Kushtet e sigurimit të pensioneve për të vetëpunësuarit në bujqësi

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA 

Pesë janë kushtet që duhet të përmbushë çdo i vetëpunësuar në bujqësi për të hyrë në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror, nëpërmjet të cilës do të përfitojnë pensione të plota, ose të pjesshme kur të plotësojnë kriterin e moshës dhe vjetërsisë kontributeve të kërkuar. Në Manualin e përgatitur nga ekspertët e ISSH-së për sigurimin e fermerëve bëhet me dije se pjesë e kësaj skeme mund të bëhet çdo person që ka mbushur moshën 16 vjeç, është i aftë për punë, kryen sigurimin deri në mbushjen e moshës për pension, nuk është i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, si dhe duhet të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, ose kur banojnë në ë fshat dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore, megjithëse tokën mund ta kenë në rrethin fqinj.

Kontributet që duhet të paguani sipas zonave

Lidhur me pagesat që duhet të bëjnë për skemën e sigurimeve shoqërore, autoritetet e ISSH-së bëjnë me dije se për një vit vjetërsie në punë në shtet, një i vetëpunësuar në qytet paguan 66 240 lekë, në zonat fushore paguan 38, 400 lekë në vit, si dhe në zonat malore paguan vetëm 29 400 lekë në vit. Nëpërmjet kësaj skeme të detyrueshme, edhe këta persona përfitojnë vjetërsi në punë, ku njohja e periudhave për të cilat janë paguar kontributet njihet vjetërsi në marrëdhënie pune me shtetin. Me ndryshimet e bëra në ligjin e sigurimeve shoqërore, sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.

Kushtet se si duhen bërë pagesat 

Në manual saktësohet se pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj. Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. “Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat për të cilat nuk janë paguar kontributet nuk njihen si periudha sigurimi.

Kushtet për pension të pjesshëm

Të vetëpunësuarit në bujqësi që nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të vjetërsisë në punë, për të përfituar pension të pjesshëm, mund të kryejnë pagesa kontributesh pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension dhe të mos jetë caktuar ende asnjë lloj pensioni. Për këto periudha do të paguhet sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin kur kryhet pagesa. Po ashtu bëhet me dije se të vetëpunësuarit që nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhat e kaluara, por që i kanë pasur kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht nga vendbanimi aktual, mund t’i paguajnë kontributet për këto periudha sipas masës së kontributit të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin kur kryhet pagesa.

 

Procedurat që duhet të ndiqni

Për të qenë pjesë e skemës së detyrueshme, i vetëpunësuari në bujqësi duhet që fillimisht të paraqitet tek inspektori përkatës i sigurimit, duke dorëzuar dokumentet e përcaktuara. Konkretisht, pjesë e kësaj dosjeje duhet që të jenë: “Vërtetimi i pronësisë mbi tokën lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme pranë organeve të pushtetit vendor, ose vërtetimi mbi tokën e marrë në përdorim lëshuar nga strukturat përkatëse  pranë organeve të pushtetit vendor. Po ashtu mund të dorëzoni edhe kontratën e qiramarrjes së tokës bujqësore, të noterizuar. Në çdo rast për sigurim të periudhave për vitin korent, si dhe për periudha të kaluara duhet të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore dhe blegtorale.

Përfshirja në skemë

Pasi vlerëson dokumentacionin e paraqitur dhe konstaton plotësimin e kushteve, inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim” dhe ia jep fermerit. Ky i fundit, për të bërë pagesën duhet të paraqitet me këtë dokument në zyrën postare, ose pranë bankinave të nivelit të dytë. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese. Më tej me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” fermeri paraqitet për regjistrim tek  inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”. Këto dokumente në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore, pasi ato janë personale. Sipas ekspertëve të ISSH-së, në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe  shëndetësore. Me kërkesën e të vetëpunësuarit në bujqësi, ai pajiset nga organet e sigurimeve  shoqërore edhe me vërtetimin tip “Për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *