Kushëriri i liderit libian të vrarë Muammar Gaddafi, Ahmed Gaddaf al Dam, ka pohuar në një intervistë ekskluzive për të përditshmen “Daily mail” se Shteti Islamik po përgatitet për të bërë atentate të ngjashme me ato të 11 shtatorit në Europë, në dy vitet e ardhshme.
Sipas të përditshmes britanike, Ahmed Gaddaf al Dam, gjithashtu ish i dërguari special libian në Egjipt, pohon se “jo më pak se gjysmë milionë emigrantë” do të drejtohen nga Libia në brigjet europiane këtë vit. Mes tyre, sipas tij, gjenden mijëra terroristë që shumë shpejtë do të jenë jashtë kontrollit në kontinentin europian, gjë që do të kulmojë me një atentat terrorist të së njëjtës shkallë me sulmet e 11 shtatorit, 2001 në SHBA. “Ka shumë terrorist mes tyre, 10 -50 për çdo 1000 emigrantë. Do të shpërndahen në të gjithë Europën dhe brenda një apo dy vjetësh do të keni një tjetër 11 shtator”, tha ai. Ahmed Gaddaf al Dam theksoi se aktualisht forcat e grupit terrorist në Libi po rekrutojnë afrikanë subsaharianë, emigrantë potencialë në Europë, duke u premtuar “virgjëresha të bardha” në parajsë.
Kushëriri i Gaddafit gjithashtu beson se është e mundur që militantët e Shtetit Islamik në Libi të posedojnë më shumë se 6000 fuçi uraniumi që më parë ishin nën kontrollin e ushtrisë qeveritare në shkretëtirën jashtë qytetit jugperëndimor të Sabhas. Uraniumi është një material bazë për prodhimin e armëve bërthamore, por kërkon një “transformim të gjerë” para se të përdoret për këtë qëllim.
“Besoj se e kanë, sepse kontrollojnë atë territor. Nuk janë budallenj, dinë si të bëjnë para. Do të përpiqen ta shesin”, tha Gaddaf al Dam. Al Dam u largua nga Libia në shkurt 2011, pas protestave antiqeveritare. Ai u arrestua me kërkesë të Interpolit më 19 mars të 2013 në Kajro dhe u lirua pas 9 muajsh burg. Kushëriri i Gaddafit ishte një nga eksponentët më të lartë të regjimit libian, nga i cili ishte shkëputur në shkurt të 2011-ës para se të arratisej në Kajro, dhe Tripoli kërkoi ekstradimin e tij. Objektivi i tij, shpjegon ai për Daily Mail, është të organizojë një konferencë pajtimi kombëtar në Libi në të cilën do të marrin pjesë edhe eksponentë të ISIS. “Duhet të shpëtojmë vendin. Nëse nuk e bëjmë sot, nesër do të jetë shumë vonë. Nuk mund të presim perëndimin”, deklaroi ai duke i bërë njëkohësisht një apel komunitetit ndërkombëtar për të furnizuar me armë ushtrinë libiane./DITA
