Projektligji, kush përjashtohet nga falja e gjobave?

anazapta

Projektligji që mundëson faljen e gjobave të biznesit për periudhën nga 1 mars 2013 deri me 31 gusht të po këtij viti, është duke u diskutuar në komisionet kuvendore. Projektligji synon faljen e gjobave të vendosura nga administrata tatimore në mënyrë abuzive gjatë periudhës elektorale. Por për të shmangur faljen e gjobave të rregullta që janë vendosur në këtë periudhë, qeveria ka parashikuar edhe dy nene në projektligj që përjashton nga kjo falje disa lloje gjobash. Referuar relacionit të projektligjit, nuk falen gjobat e vendosura që janë regjistruar automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve, që janë vendosur si pasojë e shkeljes së ligjit për procedurat tatimore. Po ashtu, projekltigji parashikon gjithsesi detyrimin e bizneseve për të paguar masën e tatimit dhe kamatëvonesat të cilat janë të evidentuara dhe të kontabilizuara në regjistrat e administratave tatimore gjatë periudhës mbi të cilën kjo falje ka efekt. Ndërkohë, gjobat që do të falen janë ato që janë vendosur nga administrata tatimore dhe që janë evidentuar dhe kontabilizuar në regjistrat tatimore në mënyrë abuzive gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, do të falen edhe gjobat e vendosura në këtë periudhë për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo për moslëshim të kuponit tatimor të cilat në këtë periudhë nuk janë paguar. Po ashtu, projektligji parashikon faljen e gjobave që janë ankimuar dhe që janë në proces gjyqësor.  Fatura e kësaj faljeje të qeverisë arrin në 30 milionë dollarë. Miratimi i këtij projektligji ishte paralajmëruar nga mazhoranca aktuale që para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *