I nderuar lexues! Liburnët ishin fis ilir i bregdetit verior të Adriatikut, banorë të trevës nga Arsia (Rasha) në Istrie (Jugosllavi) deri te lumi Titi (Kërka) dhe në ishujt fqinjë. Njihen si detarë të zotë, që lundruan në detin Adriatik para grekëve duke arritur në perëndim deri në brigjet lindorë të Italisë Qendrore dhe në jug deri në ishullin e Korkyrës (Korfuzit). Anijet luftarake të liburnëve u quajtën liburna, të shpejta e të lehta në manovrim, u morën si model nga romakët. Më 119 p.e.s. viset e liburnëve ranë nën sundimin romak, më 35 p.e.s. Oktaviani e shkatërroi flotën e tyre. Vendbanimet kryesore të liburnëve që lulëzuan në shekujt e parë të e.s. ishin: Senva, Albona, Lopsika etj.
