E keni menduar ndonjëherë se kush është lojtari më i shpejtë në Premier League? Po flasim për vitet e fundit, të paktën, ose më saktë që nga viti 2014 e këtej, kur “Opta” nisi të regjistronte statistikat.
Përgjigjen nuk e prisnit. Këmbëshpejti i kampionatit anglez është mesfushori Leroy Sané, një nga të preferuarit e trajnerit Pep Guardiola te Manchester City. Gjermani, i transferuar nga Schalke 04 në vitin 2016 për 37 milionë paundë, këtë sezon ka shkëlqyer në “Etihad Stadium”, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë dy asiste në shtatë ndeshjet e para.
21-vjeçari tani ka edhe një rekord në emrin e tij, i vendosur në fitoren 1-0 kundër Chelsea-t në “Stamford Bridge” javën e kaluar. Ai regjistroi një shpejtësi prej 35,48 kilometrash në orë dhe i theu rekordin sulmuesit Jamie Vardy (Leicester City).
