I nderuar lexues! Qyteti muze i Butrintit u zbulua nga Luixhi Ugolini, arkeolog italian. Në vitet 1926-1936, Ugolini kryesoi një mision arkeologjik në jug të Shqipërisë, duke u përqendruar në Finiq dhe në Butrint. Duke mos marrë rezultatin e pritur nga gërmimet në Finiq, më 1928 u shpërngul në Butrint. Arkeologu italian zbuloi aty një pjesë të qendrës së qytetit ku ishte ruajtur teatri, një portik, mure rrethuese, tempuj e godina të tjera. Ugolini botoi tri vepra të titulluara “Shqipëria antike”, ku dy vëllime ia kushtoi gërmimeve të Finiqit dhe Butrintit, duke lënë një informacion të hollësishëm mbi këto dy qytete.
