I nderuar lexues! Gustav Vajgand (1860-1930) ishte gjuhëtar ballkanolog gjerman. Njihet sidomos si studiues i gjuhës rumune. Hartoi atlasin e parë dialektor të kësaj gjuhe. U mor edhe me studimin e gjuhëve të tjera të Evropës juglindore, sidomos me shqipen dhe me bullgarishten. Dukuritë e përbashkëta të këtyre tre gjuhëve i lidhi me një substrat të përbashkët trak. Gustav Vajgand qe përfaqësuesi kryesor i tezës se shqipja buron nga trakishtja. Këtë tezë e shtroi në artikullin: “A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakasve?” Për gjuhën shqipe shkroi edhe veprën “Gramatikë e dialektit të gegërishtes jugore”, e cila mbështetet në materialet e të folmeve të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit dhe, krahas shpjegimeve gramatikore, përmban edhe ushtrime, copa leximi dhe përralla popullore.