I nderuar lexues! Gjon Vladimiri (shek.X) ishte sundimtar i Dioklesë. I sulmuar nga mbreti maqedonas Samuel kur ky shtriu sundimin e vet gjer në rrethin e Shkodrës, Gjon Vladimiri u tërhoq në malin e Oblikës në Krajë. E tradhtoi aty një zhupan i vendit; u zu rob dhe u mbajt i burgosur për një kohë në Prespë. U la i lirë të kthehet si sundimtar në vendin e vet pasi u martua me të bijën e Samuelit. U lidh me bizantinët për të siguruar pozitën e vet kundër të vjehrrit. Për këtë arsye u vra më 1016 nga pasardhësi i Samuelit, Ivan Vladislavi. Kur Mihal Engjëlli, despot i Epirit pushtoi më 1215 Shkodrën me rrethe, ai i çoi eshtrat e Gjon Vladimirit në Durrës dhe prej këndej Karl Topia më 1362, pas pushtimit të Durrësit i vendosi në kishën e një manastiri pranë një fshati në afërsi të Elbasanit, që mori prej tij emrin Shëngjon.
