I nderuar lexues! Mjeshtër quhej zejtari i përgatitur nga ana profesionale dhe sipas sistemit të esnafëve, i shpallur i aftë të gëzonte të drejtën për të pasur punishten e vet dhe për të pajtuar kallfë, çirakë e punëtorë mëditës. Kishte pozitë shoqërore të dyfishtë. Mjeshtri, nga njëra anë shfrytëzonte krahë të tjera të punës e nga ana tjetër shfrytëzohej prej hierarkisë feudale, sepse i nënshtrohej një vargu detyrimesh shtetërore, korporative, shoqërore dhe fetare. Mjeshtri duhet të paguante çdo vit taksën përkatëse të anëtarësisë në esnaf, t’u bindej rregullave të hekurta që lidheshin me organizimin e esnafeve dhe disiplinonin prodhimin apo shitjen e mallrave.