I nderuar lexues! Ibrahim Pashë Bushatlliu ishte qeveritar i Pashallëkut të Shkodrës në vitet 1796-1809. Vazhdoi politikën e paraardhësve për mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit dhe të kufijve të Pashallëkut nga synimet agresive të perandorisë bonapartiste. Në kushtet e konflikteve të mëdha ndërkombëtare të viteve 1798-1809 u detyrua të bashkëpunonte me pushtetin qendror të Stambollit. Me gjithë lëkundjet, u tregua i pabindur ndaj Portës duke pritur rastin e volitshëm për shkëputje. Nën qeverisjen e Ibrahim Pashë Bushatlliut vazhdoi lulëzimi ekonomik i Shkodrës; në tregun e saj filloi ndërtimi i Bezistenit. Vdekja e parakohshme e tij solli pasoja të rënda për Pashallëkun e Shkodrës.
