Kushtet e reja si do llogariten pensionet familjare

redaktor

Skema e re e pensioneve parashikon një sërë ndryshimesh edhe në llojin e përfitimeve familjare. Në ligjin e ri të sigurimeve shoqërore përcaktohet se nga një janari i vitit 2015 do të zbatohen kushte të reja për skemën e pensioneve familjare dhe atyre të pleqërisë, të cilat konfirmojnë jo vetëm ndryshime në moshën e daljes në pension për kategoritë përfituese, por edhe ndryshim të masës mujore të pensionit. Sipas përcaktimeve të bëra, mosha e ndarjes së pensioneve familjare për femrat është rritur, sikundër kanë ndryshuar edhe kriteret e llogaritjes së pensionit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara edhe 8 llojet e përfitimeve që nuk do të preken me zbatimin e ndryshimeve të përcaktuara në ligjin e ri.

Përfituesit e pensioneve familjare

Personat, që janë në ngarkim të personit që vdes, i cili kishte kushte për përfitimin e njërit nga llojet e pensioneve ose merrte pension, kanë të drejtë të marrin pension familjar. Sipas ligjit të ri pension familjar e përfitojnë: “E veja, kur provohet se ajo është mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, kur është e paaftë për punë, si dhe kur ka mbushur moshën 55 vjeç (ndërkohë që legjislacionin aktual ishte përcaktuar mosha 50 vjeç). Të drejtën e përfitimit e ka edhe burri i ve, kur provohet se ai është: mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në 8 vjeç, është i paaftë për punë si dhe kur ka mbushur moshën 60 vjeç. Një tjetër kategori që do të trajtohen me pensionet familjare janë edhe jetimët. Jetimi përfiton nga skema e pensioneve familjare kur provohet se ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para së të arrijë moshat e mësipërme. Pensionet familjare do të shkojnë edhe për prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë. Gjithashtu do të përfitojnë edhe nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë ata trajtohen si jetimë. Kur personat e përmendur më lart martohen e humbasin këtë përfitim.

Si llogaritet pensioni

Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit. Pensioni, që do t’i takonte të ndjerit, llogaritet sipas rregullave për pensionet e invaliditetit. Pensioni familjar jepet në masën 50 për qind për personin e ve dhe 25 për qind për çdo jetim ose persona të tjerë që përfitojnë.

Kur nuk merret pensioni i parashikuar, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind, kur ai është ose mbetet vetëm pjesëtar në pension. Kur pjesëtarë në pension janë më shumë se një jetim, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind. Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Jetimi ka të drejtën e një pensioni familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Jetimi që humbet të dy prindërit, do të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre.

 

Pagesat për vdekje

Pagesa për vdekje i jepet kur një personi të siguruar ose një pensionisti në rast vdekjeje të një anëtari të familjes që ai e ka në ngarkim, si dhe në rastet kur personi u kujdes për personin e siguruar të vdekur, i cili pagoi shpenzimet e varrimit. Pagesa për rast vdekjeje është e barabartë me 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi.

 

Kërkesa për përfitime nga skema e pensioneve

Personi i siguruar ka të drejtë të kërkojë përfitime sa herë që mendon se i plotëson kushtet për përfitimin e tyre. Kërkesat, se bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore duhet të paraqiten në agjencitë lokale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku ndodhet vendbanimi përhershëm i personit. Kërkesat për përfitimin e papunësisë bëhen në zyrat e punës me procedurë, sipas qendrës së punës ose vendbanimit.

 

Llogaritja e kontributeve në varësi të pagës

Kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi në datën 31.12.2014. Pas datës 1.1.2015, paga maksimale për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi. Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuari është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi. Personat e vetëpunësuar në bujqësi paguajnë kontribut për pension dhe barrëlindje të llogaritur mbi pagën minimale në shkallë vendi. Pagesa e kontributit bëhet çdo 3-mujor. Në ligjin e ri përcaktohet se kontributi vullnetar do të llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave.

Të ardhurat për kompensim sëmundjeje, kur ndryshon vendi i punës, ose reduktohet orari i punës

Personi i siguruar që për arsye shëndetësore, me vendim të komisionit mjekësor kompetent, ndryshon vendin e punës, ka të drejtë të përfitojë nga sigurimet shoqërore kompensimin e të ardhurave. Shuma e së ardhurës, që do të përfitohet për kompensim, është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës së mëparshme dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës. Periudha e përfitimit nuk duhet të kalojë 3 muaj gjatë një viti nga dita e fillimit të sëmundjes, për të cilën është ndryshuar vendi i punës.

Shtese pensioni për shtyrje të datës së daljes në pension

I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute merr shtesë mbi pension në mason 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

 

 

Pensioni i plotë dhe i reduktuar i pleqërisë, kushtet përfituese

 

Pensioni i plotë

Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për

pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar për cilën kategori. Nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur me shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.”

 

Pension pleqërisë i reduktuar

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri në tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension sipas kategorisë ku bëjnë pjesë, në rastet kur kanë plotësuar vitet e sigurimit të kërkuara, si dhe kur nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në ligj, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara, është 0,6 për qind në muaj.

 

Masa e pensionit të plotë

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Periudha e kryerjes se studimeve në shkollën e lartë, me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar nga data 1.9.2000 dhe deri në datën 31.12.2032, pavarësisht nga vendi se ku janë kryer studimet dhe për jo me shumë se 6 vjet, njihet si periudhe sigurimi vetëm për efekt pensioni pleqërie, ku viti akademik llogaritet me 12 muaj. Në këtë rast, kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit, në kohën kur merret vendimi për caktimin e pensionit.

 

8 llojet e përfitimeve që nuk ndryshojnë me zbatimin e ligjit të ri

 

  • Sigurimi shoqëror është jofitimprurës. Me kontributet e derdhura garantohet pagesa në para për të kompensuar pakësimin e të ardhurave në një shumë që mbulon të paktën një standard minimal jetese, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Kur standardi minimal i jetesës nuk arrihet nga pensioni, për pensionistet me datë fillimi deri më 31.12.2014, Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një shtesë të ardhurash në formë kompensimi të plotë.

 

  • Pensionet e caktuara në bazë të ligjit nr. 4171, date 13.4.1966, “Për sigurimet shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, quhen të mirëqena dhe nuk do të jenë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të indeksimit dhe kompensimit.

 

  • Pensionet e caktuara në bazë të ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, me të gjitha ndryshimet e tij të mëvonshme, quhen të mirëqena dhe nuk janë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të indeksimit dhe kompensimit.

 

  • Pensionet për personat që u lind e drejta deri në 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, caktohen sipas dispozitave ligjore (që kanë qenë në fuqi deri në atë datë dhe nuk janë objekt ndryshimi apo rillogaritjeje përveç indeksimit dhe kompensimit, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

  • Pensionet dhe përfitimet e tjera nga sigurimi shoqëror suplementar, të caktuara sipas dispozitave ligjore që kanë qenë në fuqi deri në datën 31.12.2014, për kategoritë e përcaktuara nuk janë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të indeksimit dhe kompensimit sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

  • Personat, që marrin përfitime afatshkurtra për paaftësi, barrëlindje, sigurim papunësie, etj, me datë fillimi përpara datës 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, do ta përfitojnë atë në masën dhe kriteret e përcaktuara në dispozitat që kanë qenë në fuqi deri në atë datë.

 

  • Personat të cilët deri në datën 31.12.2014, merrnin pension pleqërie, pension të parakohshëm, pension familjar, pension për vjetërsi shërbimi, pension për vjetërsi shërbimi në raste të veçanta, do të vazhdojnë të tërheqin pensionin e tyre. E njëjta gjë do të zbatohet edhe për shtesat e dhëna për pjesëmarrjen në luftën kundër pushtuesve nazifashistë.

 

  • Personat që deri në datën 31.12.2014 përfitojnë pension invaliditeti, do të vazhdojnë ta marrin atë me përjashtim të rastit kur, pas një rivlerësimi të gjendjes shëndetësore, ligji i ri rezulton me kushte më të favorshme.
Share This Article
1 Comment
  • Une jam ne pension dhe kur kam ikur nga Shqiperia kam patur 28 vite pune si Inxhiner,pa llogaritur vitet e shkolles se larte prej 5 vjetesh.Gjate kesaj kohe kam punuar me detyra te ndryshme si drejtor stabilimenti ,Kryenxhiner ,shef sektori ne Byrone e studimeve dhe projektimeve te drurit ,me page mujore mbi 8000 leke dhe me vone mbasi mora titullin e kandidatit te shkencave, rroga me arriti 9600 leke , prej viteve 1985 deri ne vitet 1992 ne kohen qe u largova nga Shqiperia .Kur mbusha moshen 65 vjec gruaja qe kishte vajtur ne Tirane me coji Librezen e punes dhe sigurimet shoqerore ma llogariten si pension si pension te pjeseshem me nje vler prej 5600 leke , ne nje kohe qe ndihma sociale ishte me e madhe se madhesia e pensionit tim .Periudha e llogaritjes se pensionit u be rreth viteve 2005 ,ne kohen kur mashtrimi dhe korupsioni ne Shqiperi ishte ne shkallen me te lart .Desha te dija ne se kjo llogaritje e pensionit eshte bere e sakte a po jo dhe cfare perfitime kam nga ligji i ri i pensioneve .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *