Kush po e shëmton dhe ia zbeh vlerat Vlorës?

J L

Nga PETRO STOGOI                      

 

Nuk hyj tek ata që të mohojë, ose të mos vlerësojë e të mos gëzohem për ato gjera të bukura e të nevojshme që janë bërë në qytetin tim, në Vlorë, por nuk jam edhe nga ata, që të ul kokën e të heshtë për ca gjera të tjera që sipas meje “vijnë erë e keqe”, sepse janë të panevojshme, të pajustifikuara dhe, deri shëmtuese, duke sjell ndryshime që cenojnë pamje panoramike, vlera e gjurmë historike e muzeale. E di shumë mirë se, sot, kur po hedh këto radhë mendimesh nuk jam vetëm, por para e pas meje qëndron një opinion i gjerë vlonjat, të cilët pyesin: Pse duhet bërë kjo? Kujt i shërben? Për këtë kemi nevojë ? Më përpara zbukurime, apo plotësim nevojash jetike?

 

Sheshi i ”Flamurit” tani nuk është më shesh. Tani ai është një stacion autobusësh

Ajo që po bëhet sot në sheshin e “Flamurit” në Vlorë, është sa e çuditshme, aq dhe revoltuese. Është e çuditshme sepse, nuk kuptohet nga ç’mendime e fantazi, për çfarë interesa dhe çfarë vlera shtohen, kur janë nisur për të bërë këtë ndryshim të këtij sheshi me këto punime, të cilat kanë nisur prej muajsh dhe që, nuk dihet kur do të  mbarojnë dhe çfarë do të jetë.

Është revoltuese, sepse në padijeni, mund të themi se, për këto mendime ngjyrë tekash, për këto fantazi jashtë dobishmërisë, për këto interesa që vijnë “erë e keqe” dhe për këto vlera jashtë historike, është cenuar simboli muzeal e historik i këtij sheshi. Dihet vetëm një gjë se, gjithmonë, kur ndërtohet, do të jetë një gjë ndryshe. Por sa i dobishëm dhe në interes të ngjarjeve me të cilat lidhet emri i këtij sheshi është ky ndryshim?… Në fakt, ndryshimi shëmtues e cenues i këtij sheshi nisi që pas prishjes së hotelit që po ndërtohej dhe ngritjes në vend të tij të një ndërtese tjetër që ka më shumë se 20 vjet që ka filluar e s’po mbaron. U hodh poshtë për interesa personale e korruptive projekti që parashikonte veç  ndërtimit të hotelit (që do të përfundonte në vitin 1992) edhe ndërtimin e Bibliotekës së qytetit dhe muzeumit të qytetit të cilët harkonin këtë shesh, duke u mbyllur te shkallët e varrezave. Mirëpo, tani dhunimi i këtij sheshi ka shkuar edhe më tej.

Nuk dihet se, përse u prish piedestali shumë funksional i monumentit të Pavarësisë duke e lënë atë me pamjen e një koni, ose të një gozhde me kokën poshtë, kur dihet se, ata, të cilët krijuan dhe ngritën këtë vepër artistike në shërbim të historisë ishin artistë të mëdhenj shqiptarë, atdhetarë të vërtetë, të shkolluar jashtë shtetit e shumë dinjitozë. Dihet gjithashtu se, për këtë vepër është punuar kolegjialisht qysh në hedhjen e platformës e deri në realizimin përfundimtar. Por, kush ishin ata, ose kush ishte ai që pa përfillje me egoizëm deri në cinizëm, patën kurajën dhe morën guximin, duke ndërhyrë në këtë vepër krenare edhe për artin tonë?!…

U hoqën katër topat, simbole të katër vilajeteve shqiptare, dhe objekte të Vlorës së vjetër, por të pa diskutuar edhe nga historianët ky kuptim. Ndofta, mund t’i vendosin në një vend tjetër. Po, ç’po bëhet në vend të tyre? Sot aty po ngrihen konstruksionet metalike për një terminal autobusësh, i cili ka hyrë dhe “ka ngrënë” edhe nga pjesa e sheshit!… Pse? Pse duhet ky terminal, duke prishur Sheshin e duke shëmtuar pamjen e tij? Pse duhet vrarë kujtesa historike për brezat që do të vijnë më pas? Pse ia ulin vlerat dhe rëndësinë kësaj qendre historike për një terminal, që, veç vlera shëmtuese ka?  Kush në botën e zhvilluar sillet kështu me  simbolet historike e muzeale, veç, kur ka pas interesa të këqija korruptive dhe antihistorike? Nuk jemi kundër çdo lloj ndryshim dhe çdo lloj harxhimi, prandaj kemi gëzuar dhe falënderuar, kur filloi restaurimi i Rrugës muze ”Justin Gotart”, ose shëtitorja buzë detit, ose rruga e Lumit të Vlorës. E duke qënë kështu, ndaj dhe mund të pyesim: A nuk mund të bëhej ky terminal aty ku është stacioni i trenit?!… Apo mos vallë duhet të besojmë që ky objekt është klientelist dhe do t’i shërbej hotelit të pa përfunduar e të diskutueshëm për të cilin thonë se, tani ai ka kaluar në dorë tjetër?!… Pse, duke bërë këto ndryshime të këtij Sheshi historik, cenuan monumentin, prishën gjurmë të Vlorës së vjetër dhe penguan shikimin respektues të varrezave të Dëshmorëve? (se, mos vetëm në Vlorë shihen sjelljet kolaboracioniste ndaj historisë!…)

Janë shumë pikëpyetje, të cilat po t’i ishin shtruar gjykimit popullor, specialistëve të fushës së ndërtimit, të zgjedhurve etj. me siguri nuk do të bëhej kjo që është bërë.

 

Përse ia zutë frymën Vlorës?!…

Një tjetër kantier punimesh është ngritur edhe para portit të Vlorës. Beton, pirgje dheu, hekura, mure dhe nëpër to disa pisha. Ҫ’po bëhet? Edhe këtu nuk dihet çfarë po bëhet. U prishën trotuaret, u prish shatërvani, u prishën parcelat e gjelbëruara, të cilat ishin edhe në funksion të pamjes së shtëpisë muze të Pavarësisë dhe në vend të tyre janë ngritur piramida si PSV (Pika sinjal-vrojtuese ushtarake), më tutje po bëhet një tunel betoni dhe po ngrihen ca mure, të cilat kanë zenë pamjen e detit dhe ia zunë frymën Vlorës nga flladi që i vinte nëpërmjet korridorit që lidhte portin me qendrën e saj. Po këtu ç’patën? Përse i duheshin vënë këto pengesa pamjes së detit që dukej që nga Sheshi i Flamurit? Ҫ’funksion në dobi të njeriut do të kryejnë këto mure betoni e piramida prej dheu? Thonë se, në to do të ngjiten për të parë Vlorën dhe bregun e saj!.. Po, ku ka qytet si Vlora, që këtë të mirë ia ka dhënë vet relieve i saj, që për ta soditur atë, mund të qëndrosh në Kuzumbaba, të ngjitesh lart në Kaninë, të ulesh po të duash në lokalet te vendet që quhen Kalaja, ose ish kampi i punëtorëve? Kur është kështu a nuk kemi të drejtë të mendojmë se edhe këtu vjen “erë e keqe” tekash e interesash?!…

 

Kush ua ka “vënë syrin” këtyre objekteve?

Edhe në Vlorë si në gjithë Shqipërinë, reforma e privatizimit solli shkatërrimin e gjithë qendrave ekonomike; fabrikave, uzinave, kombinateve, ndërmarrjeve të shërbimit e “kafshimin” e territoreve të institucioneve arsimore, shëndetësore e ushtarake etj. Nën udhëheqjen e partisë demokratike dhe me parullën e “luftës kundër komunizmit”, sot në këtë qytet nuk ka asnjë objekt fizik nga ato të përmendura më sipër. Të gjitha u morën dhe më pas u shkatërruan deri në themelet e mureve nga “privatizuesit demokratë”. Në hapësirat e sipërfaqeve të tyre u kthyen në sheshe ndërtimi për pallate ose magazina. Tani, aty duket sikur ka patur bombardime. Megjithatë, janë akoma disa objekte ushtarake të parrënuara, por të braktisura . Dy prej tyre janë ; shkolla e Marinës dhe ajo e Aviacionit, si dhe disa objekte të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes. Një objekt tjetër është braktisja e pishinës së notit, e cila është aq e nevojshme për këtë sport në Vlorë. Duke parë gjendjen e tyre të pa ruajtura dhe jashtë kujdesit, me të drejtë të lind pyetja: “Për kë ruhen këto objekte dhe kush ua ka vën syrin?” Të lind kjo pyetje, kur ato, ndonëse i fshinë si institucione ushtarake, por mund të plotësonin nevoja të tjera civile. P.sh. sot në Vlorë nuk ka një biblotekë të vërtetë, Universiteti “I.Qemali” paguan auditore me qera, Pallati i Kulturës është coptuar nga zyra me qera. Sot në Vlorë, nga tri kinema që ka patur, ka vetëm një të sajuar kohët e fundit në pallatin e kulturës. E njejta gjë edhe me ca shërbime të tjera. Këshilli i Qarkut dhe Bashkia kanë ngjeshur njeri-tjetrin në të njëjtën ndërtesë etj.

Përse këto ish shkolla, prona të shtetit po lihen të braktisura dhe nuk vihen në funksion të shërbimeve shtetërore e sociale? Kush ua ka vën syrin për t’i marrë nëpërmjet ”privatizimit”?

 

Por… do të vijë një ditë…

Tani në Vlorë nuk është më e paditur dhe e fshetë që konflikti i kryeministrit me kryetarin e Bashkisë, e ka nxjerr këtë të fundit jashtë rolit të tij. Qysh pas vitit 1992 gjithë mendjet pushtetore kanë menduar vetëm për ndërtime klienteliste e korruptive pallatesh dhe për asnjë shkollë, kopësht e çerdhe fëmijësh. Por, do të vijë një ditë, kur qeverisjet do të ndryshojnë dhe, me të drejtë, këto ndryshime të dyshimta, këto shëmtime se “kështu më pëlqen mua”, harxhime të parakohshme e të panevojshme, do të prishen dhe Sheshi historik do të kthehet në shesh, Vlorës do t’i kthehet përkëdhelja nga flladi i detit, do të ketë më shumë vlerësim për historinë dhe objektet muzeale dhe në vend të ndërhyrjeve kozmetike do të kemi ujë, det të pastër, mjedise sportive e më shumë parqe të gjelbërta.

Nuk fola për të çliruar shpirtin…

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *