I nderuar lexues! Evlija Çelebi ishte funksionar i lartë i oborrit të sulltanit, me detyrën nazir (inspektor) që raportonte për gjendjen e krahinave osmane. Vizitoi mjaft krahina të perandorisë dhe shumë vende të Azisë e të Evropës Perëndimore. Hartoi veprën “Udhëtimet” në 10 vëllime, që ka shumë të dhëna me interes edhe për Shqipërinë. Evlija Çelebi e vizitoi Shqipërinë dy herë. Në udhëtimin parë (1662) vizitoi Shkodrën, Tivarin, Ulqinin, Lezhën dhe qendrat qytetare të Shqipërisë së Mesme, të cilat i përshkruan me hollësi. Në udhëtimin e dytë (1670) vizitoi edhe qytetet shqiptare të Kosovës: Mitrovicën, Prishtinën, Kaçanikun, Gjakovën etj., për të cilat thekson se popullsia ishte shqiptare dhe fliste shqip. Në vepër ka shënime dhe të dhëna të vlefshme edhe për qytetet në jug deri në Prevezë.
