Për freskim njohurish…
Nuk ka nevojë për arsimim të posaçëm që të kuptosh se kombi është një bashkësi e qëndrueshme njerëzish e formuar historikisht sipas një gjuhe, territori, jete ekonomike dhe formimi psikik që shfaqet në bashkësinë e kulturës me përbërësit e saj. Ky përkufizim i dalë në skenën e zhvillimit shoqëror me shthurjen e marrëdhënieve fisnore, ka një lashtësi mijwra vjeçare dhe do t’i duhet ndoshta më shumë se mijwra vjet për t’u transformuar në një tjetër.
Lidhur me përkufizimin ‘komb’, për të cilin në shkollat tona të sotme flitet fare pak, janë rreth 10-15 përkufizime të tjera përvijuese që shpjegojnë më tej thelbin e tij, tërësinë e përbërësve, të përbashkëtat dhe të veçantat e pjesëve brenda emërtimit në fjalë. Kur zëmë në gojë kombin, sakaq së pari, shkon mendja tek gjuha shqipe, flamuri, himni, heronjtë, objektet që e përfaqësojnë, e simbolizojnë dhe e lartësojnë atë.
Kështu do të përmendja si objekte: Territori kombëtar tokësor, ajror e ujor, Muzeu Historik Kombëtar, Teatri Qendror Kombëtar (Teatri Popullor), Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, Aeroporti(Nënë Tereza), Porti (i Durrësit), Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”; Galeria Kombëtare e Arteve, Autostrada Kombëtare. Po ashtu janë të karakterit kombëtar edhe disa veprimtari që i organizon herë pas here në tërësi shteti apo rrallë edhe individë, që përfaqësojnë kombin në fjalë si: festivale kulturore (artistike, filmike, folklorike, etj), olimpiada të karakterit të ndryshëm shkencor, konkurse, aktivitete tradicionale, ekspozita, gara, kampionate, takime të njerëzve të një rryme ideologjike, specialiteti, shkence,politike, feje. Po aq janë ‘pronë e kombit’ edhe grupe njerëzish të një lloji të posaçëm veprimtarie si: “skuadra sportive, ansámble artistike, ekipe, grupe, etj.si dhe fusha veprimtarie të ndryshme prodhuese, kulturore, morale, artizanale, e të karakterit psikologjik si pjesë e ndërgjegjes kombëtare.
Në ‘pronësi direkte’ të çdo kombi janë individë të përveçëm që hyjnë në fondin e më të sipërvlerësuarve si: mitet, heroi, dëshmorët, aktorë, poetë, sportistë, shkencëtarë, udhëheqësa shteti etj., ndër kohwra. Të rëndësisë kombëtare në aspektin historik janë edhe një sërë ngjarjesh, të cilat mbeten piketa udhërrëfyese të çimentuara e të patundshme për ecurinë e çdo kombi: Dita e shpalljes së pavarësisë, Dita e Çlirimit, Dita e krijimit të ushtrisë, etj. Në terminologjinë politike e juridike bëjnë pjesë “çështje kombëtare”, “e drejta kombëtare”,”zgjimi kombëtar”,”kongresi kombëtar”, “kombësia dhe shtetësia”,etj. Pra, si i tillë, kombi përfytyrohet , do të thosha, si një qenie komplekse e tërësishme dhe e pamohueshme, madhore e gjithëbotërore. Dhe të tërë popujt e rruzullit, të përfaqësuar nga udhëheqësit e tyre kolegjialë apo individë, i ruajnë në vijimësi këto objekte e simbole si sytë e ballit. Ndryshe po ndodh në atdheun tonë përgjatë këtyre 30 vjetëve të udhës sonë drejt vendosjes së plotë të kapitalizmit si sistem ekonomiko-shoqëror…
Është shokuese që …
Me propagandën e shfrenuar që kryen sistemi kapitalist duket sikur të gjithë njerëzve, të një kombi, njësoj iu garanton lirinë, të drejtat etj. etj. Mirëpo shohim se ua paska dhënë lirinë të gjithëve! Uaaa, sa mirë! Kur u jep lirinë të gjithëve, në realitet,- ke bërë të keqen më të madhe për shoqërinë, sepse ajo është individuale dhe e papërkatësishme. Më shkoqur: Edhe tregon të vërtetën edhe je i lirë-sepse kështu meriton e duhet të jesh! Këta janë tepër të rrallë. Mirëpo tek ne ndodh ndryshe: Edhe mashtron një popull të tërë dhe mbetesh i lirë!? Edhe vjedh – edhe je i lirë!? Edhe vret- edhe bredh udhëve pa të hyrë gjemb në këmbë?! Edhe çon të tjerët drejt vdekjes edhe gëzon liri të plotë?!” Në të njëjtën kohë, ai që kapet me dhjetë gram hashash kalbet në burg! Si qenka liri kjo katrahurë? Si mund të jetojë shoqëria, bashkësia, atdheu, kombi kështu? Pra, kapitali e shfrytëzon kombin si nocion juridik me mashtrime, premtime, ‘thërrime’ dhe vetëm si mjet për të shtyrë vitet e jetës së tij.
Këto aspekte, ne që e njohëm dhe e jetuam të plotë sistemin ekonomiko-shoqëror socialist, kohë në të cilat, në kuadrin e zhvillimit pozitiv të përgjithshëm, u institucionalizuan dhe morën formën e duhur siç e kanë sot, shumica e objekteve, ngjarjeve dhe personave kombëtarë, po i shikojmë, po i përjetojmë tërësisht e po shokohemi në Shqipërinë tonë të tanishme protokapitaliste. Është fakt kërshërues që përgjatë këtyre 30 viteve, në vendin tonë është krijuar një klasë borgjezësh të rinj, jo aq të kulturuar e atdhetarë se sa të pasur, të cilët herë bërtasin e herë mbajnë fjalime në mbrojtje të kombit, popullit dhe tërë treguesve të tjerë të përgjithshëm të këtij trualli që quhet Shqipëri. Mirëpo ne shohim se njëherazi ata janë zhvatës pasurish, shërbëtorë të bindur, krejt të verbër të ustallarëve të kapitalit të madh, të huaj dhe nuk shqetësohen sinqerisht për fatin e kombit. E them me zë të lartë, që, po qe se nuk demaskohen e ndalohen, fatkeqësisht, të tillët mund ta shpien kombin tonë në prag të greminës! E së pari, me të gjitha mënyrat që lejon ligji dhe tradita, që kërkon liria e vërtetë njerëzore, duhen demaskuar personat- kryetarë që janë ulur në kolltukun kryeministror. Sepse fajin e ka përherë koka.
Disa konkretizime
U rrëzua përmendorja e Enver Hoxhës nga sheshi qendror i Tiranës. Natyrisht ky monument lidhej me komunizmin dhe banorët e aktorët politikë të atrofizuar e të dalldisur të atyre viteve përmbysjeje e ca më pak udhëheqja sahanlëpirëse e ish-komunistit Sali Berisha nuk kishin këllqe që të thellonin më tej përmbysjen e sistemit. Duhej patjetër të hiqej zvarrë ai monument bronxi, që pati fuqi jetëdhënëse dhe mbeti, aq i fortë sa mund të quhet identitet i kohës së sistemit socialist në Shqipëri, pa të ecej më tej. Ky rrëzim monumenti (që me siguri historia ka për ta korrigjuar, duke e ringritur) ishte edhe dëshirë e flaktë e imperializmit dhe goditje e domosdoshme për rendin që duhej të vendosej, kapitalizmin, me emrin gënjeshtar ‘ekonomi tregu’ dhe nofkën përkëdhelëse ‘demokraci’. Me këtë veprim, realisht nuk u sulmua ashpër vetëm socializmi, por u godit rëndë edhe kombi shqiptar.
U hoq ylli nga Flamuri Kombëtar prej qeverisjes me kryetar Sali Berishën. Po ato ditë u hoq ylli edhe nga Mozaiku i vetëm madhor në sfondin ballor të Muzeut Kombëtar. Kjo nuk ka qenë kërkesë amerikane, por dëshirë e Saliut dhe shokëve të tij demokratë. Pra konkretisht u cenua një objekt kombëtar, flamuri. U tentua, prej tentakulave kombprishëse të presidentit Sali Berisha që të ndërrohej edhe teksti i Himnit Kombëtar, por nuk iu arrit dot qëllimit. U shkatërruan aq shumë uzina e fabrika, ndërmarrje bujqësore e industriale (shumë prej të cilave kapitali europian i kishte vlerësuar lart për prodhim cilësor), shkolla e institucione shkencore për t’u zëvendësuar me të tjera prokapitaliste. Në këtë valë goditëse rolin kryesor e ka luajtur përsëri Sali Berisha, Azem Hajdari e kompania e elementëve antikombëtarë që vraponin pas tyre. U shkatërrua ushtria prej gjeneralëve të natës së Sali Berishës, ashtu siç u shkatërrua edhe diplomacia shqiptare… Këto, e shumë të tjera, i shkaktuan kombit shqiptar plagë tepër të rënda.
Ishte Sali Berisha ai që inicioi mohimin e datës 29 nëntor 1944 së çlirimit kombëtar nga pushtimi nazist gjerman e ai fashist italian duke pretenduar se ishte data 28 e po atij muaji. Ky ka qenë një sulm monstruoz antikombëtar me qëllime të shumëfishta direkte e me afat të gjatë veprimi. Duke mohuar këtë datë baltosej Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe iu hapeshin udhët veprimeve të tjera antikombëtare si këto që shohim tashmë: dëshmorët e partizanët, heronjtë e luftëtarët të quhen kriminelë! Për të tilla bëma antikombëtare ky ish-president i vetwzgjedhur, ish-kryeministër i paracaktuar në atë post,duhet të përgjigjet para gjyqit të popullit. Kjo me siguri do të ndodhë një ditë, edhe pse shumë vonë…
Ismail Qemali na kritikon
Me që jemi këtu, është e domosdoshme të kujtojmë diçka nga jeta e babait të kombit tonë Ismail Qemalit të cilën na i sjell të freskët prof.dr. Bardhosh Gaçe.
“… më 1871, kur francezët bënin protesta për çështjen e Alsas-Lorenës, Ismail Qemali, i ftuar dhe i shoqëruar nga Viktor Hygo e Klemansoi, kishte marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Francez, pas mbledhjes kishin darkuar në një lokal. Klemansoi, i befasuar nga kultura e Ismail Qemalit, e kishte pyetur: “Si është e mundur që ju dini kaq shumë për vendin tim, ndërsa ne e njohim shumë pak vendin tuaj?” Dhe Ismail Qemali ia kishte pritur: “Kështu ndodh z. Klemanso, sepse ju francezët keni 500 vjet që e merrni baltën dhe e fryni e krijoni heronj, ndërsa ne shqiptarët heronjtë tanë i kemi kthyer në baltë…”
Kjo thënie e pakrahasueshme e Tij, tingëllon aktuale, e jo si para thuajse 150 vjetëve, -kaq madhështor ishte Ismail Bej Vlora! Si mund të anashkalohet një porosi e tillë e atij Burri!? Është në Vlorë Monumenti i Pavarësisë, se e meriton plotësisht bashkë me patriotët e tjerë të lartësuar, por ajo ka 47 vjet që është bërë, sepse atëkohë “kish stani çoban” dhe vlerësoheshin ngjarjet kombëtare. E si të mos e ketë përmendoren e merituar ky NJERI, madhështia e të cilit sa vjen e rritet, në mes të Tiranës, krahas Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut?
Tani kur në kryeqytet lartësohet jashtë dhe larg meritave reale kombëtare monumenti i mbretit Ahmet Xh. Zogu, madje ka edhe një bulevard me këtë emër, mungesa e përmendores së Ismail Qemalit, Themeluesit të Shtetit të Pavarur Shqiptar, është një goditje direkte paksa e heshtur që i jepet kombit shqiptar për gjatë këtyre viteve qoftë socializëm, qoftë kapitalizëm. Rrugëzgjidhja: Urgjentisht kryetari i qeverisë të orientojë ndërtimin e kësaj përmendoreje. Mirëpo ai,me sa shihet, nuk e ka këtë “opsion në axhendë”. Të bëhemi së bashku disa dhjetëra shoqata, institucione e individë dhe t’i dërgojmë peticion kryetarit të qeverisë që të korrigjohet gabimi e të plotësohet ky boshllëk vetwshpërfillës.
Teatër, estradë dhe antikombëtarizëm akademik
Ka dy vjet që bëhet zhurmë për Teatrin Popullor(Kombëtar), sfidë kjo që është kthyer tashmë në estradë acaruese e shtetit shqiptar. Është shkruar e folur për këtë të ashtuquajtur çështje,sa nuk ka krahasim me dikë tjetër,por unë si qytetar kam vetëm dy-tri fjali. E para, atyre që e “luftojnë” kryeministrin duke pasur në krye L.Bashën,u lëshon goja lëng përse ato pará që do t’i marrë Edi Rama të mos i marrë Lul Basha. Dhe asgjë më. Nga ana e tij kryeministri me një gur do të vrasë tre zogj: rregullon bukur edhe një tjetër copëz trualli,aktualisht zgëqe,në qendër të kryeqytetit sipas idesë së parapëlqyer të tij, lidhur kjo edhe me fitimin që i përket ligjërisht. Deri këtu jemi në rregull. E dyta, kryetari nuk e rrudh shumë mendjen se po ndërton përsëri një teatër i cili do të jetë liliput para kullave pranë tij, mjafton që funksionalisht ai përsëri të quhet teatër. E treta dhe më e rëndësishmja, ky institucion nuk do ta këtë më emrin as Teatri Kombëtar as Popullor, por … dreqi e merr vesh, …boll që është pranë kullave, emri i të cilave logjikisht do të eklipsojë objektin me cilësimin ‘kombëtar’.
Rrugëzgjidhja: të bëhet, me hir a me pahir, ajo që thotë qeveria, por teatri të ruajë emrin që ka dhe disa relikte muzeale nga aktivitetet dhe jeta e artistëve të papërsëritshëm të historisë së artit dramatik dhe në tërësi të teatrit shqiptar të viteve 1944-2019.
Në nëntor 2018 kryeministri ynë me zhurmë, shumë zhurmë,(ashtu si dikur këndonte këtë këngë), rehabilitoi kryeballistin, kryekolaboracionistin, historianin jo kombëtar dhe publicistin e zakonshëm, dhuruesin e një sasie të madhe librash, Mit’hat A. Frashëri. U kundërshtua ashpër e dendur lart e poshtë, por ai nguli këmbë në të tijën dhe guxoi e tha: “Ulni kokën. Atë e di unë.” Për mendimin tim, duke demaskuar këtë veprim të padrejtë dhe antikombëtar, në qoftë se ndonjëherë ky kryeministër do të delte para gjyqit të popullit, do të mjaftonte vetëm kjo akuzë: rehabilitimi i një kryetradhtari të kombit. Ja që historia na sjell fakte të reja: pas nëntë muajsh të vendosjes padrejtësisht të këtij busti pranë tre korifejve të Rilindjes Kombëtare shqiptare, i hiqen pllakat dhe dëmtohet … Primitivizmit modern antikombëtar të kryeministrit i jepet një përgjigje primitive naive anonime domethënëse. Kush e ka mendjen në mësim le të nxjerrë detyra.
Nuk na mbetet kohë që të flasim për ato pak suksese dhe arritje ekonomike, sociale, në sektorë të turizmit, transportit, kulturës, shëndetësisë etj., të kësaj qeverie, në fasadë e majtë e socialiste, sepse gjëmojnë përditë bëmat antikombëtare të segmenteve të caktuara me miratimin e po qeverisë.
Dëgjuam se do t’i hiqet (sepse do të blihet një tjetër) emërtimi i Stadiumit Kombëtar; do të quhet “Arenë… “. Qoftë thashethem! Dihet që në këtë sistem ekonomiko-shoqëror,gjithçka është biznes,por ama nuk duhet të cenohet kombi! Po ashtu do t’i hiqet emri, të cilin e mban për 71 vjet rresht ‘Qemal Stafa’, heroi simbol të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ky është një tjetër akt tradhtie kombëtare. Po qe se do të ndërtohej një stadium i ri,në një terren tjetër,do të ishte e natyrshme që do të kishte emrin përkatës. Por ky dhunim që i bëhet objektit të vetëm kombëtar madhor për futbollin, është më tepër se kaq,është goditje kundër kombit. Rrugëzgjidhja: emri i stadiumit kombëtar të ristrukturuar të futbollit të vendoset vetëm me referendum popullor,ndryshe ne njerëzit e thjeshtë do të ngrihemi në këmbë kundër tradhtarëve. E kjo duhet të dalë si kërkesë nga deputetët e parlamentit që deri tani heshtin si të mos jetojnë në Shqipëri, por në… Bangladesh!
Pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare sot nuk do të kishte Shqipëri!
Vazhdon kalvari i goditjeve ndaj kombit tonë prej atyre që nuk e duan atë, direkt apo me anë të veglave qorre apo të ringjalluara, pinjollë të kolaboracionistëve, ballistëve, zogistëve, neofashistëve, etj. Dëgjojmë për një plan qeveritar për festimin e 75 vjetorit të çlirimit nga nazifashizmi. Por deri tani heshtje,përveç Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Kombit që vijon normalisht përgatitjet, aq sa i ka mundësitë financiare e fizike,për këtë festim jubilar. Na del një zvëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave (çudi, si e kush e shpuri Vaso Tolen në atë post?!) që firmos e vulos një vendim për një të ashtuquajtur konferencë akademike ndërkombëtare me temë “Antifashizmi popullor tek shqiptarët, pa armë, pa uniformë …” dhe jepet orientimi që të synohet të shpjegohen e përcaktohen mirë termat “dëshmor, martir e viktimë”. Turp më të madh s’ka parë e dëgjuar ky truall! Madje paskan planizuar edhe një konkurs për veprat më të mira rreth kësaj teme. Mendimi im si qytetar krejt i thjeshtë(të cilin e kam shprehur edhe me parë në DITA) është që kjo e ashtuquajtur konferencë të bojkotohet dhe nismëtarët të ndëshkohen administrativisht dhe penalisht. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje e drejtë ndaj atyre që godisin kombin për të shpërfytyruar luftën më vigane të këtij populli që shpuri në çlirimin nga nazizmi e fashizmi. Këto ditë të përvëluara del edhe një ndërtim objekti përkujtimor turk (!) i cili mbiu si kërpudhë në mes të vapës,pa rënë pikë shiu! Thonë se…e ç’nuk thonë! Por,realisht kjo është vijimësi e veprimeve kobzeza qeveritare,dhe vetëm qeveritare, për vendosjen e eshtrave apo varreve të të huajve në këtë truall edhe kur ata as nuk kanë qenë e as nuk luftuar fare këtu!? Fajtore është vetëm qeveria, që shet emrin e kombit për interesa të ngushta të politikës së verbër,por jo më pak edhe ata që janë pranë kryetarit,jo më pak deputetët,specialistët etj.
Goditjet kundër kombit, nuk do të pushojnë. Mirëpo shqiptarët në udhët historike kanë folur me vepra: armiqtë janë aty përballë nesh për të lartësuar lavdinë tonë! Një shembull i shkëlqyer i atdhetarisë së kulluar, i luftës së rreptë, të pandërprerë e të furishme, me penën e tij të shkëlqyer është Arben Duka, poeti i vetëm shqiptar në këto 40 vite që shkruan vargje(miliona e miliona vargje janë ato!) çdo ditë pa ndalesë për jetën shqiptare,për hallet e Nënokës sonë, për kombin tonë, duke u bërë frymëzim për të gjithë brezat. Mbi të gjitha, argumentet që sjell ai për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe gjakun e dëshmorëve, janë të qarta: pa atë luftë sot nuk do të kishte Shqipëri!
Ne do të fitojmë betejën kundër atyre që guxojnë të godisin kombin me qëllimet e tyre ogurzeza, qofshin këta edhe në krye të qeverive. Kombin me përbërsit e vet, me përpjekje të përbashkëta, i madh e i vogël, këtu dhe jashtë vendit, në fushë e në mal, në det e në qiell,me vetëdije e me çdo mjet,do ta mbajmë të fortë, sepse për të është derdhur gjak i pastër bijsh e bijash të këtij populli.
Ilmi Qazimi

Shkrim interesant, i trajtuar ne menyre te guximshme. Autori eshte i drejteperdrejte, duke i ilustruar idete e tij shume te qarta me emra konkrete. Ne shkrim gjen “fytyren” e publicistit, te historianit, por edhe te politikanit te dites. Shkrimi pershkohet nga nje analize realiste e problemeve qe shtrohen, ku nuk mungojne edhe alternativat zgjidhese qe shpreh autori. Nderkohe, mendoj, se autori lipset te mos shperndahet ne shume tema brenda nje shkrimi, sepse çdo paragraf fare mire do te mund te ishte nje shkrim me problematike më vete. Urime autorit per trajtimin e qarte e pa ekuivok te çeshtjeve qe ngre!
Me pelqeu shkrimi i autorit Ilmi Qazimi, se ne të flitet pa dorashka, ndryshe nga disa pseudoanaliste. Autori pohon se rreximi i bustit te Enverit paska qene veper e nje grupi njerezish me frymezim jo te vertete popullor e se dëmin me te madh Shqiperise ia paskan sjelle ca elemente te çoroditur menderisht, si Sali Berisha, Azem Hajdari e te tjere te kesaj natyre. Edhe kur ben fjale per Alademine e Shkencave, nuk nuron te kritikoje edhe Vaso Tolen, qe u behet pale atyre qe kerkojne te devijojne lavdine e LANÇ. Nuk besoj se autori eshte nostalgjik, por eshte realist. Urime autorit, urime edhe kesaj gazete (DITA) shume te emancipuar politikisht.
Nje shkrim denjtoz. Ftoj te rinjte qe te lexojne sa me shume per historine e popullit shqiptar. Periudha e socializmit,apo si thuhet shpesh here koha e Enver Hoxhes , midis shume e shume te mirave pati edhe te meta e gabime,por kurre ,kurre diktature ne kuptimin qe e perdorur sot nga ish -klasat e permvysura. Te rinjte duhet te lexojne e kuptojne se Shqiperia para vitit 1944,ishte nje shtet me sistem Feudal. Me nje jetese mizerable, me nje popullsi 95% analfabete, ku pjesen me te madhge te fushave e zinin kenetat e mocalet. Kur ne mbare boten treni u binte kruq e terthor vendeve perndimore e lindore, populli shqiptar nuk i dinte as emrin hekurudhe, nuk njhte as makina e traktore. Te rinjte le te lexojne e shikojne jeten para luftes se lavdishme Nacionalclirimtare e pas saj me ndertimin e socializmit. te interesohen se kur u ngriten ato uzina e fabroka, kur u griten ato institucione arsimore e kulturore. Le te lexojne nje nga udheheqesit e Ballit kombetar, Abaz Ermenjin e temesojne per gabimet e Ballit gjate luftes. Adriatik Kryemadhi i ka me te tregua e lexuar,e tani i shtremberone te verteat per interes politike. Analiza e bere nga artikullshkuesi ,Ilmi Qazimi, nje oficer madhor eshte sa reale aq dhe e besueshme. Saliu keto 30 vjet me deformimin e historise s’ben gje tjeter vetem se diskrititon ne syte e botes vlerat e pamohueshme liridashese, arsimore e kulturore te popullit tone. Saliu me Partine demokratike i sherben reaksionit serbo-grek. Por keqardhja me emadhe eshte se dhe Edi Rama ne kete rruge po ecen ne gjurmet e Sali Berishes. Pergezime autorit te shkrimit Ilmi Qazimi.