Kushtet e reklamimit të 803 barnave që lëshohen pa recetë

Leda Hysa

 

Asnjë nga barnat që lëshohen me recetë nga mjeku nuk mund të reklamohen në popullatë. Urdhri më i fundit i dikasterit të shëndetësisë, i cili tashmë ka hyrë në fuqi ndalon zhvillimin e reklamave për barnat që jepen me recetë. Përjashtim në këtë rast përbëjnë vetëm ilaçet që janë pjesë e listës së miratuar nga dikasteri i shëndetësisë si barna që mund të blihen pa recetë mjekësore. Konkretisht janë 803 barna që mund të blihen lirisht në rrjetin farmaceutik në mungesë të recetës së përshkruar nga mjeku.

Kushtet për barnat OTC

Rregullorja e re ka të përcaktuara edhe kushtet që duhet të përmbushin të gjitha subjektet në reklamimin e barnave që lëshohen pa recetë. Për këto raste bëhet e ditur se: “Publiciteti i barnave për të cilat është e lejuar t’i drejtohet popullatës, duhet të përmbajë të paktën një nga informacionet që kanë të bëjnë me emrin tregtar të barit dhe emrin EPN të lëndës aktive, kur bari përmban vetëm një lëndë aktive, informacionin e nevojshëm lidhur me mënyrën e duhur të përdorimit të barit, si dhe informacionin drejtuar pacientëve lidhur me leximin e kujdesshëm të fletudhëzuesit, ose të udhëzimeve në paketimin e jashtëm ose në paketimin parësor të bari”.  Gjithashtu bëhet e ditur se në publicitetin e barnave të cilat shpërndahen pa recetë, duhet të përfshihet dhe të shfaqet në mënyrë të dukshme detyrimisht ky tekst: “Përpara përdorimit, lexoni me kujdes udhëzimet për përdorimin, dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme”. Është kusht që ky tekst duhet të jetë i dukshëm, përshembull i shkruar në një ngjyrë të theksuar, ose i rrethuar me konture), duhet të zërë të paktën një të dhjetat e përmasës së publicitetit, dhe duhet të jetë i shkruar në një madhësi të lexueshme pa vështirësi. Ndërsa në rastet e publicitetit televiziv, teksti i shkruar më sipër duhet të paraqitet veçmas, të lexohet nga një person më zë të qartë dhe të kuptueshëm. Publiciteti televiziv dhe radiofonik mund të përdoret si: rikujtesë vetëm kur është i implementuar në mënyrë të tillë që në bllokun promocional, publiciteti shfaqet i plotë sipas kushteve të përcaktuara më lart. Për rastin e publicitetit në internet, ky tekst duhet të jetë pjesë integrale e faqes kryesore të publicitetit dhe jo një faqe, ose adresë më vete. Gjithashtu bëhet e ditur se në publicitetin drejtuar popullatës, nuk është e lejuar të përdoret emri i ndonjë farmacie ose vendndodhja e ndonjë shitësi me pakicë në të cilin shitja e barnave është e lejuar, sipas ligjeve në fuqi. “Në publicitetin drejtuar popullatës, nuk është e lejuar të përmenden ose mblidhen të dhënat personale të pacientëve, diagnoza, procedurat terapeutike të cilave iu janë nënshtruar dhe barnat që iu janë përshkruar. Publiciteti i barnave përfshin çdo mënyrë informimi, lidhur me barin, pavarësisht llojit të medies me anë të së cilës do të zhvillohet, me qëllim promovimin e përshkrimit, shpërndarjes, shitjes dhe përdorimit të tij”, detajohet në rregulloren e re të reklamimit të barnave.

Ndalimi për barnat e lëshuara me recetë

“Publiciteti drejtuar popullatës, lejohet vetëm për barnat që janë pjesë e listës së barnave pa recetë që njihen ndryshe si barnat OTC. Publiciteti drejtuar popullatës është i ndaluar për barnat që shpërndahen kundrejt recetës së mjekut, dhe për të gjitha barnat narkotike dhe psikotrope sipas ligjeve në fuqi”, detajohet në rregulloren e miratuar së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, mbi kushtet e reklamimit të barnave, e cila ka hyrë në fuqi vetëm pak ditë më parë. Kjo rregullore saktëson se përjashtime në këtë rast bëhet vetëm për zhvillimin e fushatave sensibilizuese të vaksinimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe për aktivitetet e shëndetit publik të institucioneve përkatëse që zhvillojnë promocionin në fushën e imunizimit, seroprofilaksisë, kemoprofilaksisë. Ky promocion kryhet në linjë me programet e adoptuara nga Ministria e Shëndetësisë të cilat janë në zbatim të një akti, ose ligji, i cili parashikon mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive.

 

Nuk konsiderohet publicitet i barit:

  • Etiketimi i barnave, përmbledhja e karakteristikave të produktit dhe fletudhëzuesi.
  • Korrespodenca mes punonjësve të personelit të kujdesit shëndetësor, përfaqësuesve të kompanive farmaceutike dhe mbajtësve të autorizimit të tregtimit, e cila ka të bashkëngjitura materiale që nuk shërbejnë për qëllime promocionale, dhe që përmbajnë një përgjigje ndaj një pyetjeje specifike për barin.
  • Njoftimet informuese dhe materialet profesionale, të cilat, për shembull, i përkasin ndryshimeve në paketim, paralajmërimeve lidhur me efekte të padëshiruara dhe informacione të tjera shtesë lidhur me sigurinë, katalogë tregtare ose lista çmimesh, me kushtin që të mos kenë përmbajtje publicitare për barin.
  • Të gjitha informacionet objektive dhe të paanshme të lidhura me sëmundjet, me metodat e mundshme të trajtimit dhe të parandalimit duke përfshirë këtu dhe masat farmakologjike të marra, të cilat nuk lejohet të veçojnë ndonjë produkt mjekësor specifik.

 

Nuk lejohet që në publicitetin e barnave drejtuar popullatës:

  • Të pretendohet se bari nuk ka efekte të padëshiruara, nuk është toksik dhe nuk ka rrezik të shfaqë varësi, apo të mbulojë ose reduktojë rëndësinë dhe frekuencën e efekteve të padëshiruara.
  • Të jepet përshtypja se bari garanton sukses në trajtimin e sëmundjes.
  • Të sugjerohet se një bar është padyshim më i mirë se një tjetër.
  • Të pretendohet se bari mund të administrohet edhe në rastet kur nuk ka asnjë shenjë të sëmundjes, për shembull: që përmirëson shëndetin.
  • Të pretendohet se nëse bari nuk administrohet sjell pasoja negative për shëndetin e pacientit.
  • Të pretendohet se siguria dhe efektshmëria e barit vjen vetëm nga natyra e origjinës së tij.
  • Të pretendohet se bari përfaqëson një produkt dietik, kozmetik, apo tjetër lloj produkti që përdoret gjerësisht në popullatë.
  • Të sugjerojë se administrimi i barit, shmang ekzaminimin te mjeku, këshillën për një ndërhyrje kirurgjikale dhe gjithashtu nuk duhet të ofrojë këshilla lidhur me diagnostikimin ose trajtimin mjekësor nëpërmjet postës elektronike.
  • Të sugjerojë së një bar i përshkruar mund të zëvendësohet nga një tjetër.
  • Të zhvillohet reklamim direkt, ose specifikisht për fëmijët, ku tregohet se bari mund të merret vetë nga fëmijët, ose që bari mund të jetë i arritshëm për ta pa qenë nevoja që këta të fundit të jenë të shoqëruar nga një i rritur.
  • Të përfshijë rekomandimin e profesionistëve të shëndetit ose studiuesve shkencorë, apo të përfshijë në publicitet persona, popullariteti i të cilëve mund të stimulojë në përdorimin e barit.
  • Të citojë njoftimin e përfshirjes së barit në listën e barnave të rimbursueshme në sistemin e kujdesit shëndetësor primar, sekondar, dhe terciar, të Republikës së Shqipërisë.
  • Përdorimin e historikëve mjekësore ose stimulimin e procedurave diagnostikuese që mund të orientojnë në vetëtrajtimin ose vetëdiagnostikimin jokorrekt.
  • Përdorimin e paraqitjeve ilustrative të ndryshimeve që pëson trupi i njeriut prej sëmundjes, dëmtimit, ose të efekteve që ka marrja e barit në trupin e njeriut apo pjesë të tij në një mënyrë të papërshtatshme, shqetësuese ose kequdhëzuese.
  • Tu referohet evidencave të shërimit në një mënyrë të papërshtatshme, shqetësuese ose duke kequdhëzuar.

p.k/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *