Cili është vendi më i rrezikshëm në planet?

anazapta

Është në qendër të trafikut të drogës, nga ku çdo vit kalon 80% e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Shteteve të Bashkuara. Por ajo që e bën edhe më të pajetueshëm këtë shtet të vogël është fakti se në rrugët e tij ndodhin mesatarisht 20 vrasje në ditë

Në pamje të parë mund të ngjajë një vend si gjithë të tjerët, me djem dhe vajza që argëtohen duke luajtur nëpër rrugë pa shqetësime dhe risqe, dëshmitarë të një kohe që rrjedh e qetë. Por, realiteti është shumë i ndryshëm. Shoqëria në këtë shtet është e kërcënuar nga një nivel kriminaliteti shumë i lartë, të cilin institucionet shtetërore nuk arrijnë ta mbajnë nën kontroll dhe ndërhyrjet ushtarake janë të domosdoshme për të gjetur përgjegjësit e krimeve të vogla dhe trafiqeve të mëdha ndërkombëtare. Është fjala për Hondurasin, shtetin në Amerikën Qendrore i kthyer në unazën kryesore të fluksit të drogës që vërshon nga vendet e Amerikës së Jugut për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai që flet mbi gjendjen në këtë shtet është  Phillip Sherwell i dërguari i rrjetit amerikan “The Telegraph” në kryeqytetin e Tegucigalpa, ku tashmë ushtarët e armatosur qarkullojnë nëpër rrugë, madje edhe në oborret e shkollave.

90 të vdekur në çdo 100 mijë banorë – Emergjenca është e lartë në Honduras. Gjatë vitit 2012 niveli vrasjeve arriti në 85 viktima për çdo 100 mijë banorë, por rekordi tragjik mund të tejkalohet këtë vit me 90 viktima për çdo 100 mijë banorë. Një alarm tepër shqetësues, i cili ka përfunduar në rend të ditës në përballjen midis kandidatëve të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen të dielën e ardhshme. Lidhur me këtë event janë shtuar njësitë e reja të patrullimit nëpër getot e qytetit.

Varfëri dhe kontroll ushtarak – “Këto zona ishin në duart e bandave”, tregon për “The Telegraph”,  Josè Lopez Raudales, ish-komandant i ushtrisë, tani drejtues i trupave të angazhuara në kontrollin e territorit të Tegucigalpa. “Në rrugët e ndotura nga pusetat dhe muret e mbushura me grafite, – shpjegon ushtaraku, – forcat e sigurisë kanë operuar deri më sot me ekipe të pamjaftueshme, të cilat kanë qenë joefikase. Madje, shpesh agjentët kanë përfunduar si bashkëpuntorë të kriminelëve, situatë e cila iu ka hapur rrugë të lirë edhe vrasësve”.

20 vrasje në ditë – Një nga ndërhyrjet e para të trupave të përbashkëta në kryeqytet muajin e kaluar ka qenë ajo për të zhvendosur trupin e një burri të qëlluar nga 12 të shtëna në kokë, një operacion rutinë ky në disa aspekte. Në Honduras jetojnë rreth 8.5 milionë persona dhe numërohen mesatarisht 20 viktima në ditë nga kriminaliteti. Ky është një nivel 5 herë më i lartë në krahasim me qytetin më të rrezikshëm të Shteteve të Bashkuara, Çikago. Nuk është statistika e vetme domethënëse, pasi nga Hondurasi kalon rreth 80% e kokainës së destinuar për në Shtetet e Bashkuara. Jo rastësisht ushtarakët hondurianë punojnë me mbështetjen e agjencisë amerikane “Drug Enforcement Agency”.

Hondurasi, republika e vogël amerikanoqendrore, renditet si shteti i dytë më i varfër i Amerikave dhe një ndër të parët në botë për nivelin e dhunës dhe kriminalitetit. Kush përfundon në burgjet e tij nuk i nënshtrohet ligjeve të shtetit, por atyre të imponuara nga vetë të burgosurit. Sipas një raporti të Komisionit interamerikan të të Drejtave të Njeriut, në të 24 burgjet e vendit janë vetë të burgosurit që organizohen midis tyre, duke zgjedhur të ashtuquajturit “koordinatorë”(pjesë e bandave kriminale) që përcaktojnë rregullat aty brenda dhe vendosin sanksionet./D.Gjuzi

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *