Ardit Kërtusha, ish-kandidat për kreun e PS në Durrës ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lokalin e reperit të njohur Noizy që ka në bregdetin e Durrësit.
Ardit Kërtusha është pjesë e PS që prej shumë vitesh. Përplasja mes tij drejtuesve të lartë socialistëve në Durrës nisi në tetor të vitit 2019, kur ai shprehu dëshirën për të kandiduar për kryetar i PS në zgjedhjet që u mbajtën në Janar, 2020.
Në vazhdimësi, Kërtusha ka akuzuar se është kërcënuar dhe është larguar padrejtësisht nga detyra në OSHEE, në formë hakmarrje pasi po kërkonte të kandidonte pa pëlqimin e gardës së vjetër të PS në Durrës me në krye Vangjush Dakon.
Më pas ai u tërhoq nga gara.
Para zgjedhjeve të 25 prillit, Kërtusha iu bashkua Partisë Demokratike dhe zhvilloi takime me Lulzim Bashën.
Ish kryetari i FRESSH për qytetin e Durrësit u shpreh asaj kohe se qyteti ishte peng i interesave të Dakos. Basha u tregua entuziast për faktin që ka socialistë që duan ndryshim dhe e gjejnë ndryshimin tek Partia Demokratike.
