma. Çfarë ka penguar për zbulimin e tij? Thjesht rruga, e para dhe ndonjë banesë që mund të shërbente për ekspeditën për strehim e grumbullim materialesh, gjë që në lagjen pranë ka me shumicë.
Si ka mundësi që kooperativa bujqësore ishte në gjëndje të hapte rrugë për qerret e saja që shkonin pak më sipër murit verior të qytetit për mbledhjen e qershive dhe shteti nuk pati mundësi të hapte një rrugë rreth 4 km? Në vitin 2009 u ndërmor një iniciativë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, me nismëm: “Rikthim në Gurëzezë”, u bisedua për hapjen e rrugës etj, që duhej ta bënte komuna, por asgjë nuk lëvizi. U hap rruga disa vite më vonë, rrugë dheu që me një shi kthehet në baltë e rrëshqitshme, pra përsëri e pa shfrytëzueshme plotësisht.
Nuk pretendoj se di shumë gjëra për arkeologjinë, por ekzistenca e tre (katër duhet thënë me të sotmin) vendbanimeve që nga neoliti i mesëm e deri më sot në një vijë ajrore më pak se dy km, apo në rrugë tokësore rreth 4 km, nuk besoj se gjendet kund. Një park arkeologjik që do e kishin zili të gjithë. Nuk di çfarë të them, por interesimi për ta kthyer atë zonë në “Zonë turistike bujqësore dhe arkeologjike” vlen të vihet në nivelet më të larta. Zhvillimi i asaj zone duhet lidhur patjetër edhe me arkeologjinë. Mirë për qeveritë e djathta që nuk u interesonte kjo zonë, po këta të majtët për të cilët zona ka investuar vazhdimisht, çfarë i kanë dhënë zonës? Kjo pyetje u duhet bërë të gjithëve, drejtuesve lokalë e shhtetëror.
A mendon kush se sa fitim do kenë vendasit, por edhe shteti sikur atje të vijnë rreth 100 turistë në ditë, pra dy autobus, të cilëve u duhet të paguajnë rreth 20 apo më shumë euro për të vizituar këto vendbanime, pra mbi 2000 euro do marri shteti. Por ata njerëz duan ujë, duan kafe, edhe mund të drekojnë apo të hanë diçka në këmbë, fitime këto të tregut vendas. Këto janë llogari ne efir nga ana ime sepse nuk jam specialist i fushës, por me siguri që fitimet do jenë në rritje për të gjithë.
Fitimi më i madh do jetë për njohjen e kësaj zone nga vendasit e të huajt, sepse në asnjë libër historie të shkollave apo në guidat e botuara, nuk përmendet emri Cakran.
Sa prodhime bujqësore mblidhen në vit atje? Pa llogari, por atje mund të prodhohet çdo gjë dhe ata turistë që do të vijnë, patjetër që do blejnë se duan të hanë, fruta, perime të freskëta etje. Atje mund të shfrytëzohet shumë mirë edhe rezervuari i Gëlqerzës, gati si një liqen, ku mund të vendosen vendpushimi për vizitorët, ashtu si mund të shfrytëzohen vendet e pyllëzuara e me burime të shumta në çdo kohë. Ka shumë resurse ai vend. Për cilindo do ishte kënaqësi të hante një drekë nën hijet e pishave e pranë Çezmës së Gëlqerzës apo anës liqenit (rezervuarit) atje.
Jam qytetar i thjeshtë, por më dhimbset vendlindja me emër të madh. E thash më sipër kam shkruar artikuj për këtë problem, por kam shkruar edhe letra në Ministrinë e Kulturës.
Për letrën e parë, mendoj se nuk gjeta kohën e përshtatshme se ishte vit elektoral dhe të “mëdhenjtë” nuk e kanë mendjen tek problemet e vendit, por tek vendi i karriges që do të zënë. Nuk mora përgjigje për letrën e datës 03.06.2013. Shkrova përsëri më vonë mora përgjigje e cila mund të përmblidhet në këto rreshta: shkurtimisht, unë qytetari i interesuar duhej t’u drejtohesha institucioneve përgjegjëse të arkeologjisë, (qëndrës së arkeologjisë) për vendbanimet, ndërsa për muzeumin t’i drejtohesha Bashkisë Fier. Pra, atje sipër nuk e ngrenë dot telefonin e të dërgojnë një nga punonjësit që mbulon e paguhet për këtë sektor në institucionin përkatës, apo të marrin vet në telefon atje ku duhet, por më takon mua të bredh e të harxhoj nga pensioni për të bërë të ditur se ekziston një vend me emrin Cakran me tre vendbanime të lashta që duhen bërë të njohura e të vizitueshme.
Ekziston një ndërtesë atje ku sot është Qëndra Administrative, në të cilën ka mundësi që edhe ata të punojnë (në katin e parë) dhe sipër të krijohet një muzeum dhe salla e mbledhjeve të kthehet në bibliotekë. Nuk di kujt t’i drejtohem, prandaj dhe po e bëjë publik problemin, duke menduar se dikujt në Bashkinë e Fierit apo në Qendrën Arkeologjike mund t’u vrasi veshin. Nuk përjashtohet këtu mundësia e ndërhyrjes nga Ministria e Kulturës apo Akademi e Shkencave të cilët i kanë kompetencat me pashë për të dhënë mendime e fonde në se nuk u vret veshin fjala Cakran??
Sidoqë të ndodhi, jo pa përgjegjësi është edhe drejtuesi i Qendrës Administrative atje, i cili duhet të kërkojë duke përgatitur projektet e duhura nëpërmjet specialistëve të bashkisë nga varet. Dikush duhet të bëjë diçka për atë krahinë, për të cilën nuk bëra prezente shumë gjëra të tjera interesante nga lashtësia, ku veçohet shpata dhe heshta e bronzit, varret tumulare, bazilikat e plot gjetje monedhash e sendesh arkeologjike, mbi sipërfaqe të tokës.

problemi qe ngre eshte alarm per te gjithe vendbanimet e lashta qe po rrenohen ne demokracine e hajduteve.