Marrja e pensionit të reduktuar para mbushjes së moshës për pensionin e plotë, nuk mund të ndryshojë me kalimin e viteve. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve përcaktohet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet me periudhën që njihet si vjetërsi kontributive. Për përfituesit e pagesës së përhershme të invaliditetit jepen edhe trajtime shtesë sipas kritereve të përcaktuara. Dokumentet që kërkohen për pensionet e plota dhe të reduktuara të pleqërisë, si dhe pensionet për nënat me shumë fëmijë
***
Përfitimet e reduktuara që sigurohen nga skema e pensioneve nuk mund të ndryshojnë me arritjen e moshës së kërkuar për të përfituar pension të plotë pleqërie. Organet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se këto përfitime mbeten të reduktuara përgjatë gjithë kohës së përfitimit, por nuk do të jenë të përjashtuara nga skema e rritjeve të përvitshme që bëhen nga qeveria. Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension. Por, krahas kriterit të moshës kjo kategori përfituesish nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, të jenë punëdhënës ose të vetëpunësuar në momentet e përfitimit të kësaj pagese. Lidhur me llogaritjen e masës së përfitimit mujor, ligji parashikon se masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 për qind në muaj. Në këto kushte, nëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet në vlerën e 24.000 lekëve, do t’i zbritet 12 për qind (shifër, e cila del duke shumëzuar numrin e muajve që personi e ka përfituar më shpejt pensionin, e që në rastin tonë është 20 muaj, me koeficientin e miratuar që është përcaktuar 0.6 për qind. Në këtë formë veprohet edhe në rastet kur mosha e daljes është më shumë se 20 muaj, ose më pak, por pa tejkaluar kriterin e përcaktuar të përfitimit që është brenda tre viteve nga plotësimi i moshës së përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi.
Përfitimi i plotë për nënat me shumë fëmijë
Ndryshe nga sa ndodh me kategoritë e tjera, për nënat me shumë fëmijë mosha e daljes në pension është kur gratë mbushin 55 vjeç. Kjo kategori ka të drejtë që të përfitojë pensionin e plotë kur krahas moshës 55 vjeç kanë të njohur edhe 30 vite periudhë sigurimi, si dhe duhet të jenë të tërhequra nga veprimtaria ekonomike, e të kenë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç. Pensioni mujor i pleqërisë për nënat me shumë fëmijë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar 30 vite, e shumëzuar me pensionin social. Ndërkohë që shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë kontributive. Sipas përcaktimeve të bëra shumë e plotë e pensionit në këtë rast nuk mund të jetë në asnjë rast më e ulët se sa masa e përcaktuar për pensionin social. Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi.
E ardhura për invaliditet të përhershëm dhe pagesat shtesë
E ardhura për invaliditet të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 67 për qind
të aftësisë për punë, e cila duhet vërtetuar nga një Komision Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), është sa 80 për qind e bazës së vlerësuar mesatare neto, të vitit të fundit para lindjes së të drejtës. Kjo pagesë nuk mund të jetë më e ulët se sa 80 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi. Sipas përcaktimeve të bëra në ligjin përkatës, personi që përfiton të ardhurat nga pagesa e përhershme e invaliditetit, dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas vendimit të komisionit mjekësor, do i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësuar neto të vitit të fundit, para lindjes së të drejtës. Në rastet kur përfituesi ka edhe fëmijë në ngarkim, deri në moshën 18 vjeç, ose kur ata studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, do të përfitojnë edhe një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit, por jo më shumë se 30 për qind. Ndërsa e ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm jepet kur është shkaktuar të paktën humbja e 33 për qind të aftësisë për punë. Pagesa në këtë rast do jetë e barabartë me një pjesë të 80-përqindëshit të bazës mesatare të vlerësuar neto të vitit të fundit para lindjes së të drejtës. Kjo në varësi të shkallës së humbjes së aftësisë për punë, por jo më pak se 50 për qind.
Përfitimet që indeksohen
Një pjesë e përfitimeve të parashikuara në skemën e pensioneve, si shkak i ndryshueshmërisë së ccmimeve do të indeksohen. Konkretisht në ligjin e ri përcaktohet se: “Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Është pikërisht Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit”.
Dokumentacioni bazë për përfitimin e pensionit të plotë dhe atij të reduktuar
Fotokopje e kartës së identitetit.
Certifikatë e gjendjes familjare.
Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).
Vërtetim nga Komuna/Bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit.
Vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin.
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare.
Dy fotografi.
– Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
Libreza e punës.
Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore.
Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme).
Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj).
Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
-Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe:
Vërtetim i gjendjes gjyqësore.
Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik.
Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
–Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994).
Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
Të ardhurat për papunësinë
Kategoritë, kushtet dhe afatet e përfitimit të kësaj pagese
Sipas ndryshimeve të bëra në skemën e sigurimeve shoqërore përcaktohet se personat e siguruar përfitojnë të ardhura papunësie, në rast se: “Kanë kontribuar në sigurimin shoqëror jo më pak se 12 muaj për çdo rast përfitimi dhe janë vërtetuar nga zyra përkatëse e punës si të papunë”. Kjo zyrë duhet të konfirmojë se aplikuesit për të ardhurat e papunësisë janë punëkërkues të papunë, të gatshëm të punësohen kur iu ofrohet një punë e paguar e përshtatshme. Ata duhet të pranojnë të kualifikohen ose të rikualifikohen, si dhe kur nuk marrin përfitime të tjera nga ligji i sigurimeve shoqërore, me përjashtim të pensionit të pjesshëm të invaliditetit. Ligji detajon më tej se sigurimi i papunësisë mund të paguhet edhe në rastet e pjesëmarrjes në programet speciale publike shtetërore e lokale, me kusht që ai të mos marrë më shumë se paga minimale mujore. Në mënyrë të detajuar të ardhurat nga papunësia cilësohen si një shumë bazë që siguron të paktën një nivel minimal jetese, çdo vit e indeksuar me vendim të posaçëm të qeverisë lidhur me llogaritjen e indeksit të çmimeve të mallrave të zgjedhura. Në këtë vendim përcaktohet edhe niveli bazë i kësaj të ardhure. Për përfituesit e kësaj pagese që kanë edhe fëmijë në ngarkim, e që janë deri në moshën 18 vjeç do jepet edhe në shtesë familjare për çdo fëmijë, e cila llogaritet të jetë në masën 5 për qind të të ardhurave nga papunësia, por jo më tepër se 30 për qind. Kur njëri nga prindërit është në marrëdhënie pune ose merr pension të plotë, shtesa reduktohet në masën 50 për qind. Lidhur me afatet e ndarjes së kësaj pagese, tre janë kushtet që do të zbatohen. Kështu e ardhura e papunësisë paguhet deri në 12 muaj. Për personat që punësohen me ndërprerje gjatë periudhës 1-vjeçare të përfitimit të papunësisë, afati i saj mund të shtyhet deri në 2 vjet, por me kusht që gjithsej të mos përfitojnë më shumë se 365 ditë kalendarike. Ndërsa për personat që ndjekin kurset e kualifikimit dhe të rikualifikimit, ata e përfitojnë pagesën e papunësisë gjatë gjithë kohës së zhvillimit të kurseve, në rast se nuk paguhen për këtë periudhë, por jo më shumë se 6 muaj tej afatit 1-vjeçar të përfitimit të papunësisë. Këtë të drejtë e gëzojnë edhe të siguruarit gjatë kohës së përfitimit të barrëlindjes dhe të pensionit të plotë të invaliditetit.
