I nderuar lexues! Ali Ulqinaku (1855-1913) ka qenë hartues fjalori. Lindi në Ulqin në familjen e një barkëtari. Në kohën e agresionit të Malit të Zi kundër Ulqinit mori pjesë në mbrojtjen e qytetit. Më 1880 u vendos në Shkodër, ku mbaroi medresenë. Punoi si mësues në Shkodër e në Lezhë. Hartoi një fjalor turqisht-shqip e shqip-turqisht dhe një abetare shqip me alfabet arab, që mbetën dorëshkrime. Fjalori, të cilin e quajti “Ulqin”, përbëhet nga tre pjesë. Pjesa e parë përmban një fjalor turqisht-shqip në vargje, pjesa e dytë një fjalor turqisht-shqip, kurse pjesa e tretë përmban një fjalor shqip-turqisht me rreth 4000 fjalë. Ky fjalor përmban mjaft fjalë të rralla dhe ka vlerë për leksikografinë shqipe dhe për historinë e gjuhës.
