Entela Resuli
Një vit më parë, në fillim të Marsit, gazetari Elvi Fundo u rrah barbarisht, ditën për diell në zonën pranë stacionit të Trenit në Tiranë.
Ishte data 8 Mars. Në orën 10 e 30 ai shkon pranë një dyqani telefonash për t’i blerë një celular si dhuratë nënës së tij më rastin e festës së Gruas.
Shumë pranë dyqanit, dy njerëz e godasin nga pas dhe e rrezojnë në tokë duke i shkaktuar plagë të rënda.
Elvi përfundon në spital. Politika filloi të ziej duke e cilësuar si agresion që vinte prej saj, ndërsa vetë gazetari doli dhe tha: Kjo që ndodhi nuk ka lidhje me politikën. Ai ishte i bindur që ishte ashtu, siç është edhe sot.
Një vit pas kësaj ngjarje, hetimet vazhdojnë me intensitet të vakët. Nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje dhe nuk ka asnjë gjë të re nga hetimet.
Mesa duket dosja ka filluar të dremis në organet e drejtësisë.
Fundo, është i vetëdijshëm që në atë periudhë ka publikuar në median e tij online, disa shkrime që kanë të bëjnë me njerëz të pushtetshëm në media.
Ndoshta dikujt i ka shkelur në kallo, por kjo nuk do të thotë që drejtësia nuk duhet ta çojë deri në fund këtë çështje.
Elvi kërkon drejtësi. Për këtë arsye, ditën e djeshme i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeprokurores Arta Marku, ndërsa për dijeni i është drejtuar Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Z. Donald Lu, Ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë Znj. Romana Vlahutin dhe Ambasadorit të Prezencës së OSBE në Tiranë, Z. Bernd Borchardt. Gazetari Fundo kërkon mbështetjen e tyre për zbardhjen e ngjarjes duke kërkuar në të njëjtën kohë mobilizim dhe ndërgjegjësimin e organeve kompetente që rasti në fjalë të mos mbetet në errësirë.
Një vit pas këtij sulmi fizik që i është bërë Elvi Fundos ne kemi biseduar me të, për të kuptuar ca më tepër se çfarë ka ndodhur me të një vit më parë dhe deri ku ka shkuar çështja nga ana hetimore.

-Elvi, ka kaluar një vit nga ngjarja e rëndë që u ndodhi përpara redaksisë, si e kujtoni atë ditë dhe ç’mund të thoni sot për atë ngjarje?
Vërtet ka kaluar një vit, por unë personalisht kam bërë një hap përpara dhe jam munduar ta harroj atë ngjarje. Mendoj se episode të tilla mirë është mos të kujtohen. Edhe pse njeriu duhet të mësojë nga e shkuara, unë nuk kam mbetur peng i asaj ngjarjeje.
Ishte një ditë e zakonshme. Dola nga shtëpia dhe shkova për dy veprime në bankë. Kalova në një rrugë që kam 15 vjet pasi punoj dhe banoj këtu. Kam qenë duke ecur dhe kam ndjerë dy goditje në kokë.
Pata një moment që humba ndjenjat sepse më pas mbaj mend një levë ose dy që më goditën në fytyrë dhe një goditje të fortë në këmbë. Në fillim ndjeva goditjen në kokë dhe në këmbë ndërsa në fytyrë e kuptova vetëm nga gjakderdhja.
Ajo është një ngjarje që unë e kam konceptuar si një mesazh paralajmërimi. Të gjitha çfarë kam pasur i kam bërë publike në të gjitha mediat. I kam bërë letër dhe ambasadorëve, dhe ministrit të brendshëm, dhe organeve ligjzbatuese.
Unë e kam konceptuar si një mesazh, “mos fol, mbyll gojën”. Kjo për shkak të levave që më erdhën në gojë.
-Personat që ku goditën i patë, i njihnit?
Goditja është bërë nga dy persona të cilët në fakt unë nuk i kam parë, por kur jam ngritur diku në një distancë 50 apo 100 metra vura re një person me një veshje jeshile që hyri për nga rruga e universitetit Beder. Kaq kam parë me sytë e mi.
Pas këtij momenti kam shkuar në spital ku kisha dëmtime, por besoj se e mora veten shumë shpejt dhe e përballova shumë mirë.
-Në momentin e parë, politika nxitoi të jepte mesazhe për ju…
E pashë, por unë nuk lejova që ngjarja të bëhej politike. U tentua që të kthehej në politike pasi kujtojmë që atëherë ishte Çadra e opozitës në bulevard.
Unë jam njeri me aktivitet politik pasi katër apo pesë vjet më parë kam mbajtur post publik politik dhe nuk e kam për turp të them se kam pasur bindje dhe kam qenë pjesë e një partie politike.
Unë e kam vlerësuar shumë PD-në dhe kam vlerësuar shumë te vizioni i saj edhe pse sot ajo mund të jetë në një pozicion tjetër.
Kam gati katër vjet që nuk jam në angazhim politik, por që mbaj një profil të djathtë konservator, që këtu në Shqipëri nuk ekziston. Pas ngjarjes bëra një reagim publik që çështja të mos politizohej. Pash që atë ditë policia lëvizi shpejt. Pas daljes nga spitali kam qenë me disa punonjës të policisë në zonën ku ndodhi ngjarja për të gjetur filmime, por ato ishin zhdukur, çuditërisht. Kam vënë re dhe një mungesë bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë pasi duhet të vepronin më shpejt dhe do të kishin më shumë pamje. Pas disa muajve ka patur një person të arrestuar i cili ngjasonte me një prej autorëve. Kam mësuar se personi është mbajtur rreth 30 ditë në qeli dhe për shkak të mungesës të provave dhe të faktit se askush nuk e identifikonte, është lënë i lirë.

-Në dijeninë tuaj në cilën fazë janë hetimet?
Personalisht jam thirrur një apo dy herë në prokurori nga prokurori i çështjes i cili vazhdon punën. Unë kam shkuar vetëm për të kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe asgjë më tepër se kaq.
Kur më ka pyetur ku mendon apo dyshon, i kam dhënë dhe emra. Deri më tani dosja është pezull, për mendimin tim është turp që në një vit mos gjenden autorët.
Ne kemi një thënie që shteti kur do e kap lepurin me qerre, por është dikush ose një dorë tjetër që e frenon këtë zbardhje. Ndoshta edhe ish-prokurorit të Tiranës nuk i ka interesuar zbardhja për shkak të disa shkrimeve të mija kundër tij.
-E lidhni këtë ngjarje me punën tuaj, me shkrimet e publikuara në atë periudhë?
Po, edhe kjo mund të qëndroj dhe e kam menduar. Unë në atë kohë pata publikuar disa shkrime, ku një ka qenë një foto e Erion Veliajt me prokurorin Fusha, ndërkohë që ndaj Veliaj kishte padi. Ishin disa shkrime ndaj ish-deputetit socialist Alfred Peza që është dhe kolegu ynë gazetar.
Kam pas shkrime ndaj botuesit të Ora News, Ylli Ndroqi.
Këto kanë qenë momentet që kam shkruar në atë kohë, por unë asnjë herë nuk kam drejtuar gisht ndaj tyre. Mund të jetë shfrytëzuar edhe rasti që duke qenë në konflikt me këta persona, ndokush që ka patur hatërmbetje me ndonjë shkrim ose publikim të mëparshëm të ketë bërë këtë agresion për të shfrytëzuar situatën. Nuk e di. Këtë duhet ta zbardh drejtësia.
Kam heshtur dhe kam pritur një vit dhe tashmë i kam bërë një letër që po ua vë dhe juve në dispozicion, që ua kam dërguar, ministrit të Brendshëm, kryeprokurores dhe institucioneve ndërkombëtare në Tiranë për të kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe asgjë më tepër.
Unë kam media vetë dhe mund ta shkruaja përditë, por kam zgjedhur të hesht, pasi e kam parë si pavlerë këtë zhurmën mediatike.
Dua që këtë ngjarje ta zbardh shteti, sepse unë nuk e njoh traditën e kanunit të Lekë Dukagjinit , as bajraktarizmin shqiptar që për një shpullë të vras me thikë. Unë jam një qytetar korçar që vij nga një familje qytetare, jam besimtar ortodoks dhe po më re në një faqe të kthejë tjetrën. Prandaj nuk do e zgjidh personalisht, por duhet ta zgjidh shteti.
-Sot që po flasim ka kaluar një vit nga ngjarja për të cilën po flasim, çfarë do bëni nëse ajo nuk zbardhet?
Unë do të vazhdoj të bëj letra, të ngacmoj institucionet herë pas here me reagime dhe nuk do ta le të mbyllet, por do të tentojë që ngjarja të zbardhet. Vetë nuk e zgjidh dot, pasi s’mund të bëhem bandit vetëm sepse disa banditë erdhën më goditën, kjo nuk ndodh s’kam për ta bërë kurrë këtë. Jo vetëm ata që e kanë bërë, por dhe ata që e kanë urdhëruar sepse unë s’kam për t’u marr kurrë me ta. Ngjarjen tashmë e konsideroj një plagë të së shkuarës që më dha dhe mua një leksion që duhet të isha më i kujdesshëm.
-Pra, mesa kuptova, ju e eliminoni tërësisht, që mund t’ju kenë goditur politikisht, dhe e përqendroni bindjen tuaj që mund të ketë qenë një sulm brenda llojit, pra ndonjë njeri i medias?
Unë i qëndroj asaj që kam thënë natën e parë, që as të drejtoj gishtin apo as kam turp të kërkoj të falur nëse e teproj. E përjashtoj politikën pasi nëse Edi Rama do vriste mua mendo çdo iu bënte të tjerëve.
Po ashtu edhe Lulzim Basha apo Ilir Meta, s’kam asnjë dyshim se do të merreshin me mua.
Kam dyshuar se lidhet me shkrimet e asaj kohe. Unë e kam shmangur politikën, kjo dhe për të ndihmuar policinë që të bënte punën. Nëse çështja do të politizohej jam i bindur se nuk do zbardhej kurrë. Ndoshta jam gabim, ndoshta kam vepruar mirë, por unë kështu e gjykova.
-Ju keni akuzuar dhe pronar mediash…
Po është e vërtet që ka dyshime edhe për pronar mediash. Unë i kam përmendur dhe në atë kohë emrat kur jam pyetur në prokurori, për shkak të shkrimeve të asaj kohe.
-Mund ta na e thoni emrin që mendoni apo dyshoni…?
S’ka asnjë pronar mediash që unë nuk kam shkruar në City News sepse jam i bindur që problemi i medias në Shqipëri janë pronarët e mediave. Problemi nuk është as ti, as unë e as gazetarët.
Unë kam shkruar edhe për Irfan Hysenbelliun, edhe për Ylli Ndroqin edhe për Carlo Bollinon, edhe për Vjollca Hoxhën edhe për Aleksandër Frangaj, edhe për Koço Kokëdhimën sepse të gjithë këta po ti hapësh letrat, i gjen në tendera, në biznese, në qoka me qeverinë që dje kanë ngrënë e kanë pirë me Sali Berishën ndërsa sot hanë e pinë me Edi Ramën.
Në fakt kjo është punë e biznesmenëve e cila ka sjell faktin që gazetarët nuk janë të lirë të flasin, sepse nuk sulmojnë dot as kryebashkiakun, as kryeministrin e as të flasin për bëmat dhe gjëmat e opozitës.
-Ju thatë më parë që sulmi ndaj jush ishte më shumë një mesazh, nuk mendoni se donin t’ju vrisnin?
Tani, ajo është çështje dore, leva është si të të kap. Unë mendoj se ajo më shumë ishte një mesazh sepse për të vrarë e kanë më kollaj me një plumb të heqin qafe. Mendoj se ka qenë mesazh denigrues që, “ne të shkatërrojmë në mes të ditës, në mes të Tiranës në derë të shtëpisë. Të biem me levë dhe të thyejmë dhe gojën”.
-Mediat e transmetuan atë çka ju ndodhi juve, i keni ndjekur?
Atë ditë që policia ka shpërndarë njoftimin nga monitorimi që ka bërë dhe redaksia ime këtu, vetëm një televizion nuk e ka dhënë. Ndërkohë me titra televizionet japin çdo gjë. Japin edhe kur autobusi shtyp një mace, ndërsa ngjarjen time jo. Vetëm televizioni Ora News nuk e ka dhënë lajmin. Kjo është ë provuar sepse është dhe në dosjen e policisë.
Gjithsesi dua të theksoj se nuk t’ia drejtoj dot gishtin askujt, pavarësisht dyshimeve, ia kam lënë prokurorisë ta zbardh.

-Elvi, ju shkruani kundra botuesve herë pas here duke i akuzuar për tendera, për afera të ndryshime. Por edhe ju nuk është se flitet më pak. Në tavolinat e gazetarëve thuhet se ju paguheni nga Ridvan Bode, apo biznese pranë tij për të mbajtur City News. Si është e vërteta?
Unë mendoj se Ridvan Bode është një nga ministrat më të suksesshëm të qeverisë Berisha dhe një njeri shumë i përgjegjshëm. Ridvanin e kam mik dhe nuk e kam mohuar kurrë, por kam miq të tjerë të cilët kanë influencë te unë shumë më tepër se sa Bode. Shumica janë të djathtë dhe unë e thashë që se kam për turp të them se kam qenë i angazhuar në politik dhe kam pasur disa njohje dhe lidhje të forta.
City News nuk e mban Ridvan Bode, sepse nuk është një portal që ka një kosto të madhe. Shpenzimet i mbulojmë me ato pesë apo gjashtë reklama që kemi në faqe. Për secilën prej tyre marrin rreth 400 euro. Pra të ardhura tonë janë afërsisht 3 mijë euro në muaj, pra diçka pak më tepër se shpenzimi.
-Ditët e fundit keni publikuar dhe një video të deputeti Ervin Salianji me shtetasen G.D. Çfarë ishte kjo histori?
Edhe për këtë është thënë se unë me Ervinin e kam personale. Nuk ka asgjë personale mes meje dhe tij. Madje unë e përdor atë si një simbol të një njeriu që s’ka bërë asgjë në jetë dhe nga shkolla është marr është bërë avokat qyteti në bashki dhe me pas për shkak të lidhjeve të dyshimta me Lulzim Bashën u zgjodh deputet. Ndërsa kryetari i forumit rinor nuk zgjidhet deputet.
Sa i përket videos, ajo është filmuar nga kamerat në Kuvend. Pasi kanë ardhur këto pamje kemi bërë një verifikim të plotë për të parë mos kishte montazh apo ndërhyrje.
Në fillim u tha që është bisedë e montuar më pas u botua e plotë dhe u tregua që nuk ishte ashtu.
Fakti është se një deputet shkon në kuvend për të bërë ligje, ndërsa Salianji bën perversitete me GD-ra apo me LB-ra.
-Në media i tha se G.D ishte deputetja Grida Duma. Po ju, si thoni?
Në fakt, sa i përket G.D unë kam pasur dyshimet e mija se kush është. Disa media e kanë botuar që është Grida Duma dhe unë kam dyshime dhe disa prova që të çojnë te kjo zonjë, por s’kam dashur të theksoj nëse është ajo apo jo pasi nuk më ka interesuar.
Mua më interesonte fakti se si një deputet fliste me gjuhë perverse në karrigen e parlamentit, një deputet që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Ky deputet do të duhej të merrej me punë të tjera siç ishte rasti Habilajve që ishte atë ditë temë dite.

Ne qofte se mendon se bodo eshte minister i sukseshme,qenka gazetar debil
Kete shkrim do te ishte mire t’ja postoje Mjeros se thone qe dhe ai ka patur dikur pak a shume po te njejtin fat.
Postoja gazepit dhe mos harro ta pyetesh se cfare ndryshimi ka per lirine e shtypit koha e largqoftit me kohen e persheshit?