Çmimi i naftës ra këtë javë në nivelin më të ulët që prej 2009-ës, kur vlerat e referencës së tregut qëndruan në 40.7 $ (Brent) dhe 37.63 (West Texas). Analistët komentojnë se kjo rënie është një pasojë e qartë e takimit të anëtarëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) të premten e javës së shkuar, ku u vendos të ruhet niveli i prodhimit të naftës. Në këtë mënyrë do të ruhet mbiprodhimi aktual që bën uljen e vazhdueshme të çmimit.
Euan Mearns, redaktor i sajtit të specializuar OilPrice.com, komenton se për një periudhë të shkurtër vlerat mund të bien deri në 20$ për fuçi. Nga ana tjetër, Patrick Pouyanne, drejtor i kompanisë franceze “Total”, tha për BBC se oferta e naftës do të vazhdojë të kapërcejë kërkesën të paktën deri në gjysmën e dytë të vitit 2016, prandaj nuk parashikohet një rikuperim i çmimeve. Në një panoramë të tillë, kush qesh dhe kush qan nga rënia e çmimeve?
Ndër fituesit renditen prodhuesit e naftës me shist argjilor në SHBA që kanë përmbytur tregun me prodhimin e afro 4 milionë fuçive në ditë. Kostoja e prodhimit të çdo fuçie është më e ulët se teknikat tradicionale, gjë që i lejon këta prodhues të mbajnë luftën e çmimeve të ulëta, që shqetëson OPEC-un. Drejtuesit e automjeteve gjithashtu janë përfitues. Çmimi i litrit të benzinës ka rënë në shumë vende.
Në Shtetet e Bashkuara për shembull ka rënë në 2.05$ për gallon (3.78 litra). Edhe kompanitë me konsum të lartë të naftës diesel dhe benzinës, si linjat ajrore, industritë bazë dhe gjeneratorët përfitojnë dukshëm nga kjo ulje e çmimeve. Sipas Nick Cunningham, i sajtit Oilprice.com, qeveria e Venezuelës hyn në listën e viktimave të çmimeve të ulëta të naftës. Partia e Nicolas Maduros humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e fundit.
Ky rezultat mund të shpjegohet me kolapsin e çmimeve të naftës, gjë që ka shkatërruar ekonominë e vendit duke tharë burimet e të ardhurave dhe dobësuar vlerën e monedhës. Pa një rikuperim të çmimeve në një kohë të shkurtër, opsioni i vetëm për Venezuelën është që të marrë masa për të korrigjuar problemet në tregun e brendshëm të naftës. Venezuela ka benzinën më të lirë në botë, 0.02 $ për litër.
Indekset e bursave kryesore në botë u ndikuan negativisht nga kjo sjellje e naftës, për shkak se aksionet e kompanive të sektorit të energjisë filluan të injorohen nga ana e investitorëve. Kështu kompani të tilla si Chevron dhe ExxonMobil kanë humbur vlerën gjatë ditëve të fundit. Organizata dikur e fuqishme OPEC, e aftë të përcaktonte fatin e çmimit të naftës i ka duart e lidhura. Tani çmimi varet nga ajo çfarë vendosin prodhuesit amerikanë të naftës shist, zhvillimi i negociatave me Iranin dhe ajo që konsumojnë fabrikat në Kinë.
Zhvillimi i energjive alternative për të mbrojtur mjedisin ndikohet negativisht nga ulja e çmimit të naftës. Energjitë alternative ekzistojnë për dy arsye: Ekonomike (alternativa më të lira se sa qymyri dhe nafta) dhe mjedisore, për të ndotur më pak. Kur çmimi i naftës bie, bëhet më e vështirë të kursesh me energji diellore, ere apo uji). Natyrisht kjo ka një impakt të madh edhe mbi mjedisin.
/DITA

Cmimet e karburantit ne te gjithe boten kane rene, vetem ne Shqiperi nuk ka asnje ndryshim, vjedhje dhe rrjepje e qytetatareve, shteti rri e veshtron por eshte bere partner me Kompanite Grabitqare qe tregtojne hidrokarburet. Cmime monopol fitime te papara.
Ne Albanistan KUBEJA fut Miliarda USD ne xhepat e saj dhe ca Miliona ja jep Buxhetit breke grisur Shqiptar.Vjedhje e Paster.
Ndersa ne planin Global eshte nje lufte e ashper mes Perdorimit te energjise Fosile dhe Teknologjise,nqs psh makinat hibride para 10-15 viteve kishin 1- 3% te tregut te makinave,sot % e makinave hibride/teknologjike kane arritur ne mbi 19%, cka do te thote qe e nesermja do mbeshtese me shume Teknologjine sesa perdorimin 150 vjecar te energjise fosile.
harruat humbesen me te madhe qe eshte rusia.dobesimi i rusise dhe iranit eshte qellimi dhe jo me kot sheiket dhe amerikanet shesin nafte me cmim te lire kur mund ta shisnin 3 fish me shtrenjte.rusia ka nje ekonomi jo te diversifikuar qe bazohet ne burimet natyrore dhe ne plan afatgjate do ta ndjeje konfliktin ekonomik me perendimin.