Mijëra maturantë që studimet e shkollës së mesme i kanë kryer gjatë viteve të shkuara rikthehen në garë për të fituar një të drejtë studimi në një nga universitetet publike të vendit, gjatë vitit të ri akademik 2014-2015. Për të qenë pjesë e kësaj gare, maturantët e “vjetër” nisën dje plotësimin e formularit A1-Z, sipas kushteve të përcaktuara veçanërisht për këtë kategori nga Ministria e Arsimit në udhëzimet përkatëse. Këta kandidatë, kanë 5 ditë afat për të plotësuar formularin që ju jep të drejtën për të konkurruar sërish në institucionet e arsimit të lartë publik, në programet që preferojnë. Sipas MAS, plotësimi i formularit për të vjetrit e maturës do të vijojë sipas kalendarit të përcaktuar për çdo rreth deri në datën 29 Mars. Por, për të rihyrë në garë, janë të detyruar që të plotësojnë një sërë kushtesh. Nëse në provimet me zgjedhje të dhëna gjatë viteve të shkuara maturantët nuk kanë arritur rezultate të kënaqshme, ata nuk kanë të drejtë që t’i rijapin provimet për të marrë nota më të mira. Kjo vetëm me përjashtim të rasteve në të cilat maturantët kanë rezultuar mbetës. rregullorja përcakton se kandidatët e Maturës Shtetërore 2006 – 2013, aplikojnë për pranimet në universitetet publike bazuar në rezultatet e viteve të mëparshme të maturës, nëse pas verifikimit që bëhet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve rezulton se ata nuk janë shpallur fitues në asnjë fakultetet gjatë viteve të shkuara, mund të jenë shpallur fitues, por nuk janë regjistruar në fakultet, si dhe në rastet kur janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar gjatë vitit të parë akademik.
Kjo e vërtetuar nga dekanatet përkatëse me shkrese zyrtare në Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Kandidatët duhet të kenë dorëzuar tashmë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve “ Fletën origjinale të çregjistrimit. Kjo në mënyrë që para aplikimit të formularit A1Z, të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e Maturës dhe ndryshimi i numrit të matrikullimit. Kur studenti vazhdon studimet në vitin e dytë e me tej, ai duhet të ketë marrë paraprakisht miratimin nga MAS për të vijuar procedurat e kësaj pike. Regjistrim i maturantëve të vjetër për provimet e maturës bëhet në shkollat ku ata kanë kryer arsimin e mesëm, ose në komisionet e maturës shtetërore që gjendet pranë vendbanimit të tyre, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.
Për t’u regjistruar maturantët duhet të paraqesin pranë këtij komisioni dokumentet përkatëse ku përfshihen: “Kërkesa me shkrim për dhënien e provimeve të Maturës. Kopje e noterizuar e Dëftesës së Pjekurisë, ose në mungesë të Dëftesës së Pjekurisë, vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, Certifikatën e Maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës apo dokumentit, të lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga drejtoria arsimore. Kopje të kartës së identitetit”.
Të drejtën e aplikimit për në universitetet publike e kanë edhe shtetasit shqiptarë apo dhe të huajt që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, me kusht që të zotërojnë gjuhen shqipe duke e vërtetuar nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e detyruar në Shqipëri ose arsimin e mesëm në shkolla me program në gjuhën shqipe.
Maturantët e para 2014-s
Kriteret për të vijuar universitetin
•Kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet 2006 – 2014, aplikojnë për të ndjekur universitetin bazuar vetëm në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës Shtetërore.
•Kandidatet nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme, rezultatet janë jo më të ulta se sa 4.50.
•Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një Lëndë në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundit.
•Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë do të merren koeficientet e përcaktuar për maturën e 2014-ës.
• Në rastet kur lënda, rezultati i së cilës kërkohet të mbartet, nuk gjendet në listën e lëndëve me zgjedhje të këtij viti, për llogaritjen e pikëve të tyre nga AKP-ja do të merret koeficienti i lëndës së përafërt me të.
Shpëtojnë edhe nga provimi i gjuhës së huaj
Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë pajisur me Dëftese Pjekurie, apo Diplomë nuk japin gjuhen e huaj si provim të detyruar. Këta maturantë pasi të kenë fituar provimet e Maturës do të pajisen me Diplomë dhe Certifikatë të Maturës Shtetërore, modeli i vitit 2011. Sipas rregullores diploma për të gjithë maturantët kandidatë lëshohet vetëm një herë. Kandidati, i cili është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme, shtetas shqiptar ose i huaj që vjen nga jashtë shtetit dhe jep provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nuk merr Diplomë, por pajiset me vërtetim për provimet e Maturës.
Afatet e aplikimit sipas qyteteve
Më datën 25 plotësimin online të formularit A1-Z kanë të drejtë ta bëjnë maturantët e vjetër të Tiranës, Kamzës, Kavajës, Durrësit, Krujës, Elbasanit dhe Peqinit. Më 26 mars formulari do plotësohet nga maturantët në Gramsh, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll, Berat, Kuçovë. Më 27 mars do të aplikojnë kandidatët në Fier, Mallakastër, Lushnjë, Skrapar, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë dhe Lezhë. Në 28 mars plotësimi do të vijë me maturantët në Kurbin, Mirditë, Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat dhe Bulqizë, për të përfunduar me datën 29 mars, ku do të aplikojnë maturantët në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet.

a mund ta di kur fillon matura kete vit2014-2015 dhe kur mbaron?